Rreth romanit ‘Vegjetariania’, të Han Kang, përkthyer nga rusishtja Bujar Hudhri, botues “Onufri”, 2019, Tiranë
Han Kang, e lindur në vitin 1970 në qytetin e Gwangju-t në Korenë e Jugut, është një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë bashkëkohore aziatike.
Në vitin 2024, Kang u nderua me Çmimin Nobel për “prozën e saj të thellë poetike që adreson traumat historike dhe nxjerr në pah brishtësinë e jetës njerëzore”.
Shkrimtarja u bë e njohur me romanin e saj Vegjetariania (2007), një vepër që i dha popullaritet ndërkombëtar dhe çmimin Man Booker International në vitin 2016.
Fragjiliteti njerëzor përballë dhunës së tjetrit
Rreth nëntëmbëdhjetë vjet më parë, Han Kang i dha letërsisë bashkëkohore një nga rrëfimet më tronditëse mbi dhunën, tiraninë dhe ç’njerëzoren që fshihet brenda vetë njeriut. Me një imagjinatë të mprehtë dhe një narrativë që shpesh nga kritikët letrar është krahasuar me atë të Franz Kafkes, “Vegjetariania” shpalos një botë ku normalja shpërbëhet gradualisht para syve të njeriut dhe e fuqishmja nuk ka më fuqi.
Personazhet e Kang janë ndërtuar me një sofistikim të ftohtë, të gjithë qëndrojnë në rolin e tyre dhe askush nuk del në vendin e tjetrit.
Rrëfimi nis nga perspektiva e një burri në mesomoshë, i cili përshkruan martesën me Jonhjen, gruan e tij, pa ndonjë tipar të veçantë, për të cilën shpesh pyet veten pse e kishte zgjedhur. Kjo rutinë e sheshtë thyhet kur një natë ai e sheh gruan si një fantazmë të ngrirë, një imazh që buron nga një ëndërr tronditëse, që për Jonhjen nuk mbetet thjesht ëndërr.
“Pashë një ëndërr, pashë një fytyrë”, këtë fjali e përsëriste vazhdimisht çdo herë kur pyetjet e të tjerëve vendosnin kthetra përbindëshi në mendjen e saj.
Shkaku që jeta e saj mori një kthesë të papritur ishte ëndrra që pa. Jeta e përditshme u deformua dhe ajo u kthye në vegjetariane, duke ndjerë neveri për mishin dhe për çdo gjë tjetër që përfaqësonte dhunën e përditshme të botës natyrore. Ndryshimi i saj radikal ishte i papranueshëm, veçanërisht për ata që e kishin rritur, për ata që e donin dhe për rrethin shoqëror. Ky ndryshim shkoi aq larg, saqë, duke u përpjekur të shpëtonte nga dhuna e botës natyrore, ajo u fundos në dhunën ndaj qenieve njerëzore.
Kur forca fizike e ul forcën mendore
Tjetri shpesh priret të luajë rolin e këshilluesit pa i kërkuar askush mendim, dhe fjalët e tij, të cilat shpesh varrosen nën dhe, nuk bëhen asnjëherë pjesë e një diskursi konstruktiv. Ato ringjallen vetëm për të poshtëruar, për të nënçmuar dhe për të ushtruar dhunë, sepse për ta, dhuna është një zgjidhje.
Vendosmëria e Jonhjes e çoi atë në një konstrukt të trupi vetëm asht dhe lëkurë; familja e saj u mundua me të gjitha forcat që ta kthenin tek “normalja”, por të gjitha tentativat e tyre dështuan fund e krye.
Brutaliteti arrin kulmin kur babai, në një darkë familjare, abuzon me të bijën, ushtron dhunë dhe përpiqet t’ia hapë gojën për t’i dhënë një copë mish. Akti i tij nuk është vetëm dhunë prindërore, por një simbol i pushtetit patriarkal që kërkon nënshtrim absolut. Tentativa e tij dështon, dhe Jonhja, e pafuqishme ndaj dhunës që e rrethonte, vendosi të jepte fund jetës së saj për t’u çliruar nga njerëzit mizor, një botë mizore dhe çdo gjë tjetër që e shtypte ditë për ditë.
