A janë të shëndetshme protein bar-et? - Gazeta Express
string(36) "a-jane-te-shendetshme-protein-bar-et"

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

23/01/2026 20:27

A janë të shëndetshme protein bar-et?

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

23/01/2026 20:27

Protein bar-et janë tashmë produkte ushqimore të zakonshme në Britani, të gjendura pothuajse në çdo supermarket, dyqan lagjeje apo farmaci.

Të prodhuara nga kompani si Grenade, Trek dhe Fulfil, ato shiten si ushqime që përmirësojnë shëndetin, të pasura jo vetëm me proteina – lëndë ushqyese thelbësore për muskujt – por edhe me fibra, vitamina dhe përbërës të tjerë të dobishëm.

Popullariteti i tyre në Mbretërinë e Bashkuar po rritet ndjeshëm. Industria e protein bar-eve vlerësohet aktualisht mbi 1.3 miliardë paund dhe pritet të vazhdojë zgjerimin, me marka të reja që hyjnë çdo vit në treg.

Megjithatë, një numër gjithnjë e më i madh ekspertësh paralajmëron se protein bar-et kanë edhe anën e tyre negative.

Vitit e kaluar, trajneri i njohur televiziv i fitnesit Joe Wicks publikoi dokumentarin Licensed To Kill, ku akuzoi prodhuesit e protein bar-eve se i mbushin produktet e tyre me sheqer, yndyrë dhe përbërës ultra të përpunuar – substanca artificiale që, sipas studimeve, kur konsumohen rregullisht, rrisin rrezikun e kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe madje edhe demencës.

Hulumtimet shkencore duket se mbështesin këto pretendime. Një studim i vitit 2025, i publikuar nga Universiteti Queen Mary i Londrës, analizoi mbi 450 snack bar-e (përfshirë protein bar-et) të shitura në dhjetë supermarkete. Rezultatet treguan se 37% e tyre kishin përmbajtje të lartë sheqeri, ndërsa mbi gjysma ishin të pasura me yndyra të ngopura – një formë veçanërisht e dëmshme, e lidhur me probleme kronike shëndetësore. Studiuesit përfunduan se konsumatorët po “keqinformohen” nga kompanitë për shëndetshmërinë e këtyre produkteve.

Ky qëndrim ndahet edhe nga nutricionistja londineze Pippa Campbell, autore e librit Eat Right, Lose Weight.

“Në përgjithësi nuk jam adhuruese e protein bar-eve dhe nuk do t’i konsideroja ushqim të shëndetshëm,” thotë Campbell. “Ka shumë marketing rreth përmbajtjes së proteinave, por shumë prej këtyre produkteve janë ende ultra të përpunuara dhe me pak vlerë reale ushqyese. Mund të jenë të dobishme herë pas here, për shembull gjatë udhëtimeve, por nuk duhet të zëvendësojnë kurrë një vakt të balancuar.”

Megjithatë, ekspertët theksojnë se jo të gjitha protein bar-et janë të njëjta. Edhe pse shumica e nutricionistëve rekomandojnë ushqime natyrale të pasura me proteina – si farat, arrat, vezët dhe jogurti – disa bar-e janë më ushqyese se të tjerat.

Protein bar-et më të shëndetshme

Fulfil Chocolate Salted Caramel Vitamin & Protein Bar

– Çmimi: 2.90 £ (55 g)

– E ulët në sheqer (1.7 g) dhe e pasur me proteina (20 g)

– E pasuruar me nëntë vitamina, përfshirë acid folik, vitamina C, E dhe disa vitamina B

– Mangësi: përmbajtje relativisht e ulët e fibrave (3.4 g) dhe përdorim i alkoolit të sheqerit si ëmbëlsues artificial

Fast 800 Dark Chocolate Raspberry Protein Bar

– Çmimi: 26.99 £ (12 copë, 45 g secila)

– 14 g proteina dhe 9 g fibra, vetëm 1 g sheqer

– Yndyrat janë kryesisht natyrale

– Mangësi: përmban ëmbëlsues të shtuar dhe proteinë soje të izoluar, një përbërës shumë i rafinuar

The Protein Ball Co – Blueberry Oat Muffin

– Çmimi: 1.85 £ (45 g)

– Përbërës kryesisht natyralë: hurma, bajame, boronica të thara, tërshërë dhe fara liri

– Më pak proteina (6.5 g), por ndër alternativat më pak të përpunuara

– Sheqeri (17 g) vjen kryesisht nga burime natyrale

Deliciously Ella – Roasted Peanut Protein Ball

– Çmimi: 1.90 £ (40 g)

– Përbërës kryesorë: hurma, kikirikë dhe gjalpë kikiriku

– Pak kalori (150) dhe yndyrë

– Pak proteina (4.6 g), por pa ëmbëlsues artificialë dhe vajra të rafinuar

Pip & Nut Dark Chocolate Peanut Protein Bar

– Çmimi: 4 £ (3 copë, 46 g secila)

– Përbërës kryesorë: kikirikë, çokollatë e zezë dhe tërshërë

– 10 g proteina dhe 10 g sheqer

– Mangësi: më shumë kalori dhe yndyrë, si dhe përdorim i shurupit agave, i cili është më i përpunuar sesa mendohet shpesh

Protein bar-et më pak të shëndetshme

Trek Power Lotus Biscoff Bar

– E pasur me kalori (239), sheqer dhe yndyrë

– Përmban shumë përbërës ultra të përpunuar, si shurupe sheqeri, aromatizues dhe vajra të rafinuar

– Edhe pse ka 15 g proteina dhe 8.6 g fibra, klasifikohet si shumë e përpunuar

Grenade Oreo White Protein Bar

– Shumë e ulët në sheqer (0.7 g) dhe e pasur me proteina (21 g)

– Pothuajse pa fibra (0.9 g)

– Sheqeri i ulët arrihet përmes ëmbëlsuesve artificialë si sucraloza

– Përmban shumë përbërës ultra të përpunuar, çka e bën një zgjedhje të dobët sipas ekspertëve

Ekspertët theksojnë se protein bar-et nuk duhet të konsiderohen automatikisht ushqim i shëndetshëm. Ato mund të jenë një zgjidhje praktike në raste të veçanta, por nuk zëvendësojnë një dietë të balancuar. Nëse konsumohen, rekomandohet të zgjidhen produkte me përbërës sa më natyralë, më pak sheqer, më pak yndyra të rafinuara dhe më shumë fibra. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement