Kiks Kosova ka publikuar një kronikë në të cilën raportohet se personi i quajtur Arianit Sllamniku, pretendon se mund të shërojë autizmin duke larguar parazitët nga trupi i njeriut, me medikamente që zakonisht janë të destinuara për kafshë, e jo për njerëz.
Pas këtij raportimi, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF shpreh shqetësim të thellë dhe indignim lidhur me raportimet në media se një individ dyshohet se ka ofruar barna për “shërimin” e fëmijëve me autizëm.
Në reagimin e KOMF theksohet:
KOMF ngre alarmin dhe i bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin urgjentisht veprimet dhe masat sipas legjislacionit në fuqi për të ndaluar dhe ndëshkuar veprimet e tilla të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve dhe njëherit të paligjshme.
KOMF reagon edhe ndaj përhapjes së pretendimeve të pabazuara shkencërisht që autizmin e paraqesin si diçka që mund të “shërohet”. Qasje të tilla janë jo vetëm mashtruese, por edhe të rrezikshme, sepse devijojnë vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve: mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara, mjedise stimuluese dhe shërbime të bazuara në evidencë.
Promovimi i premtimeve mashtruese shkakton dëm direkt: krijon pritshmëri joreale, shton stigmatizimin e fëmijëve dhe presionin mbi familjet e tyre, dhe nxit keqkuptim për nevojat reale të fëmijëve me autizëm.
KOMF thekson urgjencën e informimit të përgjegjshëm, përmirësimin e politikave publike dhe investimin në kapacitete dhe shërbime që fuqizojnë fëmijët me autizm dhe familjet e tyre. Vetëm përmes qasjeve të bazuara në shkencë, etikë dhe solidaritet shoqëror mund të krijohet një mjedis që respekton zhvillimin, dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve me autizëm.
Çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është i papranueshëm dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë.