Biblioteka Kombëtare e Kosovës, nga digjitalizimi te vendosja në hartën e bibliotekave evropaine - Gazeta Express
string(95) "biblioteka-kombetare-e-kosoves-nga-digjitalizimi-te-vendosja-ne-harten-e-bibliotekave-evropaine"

Arte

Donjeta Abazi

23/01/2026 18:13

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, nga digjitalizimi te vendosja në hartën e bibliotekave evropaine

Arte

Donjeta Abazi

23/01/2026 18:13

Bisedë me Blerina Rogova Gaxha, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në lidhje me digjitalizimin, bashkëpunimet dhe renovimin.

Procesi i digjitalizimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ka nisur rreth viteve 2019–2020, por për një periudhë të gjatë është zhvilluar me hapa të ngadalshëm. Fillimisht ka munguar infrastruktura teknologjike, ndërsa më pas janë blerë disa skanerë dhe është themeluar Qendra e Digjitalizimit. Megjithatë, edhe pse ka pasur resurse të mjaftueshme njerëzore, procesi nuk ka marrë hovin e pritur.

Rreth këtij procesi ne kemi zhvilluar një bisedë me Drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’, znj. Blerina Rogova Gaxha.

“Kur kam ardhur unë, një nga prioritetet kryesore ka qenë zgjerimi i digjitalizimit”, thekson znj. Rogova Gaxha, duke shtuar se edhe Këshilli Drejtues e ka pasur këtë si objektiv strategjik. Ajo vëren se mentaliteti institucional dhe mënyra tradicionale e funksionimit kanë qenë pengesë për zhvillim më dinamik, pavarësisht se infrastruktura ekzistuese ka ofruar hapësirë për rritje më të madhe.

Në këtë kontekst, ajo ka vendosur ta ndjekë modelin e Arkivit të Kosovës, duke e zhvilluar digjitalizimin përmes operatorëve të jashtëm. Pas hapjes së tenderit dhe nënshkrimit të kontratës në tetor të vitit të kaluar, procesi ka hyrë në një fazë të re. Sipas saj, “që kur ka filluar puna me operator të huaj, digjitalizimi ka ecur me hapa krejt tjerë”.

Nëse për 5–6 vite janë digjitalizuar rreth një milion faqe, brenda vetëm tre muajve është arritur që kjo shifër të shkojë në rreth 800 mijë faqe. Projekti aktual i digjitalizimit, me afat njëvjeçar (nga tetori i vitit të kaluar deri në tetor 2026), ka obligim digjitalizimin e së paku 3 milionë faqeve apo materialeve bibliotekare. Mesatarja ditore është vendosur në 12 500 faqe, por kapaciteti ditor ka arritur deri në 15 000 ose 18 000 faqe.

Biblioteka ka kërkuar nga kompania që, përveç përdorimit të skanerëve ekzistues, të sjellë edhe aparaturën e vet, me qëllim përshpejtimin maksimal të procesit. Digjitalizimi shihet si një nga format më të rëndësishme të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, pasi garanton jetëgjatësinë e materialeve të vjetra, koleksioneve të rralla dhe fondit të pasur bibliotekar.

Procesi ka nisur me libra të vjetër, dorëshkrime dhe koleksione të veçanta, ku prioritet u është dhënë librave të rrallë dhe koleksioneve unike. Një nga projektet më të rëndësishme është digjitalizimi i koleksionit të librave dhe dorëshkrimeve orientale, një fond i veçantë i Bibliotekës Kombëtare që nuk ishte verifikuar për më shumë se 22–23 vite dhe që daton nga projekti i viteve 2001–2002. Për këtë koleksion është angazhuar edhe një ekspert i orientalistikës, duke e bërë procesin jo vetëm teknik, por edhe shkencor dhe interpretues.

“Po ashtu po digjitalizohet periodiku historik i Kosovës. Gazeta ‘Rilindja’ kishte qenë pjesërisht e digjitalizuar, por tani janë marrë të gjithë numrat bashkë me arkivin, përfshirë numrat e munguar të viteve 1945–1963. Gjithashtu po digjitalizohet gazeta ‘Bujku’ dhe botime tjera si ‘Koha Ditore’. Për këtë pjesë po punohet në krijimin e një rregulloreje për të drejtën e autorit, në bashkëpunim me Zyrën për të Drejtën e Autorit”, thotë ajo.

Duke e krahasuar situatën me bibliotekat e tjera në rajon dhe Evropë, drejtuesja thekson se Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka qenë shumë mbrapa në përqindjen e materialeve të digjitalizuara, por synimi është që kjo hendek të tejkalohet dhe institucioni të arrijë standardet evropiane.

Edhe në rastet kur materialet nuk mund të shfaqen publikisht për shkak të të drejtës së autorit, qëllimi kryesor mbetet ruajtja e tyre. Materialet, edhe pse ruhen në kushte optimale fizike, dëmtohen me kalimin e kohës, prandaj arkivi digjital shihet si formë e dytë sigurie për trashëgiminë kulturore dhe dokumentare.

