Bienalja Autostrada u themelua nga Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço në vitin 2014, si përgjigje ndaj nevojës për hapësira ku arti bashkëkohor mund t’i bashkojë njerëzit për të menduar, mësuar dhe shkëmbyer ide. E imagjinuar si një urë mes njerëzve, vendeve dhe ideve, ajo krijon lidhje ndërmjet konteksteve dhe gjeografive të ndryshme përmes angazhimit afatgjatë. Edicioni i gjashtë i Bienales Autostrada do të mbahet nga korriku deri në shtator 2027, duke vazhduar një rrugëtim të formësuar gjatë më shumë se një dekade të praktikës artistike dhe kulturore. Lista e artistëve dhe programeve, si dhe koncepti i ekspozitës, do të bëhen publike më vonë gjatë vitit 2026.
Lucia Pietroiusti deklaron:
“Bienalja Autostrada e ka riformësuar jetën kulturore të Kosovës dhe jam mirënjohëse që jam e përfshirë në edicionin e ardhshëm. Duke parë drejt vitit 2027, duam të kujtojmë të sjellim butësi në tryezë; t’i besojmë aftësisë së artit për të krijuar hapësirë për jetë, gëzim, sensualitet dhe ndërlidhje në një kohë të formësuar nga frika. Edicioni i gjashtë ndjek një rrugë të hapur nga themeluesit e Bienales Autostrada, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, dhe të mbajtur gjallë nga kuratorët e jashtëzakonshëm të edicioneve të mëparshme. Bienalja Autostrada është unike: ndërsa edicionet vijnë dhe shkojnë, ajo që ndërtohet mbetet. Infrastruktura kulturore thelbësore mbetet dhe rritet. Ky është një model për festivalet e përkohshme që janë të përkushtuara për mbështetjen e ekosistemit më të gjerë kulturor. Jam e nderuar që do të udhëheq dy vitet e ardhshme të evolucionit të saj të vazhdueshëm.”
Bashkëthemeluesit e Autostrada-s, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, shtuan:
“Jemi të kënaqur të ndajmë lajmin se Lucia Pietroiusti do të kurojë edicionin e gjashtë të Bienales Autostrada në vitin 2027. Angazhimi afatgjatë i Lucias me artin bashkëkohor dhe mendimin ekologjik rezonon thellësisht me pyetjet që kemi eksploruar ndër vite. Mënyra e saj e punës ndërmjet institucioneve, disiplinave dhe konteksteve përputhet ngushtë me përkushtimin e Autostrada-s ndaj artit si hapësirë për lidhje, kujdes dhe përgjegjësi të përbashkët.”
Lucia Pietroiusti (me bazë mes Londrës dhe Holandës) udhëheq kërkimin dhe eksperimentimin në ndërthurjen e artit, ekologjisë dhe sistemeve. Ajo është Drejtoreshë e Kërkimit dhe Emergjencës në Hartwig Art Foundation në Amsterdam, duke punuar drejt hapjes së Muzeut të ri Hartwig në vitin 2028. Deri në gusht 2025, ajo ishte Drejtoreshë e Ekologjive në Serpentine, Londër, ku themeloi projektin General Ecology (2018–2025). Pietroiusti është kuratore e operë-performancës fituese të Luanit të Artë, Sun & Sea nga Rugile Barzdžiukaitė, Vaiva Grainytė dhe Lina Lapelytė (Bienalja e Venecias e 58-të dhe turneu 2019–2025). Publikimet e fundit përfshijnë The Shape of a Circle in the Mind of a Fish (2025, me Filipa Ramos). Së bashku me Filipa Ramos, Pietroiusti ishte kuratore e Songs for the Changing Seasons, Vienna Klima Biennale (prill–korrik 2024) dhe Persones Persons, Bienalja e 8-të Gherdeïna, 2022. Ajo ishte kuratore e Bodies of Water, Bienalja e 13-të e Shangait (2021, me Andrés Jaque, Marina Otero Verzier, Filipa Ramos dhe You Mi), dhe redaktuese e More-than-Human (me Andrés Jaque dhe Marina Otero Verzier, 2020). Pietroiusti është Kryetare e Bordit të Besuarve të Forma në Londër dhe anëtare e bordit të Gallery Climate Coalition.
Si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren, Bienalja Autostrada funksionon si një ekspozitë ndërkombëtare e artit bashkëkohor, e mbajtur çdo dy vjet që nga viti 2017, dhe si Autostrada Hangar – Qendër për Art Bashkëkohor, e themeluar në vitin 2021 si shtëpia e përhershme e Bienales. E vendosur në një ish-bazë ushtarake gjermane të KFOR-it, tani pjesë e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, Autostrada Hangar funksionon si hapësirë gjatë gjithë vitit për prodhim, edukim, rezidenca artistësh, ekspozita dhe programe publike, dhe është e hapur çdo ditë për publikun.