Bekim Blakaj nga Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka vlerësuar se paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të tjerë shtetërorë për ngritjen e një padie për gjenocid ndaj Serbisë kanë qenë kryesisht deklarative dhe të orientuara për konsum të brendshëm politik, pa veprime konkrete që do të dëshmonin përgatitjen reale të një procesi të tillë.
Blakaj theksoi se deri më tani nuk ka asnjë indikator serioz që Kosova po përgatit një padi për gjenocid, duke nënvizuar pengesat thelbësore juridike dhe institucionale.
Sipas tij, pengesa kryesore është mungesa e ulëses së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, çka e pamundëson paraqitjen e drejtpërdrejtë të padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).
“Jo vetëm kjo Qeveri, por edhe përfaqësues të tjerë të shtetit kanë paralajmëruar padi për gjenocid ndaj Serbisë dhe kjo ka qenë më shumë për konsum të brendshëm politik, sepse jemi dëshmitarë edhe sot se nuk kemi parë asnjë veprim që na bën me besu se është duke u përgatitur një padi ndaj Serbisë”, ka deklaruar Blakaj për FrontOnline.
Ai shtoi se, përveç statusit ndërkombëtar të Kosovës, nuk ka të dhëna se është punuar seriozisht në mbledhjen e provave dhe ndërtimin e një rasti të qëndrueshëm juridik.
“Në rend të parë ka barriera të ndryshme, një ndër to është se Kosova nuk ka ulëse në OKB dhe si e tillë nuk është palë para GJND-së, pra ajo është e vetmja adresë”, u shpreh ai.
Ai përmendi rastet e Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë, paditë e të cilave kundër Serbisë për gjenocid nuk patën sukses.
“Nga përvoja e Kroacisë dhe Bosnjës, mund të jetë kundër-produktive, siç ishte ajo e Bosnjës e cila e ka paditur Serbinë për gjenocid dhe kjo padi nuk kishte kaluar, ashtu siç nuk kishte kaluar as ajo e Kroacisë”, tha Blakaj.
Sipas tij, një dështim eventual i Kosovës në një proces të tillë do të mund të shfrytëzohej nga Serbia si argument politik dhe juridik.
“Kishte qenë mirë me u marrë përvojë nga këto vende dhe me u përgatitur mirë, sepse po dështoi, ajo mund të përdoret si argument i Serbisë se në Kosovë s’ka pasur gjenocid”, tha ai