Keqtrajtimi nuk mbaroi as kur ajo u shtrua në spital. Këtë herë, figura hyjnore e nënës, që e kishte parë gjithnjë si shpëtimtare, iu rrënua para syve. Nëna e saj, me “ilaçe” popullore që përmbanin lëngun e mishit, tentoi ta mashtronte duke i bërë presion që të pinte një lugë nga ilaçi i famshëm. Jonhja, me shqisat e saj të mprehta, e kuptoi dredhinë dhe vendosi të largohej, duke e hequr mantilin e bardhë të spitalit deri në fund-shpin dhe duke e lënë pjesën e sipërme të trupit të përqafuar nga rrezet e diellit.
Në trungun e saj familjar nuk ishte askush që i doli në mbrojtje, degët filluan të zgjeroheshin dhe të ngriheshin, gjethe nuk kishte më, peizazhi ishte krejtësisht i zymtë.
Në rendin e pafundmë për ta keqtrajtuar Jonhjen i erdhi radha burrit të motrës, një artist i dëshpëruar, që e shihte trupin e saj si objekt për të pikturuar turpin e tij. Ai shfrytëzoi indiferencën e saj ndaj botës, iu vërsul duke shuar epshet mbi një trup që tashmë ishte i vdekur. Obsesioni i tij buron nga njolla mongoliane, e cila nuk ndodhet në trupin e Jonhjes, por në trupin e djalit të tij, një detaj që e bën kapitullin edhe më të errët dhe shqetësues.
Bota hermetike e Jonhjes
Njerëzit ndryshojnë vazhdimisht: disa për shkak të rrethanave, disa për hir të të tjerëve, e të disa thjesht ndodh natyrshëm.
Han Kang tregoi deri ku mund të arrijë indiferenca njerëzore; personazhin e saj kryesor e krijoi me një indiferencë përtej normales. Kur zgjedh të mos dhunojë botën e kafshëve, ajo përballet me dhunën e botës njerëzore. Indiferenca ndaj njerëzimit është aq e thellë saqë nuk i bën përshtypje të mbetet njeri. Tentimi i Jonhjes në fund të librit për t’u shndërruar në pemë është përpjekja e saj e fundit për rezistencë dhe revoltë.
Në fund, bota hermetike e Jonhjes nuk është arratisje, por akt i heshtur proteste. Ajo nuk e rrëzon sistemin që e shtyp, por refuzon të jetë pjesë e tij. Kauza e saj për të mos qenë si gjithë njerëzit e tjerë e lë të bie në humnerë krejtësisht e vetme.
Përshkrim mbi librin ‘Vegjetariania’
Romani i Han Kang i ofron lexuesit një nga rrëfimet më tronditëse mbi dhunën e botës njerëzore dhe asaj natyrore. Rrëshqitja në këto dy taborre, ku asnjëra s’të braktis, sa mendon se shpëton nga njeri, hidhet në përqafim tjetri.
Shkrimtarja ndau librin në tre kapituj: Vegjetariania, Njolla mongoliane, Përflakja e pemëve. Në secilin kapitull, protagonist përveç Jonhjes është edhe bashkëshorti i saj, bashkëshorti i motrës dhe vetë motra e Jonhjes.
Në tre kapituj vërehet tranzicioni i Jonhjes brishtësia e saj kalon në egërsi, jo pa arsye, por për të tjerët të pajustifikueshme. Vegjetariania nuk është thjesht një roman për refuzimin e mishit; është një rrëfim që thyen detin e ngrirë brenda nesh.
Jonhja në asnjë rresht të vetëm nuk kërkon të jetojë ndryshe, kërkesa e saj e heshtur me fjalë, por e zhurmshme në veprime, ishte të mos dhunojë dhe të mos dhunohet.
Në një botë me miliarda njerëz, Jonhja zgjedh të mos jetë më njeri. Ajo zgjedh të jetë pemë e palëvizshme, por mbi të gjitha e lirë. Han Kang e vendosi çmendurinë në pikën kulminante të romanit, në fundin e Jonhjes dhe në fundin e botës njerëzore për të.
/Gazeta Express