Ideja që SHBA-ja ta kontrollojë Grenlandën, një territor danez me vetëqeverisje, i paraprin prej kohësh presidentit aktual.
Interesi i SHBA-së për Grenlandën daton që nga shekulli XIX, kur Sekretari i atëhershëm i Shtetit William H. Seward, sapo kishte përfunduar blerjen e Alaskës nga rusët në vitin 1867, hodhi idenë e blerjes së Grenlandës dhe Islandës nga Danimarka, shkruan CNN.
Megjithëse shitja nuk u realizua kurrë, SHBA-ja vazhdoi ta shihte me interes ishullin më të madh në botë në disa momente përgjatë historisë, në një rast duke diskutuar edhe një shkëmbim të mundshëm me Danimarkën për territor amerikan në Filipine.
Në vitin 1946, pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës SHBA-ja mori përsipër mbrojtjen e Grenlandës, presidenti Harry Truman i ofroi Danimarkës 100 milionë dollarë në ar për ishullin, por Danimarka e refuzoi ofertën.