Eseja e javës/ Ariel Dorfman: A duhet të torturohet Jagoja - Gazeta Express
string(56) "eseja-e-javes-ariel-dorfman-a-duhet-te-torturohet-jagoja"

Arte

Gazeta Express

16/01/2026 16:13

Eseja e javës/ Ariel Dorfman: A duhet të torturohet Jagoja

Arte

Gazeta Express

16/01/2026 16:13

Vladimiro Ariel Dorfman (1942), romancier, dramaturg, esiest, akademik dhe aktivist për të drejtat e njeriut argjentinaso-kileano amerikan. Autor i dramës së njohur Death and the Maiden, 1991

A DUHET TË TORTUROHET JAGOJA

Nga Ariel Dorfman

Në mesin e të gjitha personazheve fiksionale të universit letrar, Jagoja dashalig, i cili tradhton komandantin dhe miku e tij, Otellon, duke çuar në fundin e Desdemonës së ëmbël, mund të jetë personazhi negativ që meriton më së shumti benzinën e digjshme të ndëshkimit të pafundmë. Drama e Shekspirit nuk lë asnjë dyshim rreth asaj se çfarë e pret atë “gjysmë-djall”: torturë deri në vdekje. Dhe urdhri është që të bëhet dalëgadalë: “If there be any cunning cruelty / that can torment him much and hold him long, / it shall be his.” (N’pastë ndonjë pashpirtësi finoke / që mund ta bëjë të heqë të zitë e ullirit dhe ta mbajë sa më gjatë,/ atëherë duhet të jetë e tija.”)

Spektatorët që kanë përcjellë Arapin e Venedikut kur është dhënë për herë të parë më 1604 ishin më se të vetëdijshëm se çka shkaktonin ato vuajtje, duke qenë se kishin ndjekur rregullisht ekzekutime si shfaqje publike të brutalitetit. 

Një rast me nam, në mesin e shumë sish, që mund të jetë skalitur në kujtesën dhe sytë e teatërdashësve londinezë, ishte martirizimi i Robert Southwellit, një prift jezuit dhe poet madhështor, vargjet e të cilit (“My mind to me an empire is – Mendja ime është për mua perandori”) Shekspiri i njihte mirë. Në shkurtin e vitit 1595, Southwelli, i akuzuar për tradhti, ishte varur në Tyburn. I dënuar me vendimin që t’i nxirren zorrët jashtë sa ishte ende gjallë, trupi i tij ishte ndarë në katër pjesë, i ishte prerë koka dhe i ishte treguar turmës së madhe përgjëruese. Para se të vdiste, Southwelli kishte shkruar rreth përvojës së tij gjatë tri vjetëve të mëparshme të burgosjes dhe tronditjes. Ca prej të burgosurve, thotë ai, “varen për duarsh për tetë ose nëntë orë, deri në dymbëdhjetë orë madje, derisa të mbesin jo vetëm pa mend, por edhe pa ndjenja.” Tmerret e tjera që ai përshkruan janë shpërfytyrimet gjenitale dhe privimi nga gjumi; rrota torture që hedhin trupin mbi një top dhe shtypin gjymtyrë të ndryshme derisa të shpërthejë gjaku; dhe të bashkëburgosurit kështu vuajnë urie në burgjet e nëndheshme të terrta sa lëpijnë “lagështirën e mureve.”

Çfarë e dallonte nemesisin e Otellos nga ai i Southwellit dhe të dyshuarve të panumërt në Angli dhe përreth Evropë, të cilët ishin ndrydhur deri në vdekje në daskujt e torturës, ishin djegur gjatë marrjes në pyetje, në shtyllën e turrës së druve dhe kishin qenë pre të torturës me ujë, ishte se Jagoja nuk pohonte si ishte i pafajshëm, ishte krenar për perfiditetin e tij. As nuk kishte bashkëpunëtorë vullnetarë në konsipiracionin e tij, kështu që asnjë “inteligjencë” që do të mund të paditej nuk mund të nxirrej nga goja e tij. 

Pse atëherë të përdoren ndaj tij metoda kaq të egra?

Në shekullin tonë gjoja se të qytetëruar, ku tortura mbahet për ilegale, krim kundër njerëzimit, po prapëseprapë praktikohet në mënyrë sistematike kudo mbi faqen e dheut, përfshirë, deri para pak vjetësh, Shtetet e Bashkuara në vendbanimet e zezakëve jashtë vendit, arsyet që dikush si Jagoja të torturohet në mënyrë çnjerëzore kanë relevancë dhe implikime të pafundme. 

Sa për fillim, trupi i Jagos mund të gjymtohet pa mëshirë, ngase audienca mund të ketë kërkuar atë lloj ndëshkimi, duke iu gëzuar mendimit se tradhtari është vënë në rrotën e torturës, një shpagim i vogël drejtësie në një tragjedi ku ofrohen pak rehati të tjera. 

Një arsye tjetër është se ai dhe kushdo tjetër që do të guxonte të sulmonte themelet e shtetit dhe rendin e universit do të bëheshin shembull. Vërtet, natyra spektakulare e asaj performance të dhimbjes supozohej, sipas vetë Mbretëreshës Elizabetë I, të ishte “për tmerrin e të tjerëve.”

Arsyeja e mbrame është ajo që Shekspiri mund ta ketë parë si më intriguesen.

Në novelën e Cinthios, burimi nga ku ai e kishte nxjerrë brumin për tregimin e tij, motive të shumëfishta e gjallërojnë këtë intrigant të llahtarshëm makiavelist. Shekspiri kishte bërë çmos që të hidhte anash pjesën më të madhe të tyre. Jagoja i Shekspirit nuk prapset nga Otelloja. As nuk shkon me mendjen se Otelloja e ka joshur gruan e tij, apo se ia ka njollosur reputacionin. Jagoja është enigmë, duke refuzuar të shpjegojë psetë e urrejtjes së tij, duke deklaruar në skenën e fundit të dramës se askush nuk do të mund t’ia nxjerrë asnjë arsye të qartë: “Mos më kërkoni asgjë. Ju dini atë që dini. / Prej tash e tutje nuk do ta çel më gojën.” Dhe pavarësisht kërcënimit të frikshëm të njërit prej robëruesve të tij (Torturat do të t’i çelin buzët”) ne nuk do ta dëgjojmë më asnjë rrokje nga ky “i poshtër djallëzor.”

Shekspiri e tundon audiencën e tij, herëpashere, i bën të duan t’ia shqyejnë shpirtin Jagos, ta shohin të shqyer ashtu që ai të mund të nxjerrë jashtë sekretet e tij. Shekspiri bashkëndan, pandeh unë, kureshtjen e sëmurë që njerëzit e kanë kur ballafaqohen me kufijt e diçkaje pafundësisht perverse. Sikur vetëm të mund të rroknim psikën që komandon një dashaligësi të tillë, i pëshpërisim ne vetes, atëherë ndoshta – është një iluzion, po ne prapëseprapë këmbëngulim ta kërkojmë dhe dëshirojmë – do të mund të njihnim avatarin e ardhshëm të së keqes, ta ndalnim para se të mbjellë sërish kaos dhe ligësi në udhën e tij. 

Natyrisht, pjesa më e madhe e torturës, në kohën e Shekspirit dhe në këtë të tonën, bëhet për qëllime më pak metafizike: së pari, si një mënyrë për të shkulur informacione nga i dyshuari, të detyrohet të rrëfejë fajin e tij, ta tradhtojë rrjetin e tij, të zbulojë dhe parandalojë mizoritë e ardhshme. 

Pavarësisht se Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut është adoptuar më 1948 (pika pesë e saj përcakton se “Askush nuk duhet të vihet nën torturë ose trajtim dhe ndëshkim mizor, jonjerëzor ose degradues”), pavarësisht traktateve dhe konventave të vazhdueshme që i nxjerrin të jashtëligjshme vuajtjet e tilla, pavarësisht se Asambleja e Pergjithshme e KB ka deklaruar njëzerit para dy dekadash se 26 qershori duhet të njihet si Dita Ndërkombëtare e Mbështetjes së Viktimave të Torturës, këto krime ndaj trupit dhe mendjes vazhdojnë të përligjen dhe justifikohen nga ideja se shpëtojnë jetë. 

Duket të mos ketë rëndësi se këtu ka dëshmi të pakundërshtueshme se tortura nuk funksionon. Donald Trump u zotua, gjatë fushatës së tij, të kthente torturën me ujë “dhe një mori gjërash të tjera të tmerrshme,” një pozicion që ai la të kuptohej se mund ta rishqyrtonte kur James N. Mattis, më pas Sekretari i Mbrojtjes i tij, ia shpjegoi se metodat e tilla janë të padobishme dhe kundërproduktive. Sidoqoftë, e gjithë që mund të fitojë është një sulm më të madh terrorist për të ringjallur keqtrajtimet e tilla. Një sondazh i fundit tregonte se pothuajse gjysma e amerikanëve aprovonin përdorimin e torturës nëse rezultati i saj ishte nxjerrja e informacioneve. 

Nuk dua të shikoj nga lart poshtë këto shumësi qytetarësh të keqdrejtuar dhe të trembur. E kuptoj panikun kolektiv prej të cilit rrjedh kjo verbëri ndaj dhimbjes së armikut, më vjen keq për etjen e tyre për një siguri totale dhe trishtmërisht të paarritshme. 

Para se t’i gjykojmë ata miliona njerëz, le të ndalemi pakëz të reflektojmë për reagimet tona, humanizmin tonë të papërsosur. Kur unë jam i përfshirë në emocionet e Otellos, i marrosur nga mbytja e pafajësisë dhe nga vrasja e fisnikërisë, edhe unë do të doja po ashtu të shihja Jagon të vuajë pa reshtur për mëkatet e tij. Dyshoj se të gjithë anëtarët e tjerë të audiencës bashkëkohore provojnë, si unë, siç provonin spektatorët në teatrin e Shekspirit, një ndjenjë të pahijshme kënaqësie duke imagjinuar dikë aq fort dhe aq dinakërisht të keq të torturohet pafalshëm. 

Në momente si këto, kur zihemi në kurth nga dëshira e larjes së hesapeve dhe hakmarrjes, duhet të kujtojmë të vërtetën e frikshme rreth Jagos: ai është njeri, krejtësisht njeri dhe gëzon, për arsye të rrethanave të thjeshta se është lindur, disa të drejta të patjetërsueshme. Përbindëshi që e planifikoi rrënimin e Otellos dhe Desdemonës së hirshme me pasionin e qëllimshëm të ftohtë të një vetëvrasësi me bombë – me të njëjtin arsyetim dhe indiferencë të shquar të një gjenerali që hedh megabomba mbi gra dhe fëmijë në largësi – ka rastisur, medet, të jetë pjesëtar i species sonë, një test i skajshëm lakmus i kësaj specieje. 

Vetëm kur të kemi guximin moral të deklarojmë se dikush si Jagoja, posaçërisht dikush i krisur si ai, nuk duhet të vihet në rrotën e torturës ose t’i shkulen gjenitalet, ose të detyrohet të hapë buzët dhe të bërtasë e të bërtasë, vetëm atëherë, vetëm kur të kuptojmë se lëndimi i trupit të tij ulëritës dhe të lig në atë mënyrë na degradon të gjithë neve, do të kemi përparuar njëmend drejt çrrënjosjes së murtajës së pashpirtësisë finoke nga faqja e dheut. 

Kam frikë se ajo ditë do të vonojë të vijë.

/Marrë nga Ariel Dorfman, ‘Homeland Security Ate My Speech’ , OrBooks, 2017

/Përkthimi: Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement