Federata e Futbollit të Kosovës po bëhet gati për Kuvendin Zgjedhor, i paraparë të mbahet më 5 shkurt.
Por, shtëpia e futbollit kosovar po has në pengesa të shumta para zgjedhjeve të reja.
Ministria e Sportit e ka nisur një ofanzivë ndaj udhëheqësisë së FFK-së, duke vlerësuar se ka gjetur shumë parregullsi dhe shkelje, shkruan “Gazeta Express”.
Madje, ministri në detyrë i Sportit, Hajrulla Çeku e ka dërguar një shkresë zyrtare drejtpërdrejt në UEFA e në FIFA, të cilat i ka informuar me disa fakte tronditëse që i ka gjetur kjo Ministri.
Ndër pikat që përmenden në këtë përplasje institucionale është edhe mekanizmi statutor i kandidimit për kryetar, i cili i kërkon 15 nënshkrime mbështetëse nga anëtarët e Federatës vetëm si kusht për t’u kandiduar për kryetar.
“Në një federatë si FFK, që ka 40 anëtarë gjithsej, por vetëm 26 janë të licencuar dhe me të drejtë vote, (15 nga 26) ky rregull e eliminon garën reale dhe e bën praktikisht të mundur vetëm një kandidaturë. Në këtë drejtim, Ministria shtron hapur pyetjen: ‘A është kjo normale dhe e pranueshme për UEFA-n dhe FIFA-n?’”, shkruan ministri Çeku, duke e konsideruar statutin si jodemokrati dhe duke e kontestuar procesin zgjedhor.
Dispozitat për zgjedhjen e presidentit dhe Komitetit Ekzekutiv mbeten problematike edhe për analistin e emisionit “Favorit” në T7, Taulant Dajaku.
Sipas tij, me këtë metodë, kreu aktual, Agim Ademi, po e kap Federatën dhe po e sjell një diktat, duke e fshehur njëkohësisht mospunën dhe keqpërdorimet.
“Fakti se ka pengesa të tilla të qëllimshme që të mbahet me zor pozicioni pa ofruar qetësisht zgjedhje duke i lejuar kundërkandidatët, tregon për kapjen e Federatës dhe formën e funksionimit me diktat. Ky është treguesi kryesor i fshehjes dhe frikës nga mospuna e bërë, keqpërdorimet e bëra ndër vite dhe dëshirë për ta mbajtur një post të nxitur nga mendimi për ta prosperuar futbollin dhe për ta zhvilluar atë, por për ta mbajtur ai një karrige që prodhon mundësi ‘qapitje’ të parave të futbollit. Kjo është fatkeqësi”, thotë Dajaku për “Express”.
E mendim krejt ndryshe prej Dajakut, si zakonisht, edhe këtë radhe ka analisti tjetër i “Favoritit”, Alban Lumi.
Sipas gazetarit sportiv, kjo metodë, pra kandidimi me 15 nënshkrime, është përdorur edhe më herët.
“Kjo praktikë, të cilën e parasheh statuti i FFK-së, zbatohet shumë më herët se Federata të drejtohet nga Ademi. Varësisht edhe nga numri i përgjithshëm i anëtarëve, vendoset edhe pragu për ta marrë nominimin nga nënshkrimet”, u shpreh Lumi për “Express”.
Kryetari aktual, Agim Ademi pritet të jetë kandidati i vetëm për kryetar të FFK-së pasi asnjë kandidat tjetër nuk ka arritur t’i sigurojë 15 nënshkrime, të domosdoshme për ta siguruar kandidaturën për kryetar të Federatës, në zgjedhjet e 5 shkurtit. /Gazeta Express