Në këtë drejtim, Biblioteka ka bashkëpunuar me ASHI-në, duke kërkuar që arkivi digjital të hostohet edhe në këtë institucion, në mënyrë që materialet të ruhen paralelisht në dy institucione dhe të garantohet siguria e tyre afatgjatë.

Këtë vit fokusi është edhe në rritjen e qasjes së publikut ndaj dokumenteve digjitale, përmes krijimit të rrjetit bibliotekar dhe projekteve të vazhdueshme të digjitalizimit. Edhe pas përfundimit të projektit aktual, pritet hapja e projekteve të reja, pasi fondi i materialeve është shumë i madh.

Në planin e zhvillimit kombëtar, Biblioteka Kombëtare ka parashikuar që deri në vitin 2028 të arrijë shifrën e 2 milionë faqeve të digjitalizuara, duke e konsideruar digjitalizimin si një proces të pandalshëm deri në krijimin e arkivit digjital të plotë të institucionit.

Bashkëpunimet

Vendosja e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në hartën evropiane të bibliotekave është një nga objektivat kryesore strategjike. Për këtë qëllim janë ndërmarrë iniciativa të shumta për bashkëpunime ndërkombëtare dhe partneritete institucionale.

“Aktualisht janë duke u zhvilluar bisedime me Bibliotekën Kombëtare të Hungarisë dhe Bibliotekën Kombëtare të Katarit për donacione, ndërsa një marrëveshje bashkëpunimi me Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë është e gatshme për nënshkrim. Po ashtu pritet një vizitë zyrtare në Bibliotekën Kombëtare të Belgjikës në Bruksel, që shihet si hap i rëndësishëm për integrimin e bibliotekës kosovare në rrjetet evropiane”, thotë Blerina Rogova Gaxha.

Vitin e kaluar janë nënshkruar marrëveshje me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, ndërsa bashkëpunime të rëndësishme janë realizuar edhe me Bibliotekën Kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe të Turqisë, duke hapur mundësi për shkëmbime profesionale, projekte të përbashkëta dhe mbështetje teknike.

Një moment historik për institucionin do të jetë organizimi për herë të parë i Konferencës së Drejtorëve të Bibliotekave të Evropës Juglindore, e cila do të mbahet më 28–30 shtator, në prag të Javës së Bibliotekës. Në këtë konferencë do të marrin pjesë biblioteka kombëtare nga Turqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kroacia, Sllovenia dhe Bosnja, duke e pozicionuar Kosovën si qendër rajonale të diskutimit profesional bibliotekar.

Para konferencës do të realizohet një hulumtim mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në bibliotekat e rajonit, i cili do të shërbejë si bazë për diskutimet dhe politikat e ardhshme të modernizimit të bibliotekave.

Gjithashtu, së shpejti pritet nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Kosovës, me qëllim organizimin e ekspozitave të përbashkëta dhe projekteve kulturore e shkencore.

Renovimi

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka përgatitur një plan ideor të renovimit, i cili është punuar për dy vite nga një grup ekspertësh të jashtëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në konsultim të vazhdueshëm me arkitektin e Bibliotekës Andrija Mutnjakoviq dhe Rilind Qoqajn. Ky plan synon restaurimin dhe modernizimin e një prej objekteve më ikonike të arkitekturës në Kosovë.

“Fillimisht ishte planifikuar një fond prej rreth 7 milionë eurosh për tri vitet e ardhshme, por vitin e kaluar Qeveria ka marrë vendim që projekti i plotë i restaurimit, me vlerë rreth 22 milionë euro, të aprovohet dhe të mbështetet në tërësi. MKRS ka përgatitur dokumentacionin dhe ka hapur tenderin, ndërsa aktualisht procesi ndodhet në fazën e vlerësimit të operatorëve që kanë paraqitur ofertat”, tregon Rogova-Gaxha.

Procesi i renovimit pritet të nisë gjatë këtij viti, por koha e saktë varet nga procedurat e prokurimit dhe serioziteti i ofertuesve për realizimin e projektit. Projekti parashihet të zgjasë tre vite, me mundësi zgjatjeje për një ose dy vite të tjera, varësisht nga rrethanat.

Gjatë renovimit, disa shërbime mund të ndërpriten përkohësisht, por administrata dhe shërbimi i ekzemplarit të detyrueshëm nuk do të ndalen, pasi ky shërbim është i përcaktuar me ligj dhe libri hyn çdo ditë në Bibliotekë. Po ashtu, do të tentohet që procesi i digjitalizimit të mos pengohet, megjithëse librat duhet të zhvendosen nga depot, ku do të realizohet pjesa kryesore e punimeve për shkak të problemeve infrastrukturore.

Renovimi do të përfshijë sistemin elektrik, kanalizimin, klimatizimin, dyert, dritaret, izolimin, konservimin e objekteve të vjetra dhe ndërhyrje të tjera strukturore, me qëllim rikthimin e shkëlqimit të plotë të institucionit dhe përmirësimin e kushteve për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe shërbimet për publikun.

/Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement