Ditari i javës/ John Steinbeck: 13 – 20 qershor 1938 - Gazeta Express
string(48) "ditari-i-javes-john-steinbeck-13-20-qershor-1938"

Arte

Gazeta Express

16/01/2026 16:08

Ditari i javës/ John Steinbeck: 13 – 20 qershor 1938

Arte

Gazeta Express

16/01/2026 16:08

John Ernst Steinbeck (1902 –1968), shkrimtar amerikan. Më 1962 ka fituar çmimin Nobel për Letërsi. Ditari që sjellim këtu është ditari i punës që ka mbajtur gjatë kohës sa po shkruante romanin ‘The Grapes of Wrath’ (Vilet e zemërimit)

Shënimi #13

13 qershor [1938]—11:40—e hënë

Po fillon një javë e re dhe në mënyrë të pafavorshme për mua. Mbrëmë ishim te Raysët dhe kam pirë tepër shampanjë. 

U mbajta bukur mirë, por nuk jam në gjendjen e esëllt siç do të doja. Sidoqoftë, do të përpiqem të ulem të punoj. Nuk jam i detyruar, ngase e kam një ditë të rikuperuar. Turli gjërash mund të ndodhin në rrjedhën e këtij libri, por unë nuk duhet të tregohem i lig. Duhet të bëhet kjo gjë. Dështimi i vullnetit qoftë edhe vetëm për një ditë ka një efekt shkatërrues për tërësinë, shumë më e rëndësishme se sa humbja e kohës dhe fjalëve. E gjithë baza fizike e romanit është disiplina e shkrimtarit, lëndës së tij, gjuhës. Dhe bukur trishtueshëm, nëse njëra prej këtyre disiplinave bie poshtë, atëherë atë e vuan ajo tërësi. Kjo paqartësi e imja e lehtë mund të jetë një reshtje në atë disiplinë. Ende nuk e di. Po në këtë moment kam për synim ta marrë vesh atë gjë. 

Shënim #14

14 qershor [1938]—11:30 [e martë]

Dje ishte ditë koti. Mund të isha munduar me zor, por ashtu do të kisha humbur rrjedhën e librit dhe do të mund të kishte qenë një pikë e dobët. Fatbardhësisht kisha një ditë për të humbur, por tash s’më duket kështu, derisa të kem siguruar një ditë tjetër rezervë, nuk mund të humb më asnjë tjetër. Ndoshta të shtunën do të përpiqem të shkruaj dy faqe. Por në këtë moment puna ime është të bëj punën time ditore dhe kaq. Epo, ia dola. Faleminderit Zotit. Stomakun ende nuk e kam mirë…

Shënim #15

15 qershor [1938]—11:15 [e mërkurë]

Sot nuk kam filluar herët, por nuk ka rëndësi fare, ngase ndjesia e unitetit më është kthyer. Kjo është gjë e bukur. Kjo e lehtëson dhe bën të këndshme punën. Sot është nxehtë. Jo tepër nxehtë, por mjaftueshëm, kështu që jam duke punuar me penjuarin më të lehtë dhe mund të bëj një banjë së shpejti. Letër nga Bethi këtë mëngjes rreth shkuarjes në Bass Lake. Letër nga Fred S. rreth punës së Dickut. 

Shpresoj ta marrë. I shkrova Pares dhe e luta ta mbështesë. Nuk e di nëse ai mund ta bëjë këtë vërtet. Do të isha i lumtur nëse Dicku e merr dhe më ndihmon edhe mua po ashtu. Tash, përkitazi me punën. Sot makinat e përdorura, njerëzit dhe metodat e shitjes, mashtrimet, profitet, pazaret. (Kapitulli 7, në vëllim). Mendoj se mund t’ia dal mbanë. Duhet të jetë i mirë, i përgjithshëm dhe i ashpër. Do të më marrë vetëm një ditë pune. Një kapitull i shkurtër. Duhet të ketë ndjesinë e vendit të shitjes. Duhet të ketë ndjesinë e mashtrimit. Makina, kamionë, rimorkio. Shkojmë pra. E kreva dhe mendoj se është mirë. Ndihem mirë për këtë, sidoqoftë.

Shënim #16

16 qershor [1938]—11:15 [e enjte]

Erdhi tash – dita e pesëmbëdhjetë. Nëna e Charley Cushmanit ka mbetur e vdekur në një aksident. Mbrëmë Carolas, duke lexuar Tristram Shandin, befas i ra në kokë të përpilonte testamentin e saj. E kopjoi timin si formë. Nuk shoh çfarë lidhjesh kanë – T.S. dhe testamentet. Thjesht një propozim biznesi dhe një gjë e mirë për të bërë, por sidoqoftë m’u shfaq në ëndrrat që së fundmi kanë qenë të thella dhe të qeta dhe pashë ëndërr një pështjellim të vërtetë të shkaktuar nga babai dhe dështimet e tij, nga unë dhe dështimet e mia. në njëfarë mënyre ndërlidhet me dyqanin. Babai i shkretë nuk mund të mbante një dyqan, nuk dinte se si. Unë e kisha zakon të haja torta në vaktin e mesditës dhe më vinte marre të shisja gjëra. Nuk kishim aftësi shitëse asnjëri prej nesh, dyqani dështoi dhe i la një shenjë të tmerrshme babait. 

Kjo ishte e gjithë në ëndërr dhe në vdekjen e Genes. Ishte një pështjellim i zi dhe unë e kisha të vështirë ta përbiroja. Dhe lajmi tash është kaq i pakuptimtë, i çmendur. Gara për drejtuesit e saj zor se e meriton të mbijetojë. Dhe tash jam i gatshëm të punoj, jam i lumtur të futem në jetët e të tjerëve dhe të shpëtoj nga e imja për një copë kohë. Dje parkingu i makinave të përdorura dhe sot Tomi dhe Casy do të kthehen në shtëpi të familja, nëse ia dalin mbanë (fillimi i Kapitullit 8). 

Duhet të shkoj ngadalë dhe të paraqes këta njerëz në plotësi dhe me kujdes, se do të jem me ta për një kohë të gjatë. Pasi që kemi harxhuar gati shtatë mijë dollarë që të jenë vetëm dhe të qetë, fqinjët mbajtën ndezur radion e tyre gjithë ditën e lume dhe unë ia pashë hairin. Carol mund t’i dëgjojë ata duke ia lexuar njëri-tjetrit letrat. Mund të detyrohemi të largohemi nga ky vend i bukur. Kjo është një ditë kur unë me gjithë qejf do ta humbisja veten pas reflektimesh të parëndësishme dhe padish, kështu që tani mund të ulem të punoj dhe t’i jap fund një mundësie të atillë. Ky libër nuk mund të ndalet më dhe ky kapitull duhet të shkruhet. Ja, u krye. Ngadalë, por mendoj se ka dalë bukur. Vetë doja të ishte e ngadalshme kjo pjesë. Nesër do të jetë vështirë.

Shënim #17

17 qershor [1938]—11:15 [e premte]

Kjo ka nisur të bëhet pothuajse një kohë standarde për fillimin e punës. Mbrëmë të kruara, nervozizëm djegës dhe pa gjumë deri në orën 3. Ndoshta kafeja. Shpresoj të mos më jenë dobësuar nervat, ngase i pret një ditë e gjatë. Dok Bolini ishte dje këtu. Njeri i mirë. Do të shkojë në një udhëtim koleksionimi në detet e jugut dhe është shumë i eksituar në lidhje me këtë. do ta takoj në Honolulu në muajin shkurt. Do të doja të shkoja, por nuk dua ose nuk mundem ose diçka e tillë. Tash ca referenca rreth punës së sotme. Nisa përshkrimin e hollësishëm të familjes me të cilën do të jetoj për katër muaj. Mund të marrin kohë përshkrimi, detajet, shikimet, rrobat, gjestet. Mamaja shumë e rëndësishme. Xha Johni i rëndësishëm. Babai shumë. Në të vërtetë të gjithë janë të rëndësishëm. Më duhet ta marr shtruar. Nuk ma ndien sa gjatë do të dalë (në vëllim, Kapitulli 8). Duhet t’i njohim këta njerëz. Të njohim shikimet dhe natyrën e tyre. E tash, hajt t’i përvishemi punës. Pjesa e mbetur e rreshtit për komentet pas punës. I përfundova. S’e di sa mirë. Nesër do të më duhet ta luftoj fuqinë time të vullnetit. 

Shënim #18

18 qershor [1938]—9:45 [e shtunë]

Është e shtunë, jemi ngritur herët dhe unë u ula të punoj herët. Nuk shoh asnjë arsye që të mos punoj tërë ditën. (në vëllim, 2.000 fjalë). Kjo është një punë e madhe. Veç sikur të mund të kryeja këtë libër siç duhet, atëherë do të jetë një prej atyre librave njëmend të bukur dhe përnjëmend amerikan. Por jam i kapluar nga injoranca dhe paaftësia ime. Do të më duhet të punoj nga një prapavijë e këtyre. Ndershmërisht. Sikur të mund të vazhdoja ndershmërisht, kjo është e gjitha që mund të pres nga truri im i shkretë – kurrë mos e zbut një fjalë për shkak të paragjykimit të lexuesit, por përpunoje si stukon që ai ta kuptojë. Nëse mund ta bëj këtë, atëherë do të jetë e gjithë ajo që mund të prodhojë mungesa ime e dhuntisë. Se askush tjetër nuk e njeh mungesën time të zotësisë si e njoh unë. Po përpiqem a bëjë këtë gjithë kohës. Nganjëherë, më duket se po bëj një pjesë të mirë të punës, por pastaj pasi mbaron rrëshqet në mediokritet. Dita doli mirë – mamaja, Floydi i hirshëm, gjyshi dhe gjyshja dhe ndoshta Noah. Nuk mund të them nëse do të arrij te Noah. Hajde në punë tash. Mirë, u krye dhe më ka kaluar pija – një ditë përpara (në vëllim, Kapitulli 8). Përpiqu të përfundosh një tjetër të shtunën. Shikoji njerëzit në moshë. Mund të dalë duarsh, por i dua të mbrapshtë dhe argëtues. 

Shënim #19

19 qershor [1938]—(e diel, s’ka punë sot)

Znj. Gragg, Julia dhe [emër i padeshifrueshëm] erdhën. Pata ndjesinë e pashqitshme të trishtë se s’do të shihja kurrë më znj. Gragg. Ajo na rrëfeu historinë më të bukur në botë – udhëtimet e Josh Billingsit. 

Më duhet ta shkruaj këtë ndonjëherë. 

Shënim #20

20 qershor [1938]—11:15 [e hënë]

Javë e re. Më duhet të ngadalësoj dhe ta marr shtruar. Të shtunën kisha një ndjesi rraskapitjeje afër kolapsit. Ma ha mendja se e kam tepruar me punën. Nuk është çështja te sasia e punës, por tek energjia fizike që disi çon drejt asaj që duket se bën dallimin. Më duhet ta marr një çikëz më shtruar ose s’do të arrij ta përfundoj. Kam vetëm një faqe e pak nga 100 faqet e daktilografuara, nga ato 600 sosh sa janë. Kam pesë herë më shumë punë për të bërë se sa ajoqë kam bërë tashmë, kështu që më duhet të ruaj fuqitë, ngase dua ta shkruaj këtë roman dhe ta përfundoj këtë herë. Nuk duhet të kem ndjesi fatale rreth tij. Ndryshim nga Shawnee në Sallisaw (në vëllim, Oklahoma). Ta bëj tokën të kuqe, jo të përhimtë – dhe mbi të gjitha më duhet të kem kohën e mjaftueshme. Kjo është më e rëndësishmja. Ta marr shtruar. Nuk kam ndërmend të shkruaj më pak ose më pak fuqishëm, por të mbaj cilësinë frenetike larg qasjes sime. Epo, koha për të punuar tash. Tash puna ditore u krye. Lutësit dhe Al kthehen në shtëpi (në vëllim, fundi i Kapitullit 8). Nesër shorti i gjërave që duhet bërë dhe kjo duhet të bëhet mirë. Mendoj se do të luaj Mjellmën së pari, ngase edhe aty ka një humbje të një gjëje të dashur në të kaluarën. Mendoj se do ta bëj këtë. Beth do të vijë nesër dhe sapo e ka bërë këtë. Pikërisht këtë. I ka ndrequr zbukurimet e jetës së saj të vdekur. Kështu libri shkon tutje pandërprerë, fuqishëm dhe ngadalë – duhet të vazhdojë të lëvizë ngadalë. Sa më pëlqen. Darkë me Luois dhe Mary, sonte. Tash, në mendime. Nesër duhet të jetë poezia. 

Shënime:

Shënim #13 Shampanjë. Martin Ray kishte vazhduar traditën e Paul Massonit të shampanjës dhe verërave shkumuese, një fakt ende i gjallë te Steinbecku abstenues, i cili vërente efektet e tyre të rënda në margjinën e majtë të shënimit të tij: “Nuk po mund të përqendrohem” dhe “NUK KA PUNË “. I duhej edhe një ditë më shumë për të kompletuar Kapitullin 6. 

Shënim #15 Beth. Elizabeth Ainsworth, motra e Steinbeckut. Mes viteve 1933 – 1938 njëri prej bijve të tij, babai, nëna dhe i shoqi i saj, kishin vdekur. 

Shënim #16 Tristram Shandy. The Life and Opinions of Tristram Shandy, Gentleman (1767), roman i Laurence Sterne (1713-1768). 

Dad. Më 1910 ose 1911 babai i Steinbeckut, John Ernst Steinbeck (1862— 1935), kishte hapur një dyqan drithërash.  

Shënim #17 Doc Bolin. Dr. Rolf Bolin (1901-1973), iktiolog, oqeanograf dhe drejtor asistent në Stanford’s Hopkins Marine Station.

Shënim #20 The Swan. Baleti i kompozitorit rus Peter Çaikovskit (1876). Steinbecku nganjëherë shkruante romanet e tij nën ndikimin e muzikës, posaçërisht në fillim të secilës javë të punës, ose pas pauzave në shkrimin e tij. 

/Marrë nga John Steinbeck, ‘Working Days – The Journals of The Grapes of Wrath 1938-1941’, Penguin, 1990

/Përkthimi: Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement