Ekspertët e jetëgjatësisë thonë se sekreti i një jete të gjatë dhe të shëndetshme mund të jetë më i thjeshtë nga sa mendohet. Sipas tyre, ekziston një ushqim i lirë, i lehtë për t’u gjetur dhe i provuar shkencërisht, i cili duhet të jetë pjesë e përditshme e dietës sonë.
Dan Buettner, ekspert i njohur i jetëgjatësisë, studiues i “Blue Zones”, bashkëpunëtor i National Geographic dhe autor bestseller, thotë se fasulet janë ushqimi numër një për jetëgjatësinë në botë.
“Ushqimi më i rëndësishëm për jetëgjatësinë janë fasulet. Ato janë themeli i çdo diete në zonat blu të botës. Ne e dimë se konsumimi i vetëm një filxhani fasule të gatuara në ditë lidhet me rreth katër vite jetë më të gjatë,” shpjegon Buettner.
Sipas tij, përfshirja e rregullt e fasuleve në dietë mund të rrisë ndjeshëm shanset për të jetuar deri në moshë shumë të shtyrë – madje edhe deri në 100 vjeç.
Pse fasulet janë kaq të dobishme?
Buettner, i cili është edhe prezantues dhe bashkëprodhues i dokumentarit të Netflix “Live to 100: Secrets of the Blue Zones”, thekson se fasulet:
janë një burim shumë i mirë i karbohidrateve komplekse
përmbajnë shumë fibra, të cilat shumica e njerëzve nuk i marrin mjaftueshëm
janë burim i shkëlqyer i proteinave bimore të shëndetshme, sidomos në shoqëri ku konsumi i proteinave shtazore është i tepruar
Këto përfitime mbështeten edhe nga Udhëzimet Ushqimore për Amerikanët 2020–2025, të cilat theksojnë se fasulet, bizelet dhe thjerrëzat konsumohen më pak se sa duhet nga shumica e të rriturve, edhe pse janë pjesë kyçe e një diete të shëndetshme.
Sipas këtyre udhëzimeve, një model ushqimi i shëndetshëm përfshin:
perime të të gjitha llojeve (jeshile, të kuqe, portokalli, bishtajore, niseshtore)
fruta, veçanërisht fruta të plota
drithëra, ku të paktën gjysma janë integrale
produkte bulmeti pa yndyrë ose me pak yndyrë (ose alternativa bimore të fortifikuara)
ushqime proteinike, përfshirë mish të dobët, peshk, vezë, fasule, thjerrëza, arra dhe fara
vajra bimore dhe yndyrna të shëndetshme
Ekspertët e UCLA Health shtojnë se një porcion fasulesh ofron edhe kalium, një mineral thelbësor për kontrollin e tensionit të gjakut. Gjysmë filxhani fasule përmban rreth 300–500 mg kalium, në varësi të llojit, ndërsa shumica e njerëzve nuk marrin sasinë e nevojshme ditore.
Recetë nga “Zonat Blu”: Minestrone me fasule
Dan Buettner ka publikuar në faqen e tij një sërë recetash nga zonat blu, dhe një nga më të njohurat është Minestrone, një supë e pasur me fasule.
Përbërësit:
150 g qiqra të thata
150 g fasule të bardha të thata
150 g fasule pinto ose të kuqe
1.5 filxhanë patate të prera në kube
6–8 filxhanë ujë ose lëng perimesh
1 qepë mesatare, e grirë
5 kërcell selino, të grira
5 karrota, të grira
8 thelpinj hudhër, të grirë
1 gjethe dafine
1 lugë çaji rigon
2 lugë gjelle vaj ulliri
1 lugë çaji piper i zi ose i kuq
1 kanaçe domate të copëtuara (rreth 400 g) ose 5 domate Roma
kripë sipas shijes
Përgatitja:
Fasulet lërini në ujë gjatë natës; nëse nuk keni kohë, mund t’i zbutni duke i ngrohur shkurt në ujë
Kaurdisni perimet në vaj ulliri në zjarr të ulët derisa qepa të zbutet
Shtoni fasulet, domatet, patatet, rigonin dhe dafinën
Gatuajeni ngadalë derisa fasulet të zbuten plotësisht
Supa duhet të jetë më e trashë se supa e zakonshme, por më e hollë se një gjellë
Shërbejeni me avokado sipër
Mbetjet mund të ruhen në ngrirje në porcione individuale. /GazetaExpress/