Five Guys nuk është zakonisht zgjedhja e parë kur kërkohet një vakt i shëndetshëm dhe i balancuar, por risia e tyre më e fundit – një burger pa bukë, i mbështjellë me gjethe sallate – synon t’u vijë në ndihmë atyre që duan të humbin peshë këtë janar.
Zinxhiri i ushqimit të shpejtë ka lançuar një hamburger pa simite, me më pak se 250 kalori, i menduar posaçërisht për përdoruesit e barnave GLP-1 dhe për konsumatorët që synojnë rënien në peshë. Sipas kompanisë, ky opsion përmban rreth 24 gram proteina.
Shefi ekzekutiv i Five Guys Europe, John Eckbert, tha se wrap-i me sallatë është “kombinimi perfekt i shijeve të freskëta dhe kënaqësisë pa ndjenja faji, duke treguar se nuk ke pse sakrifikon shijen për të qëndruar në vijë”.
Produkti i ri promovohet së bashku me Coca-Cola Zero Sugar dhe synon konsumatorët që i kushtojnë rëndësi kalorive, duke zgjedhur shtesa më ushqyese si qepa dhe domatja, në vend të karbohidrateve të rafinuara. Five Guys beson se paketa prej 10 paundësh ndihmon klientët të arrijnë më lehtë nevojat ditore për proteina, duke ulur sheqerin e shtuar, pa kompromentuar shijen.
Për të kuptuar nëse ky kombinim është vërtet një zgjedhje ushqyese për njerëzit më të kujdesshëm ndaj shëndetit, u kërkua mendimi i nutricionistit të licencuar dhe autorit të The Low Appetite Cookbook, Rob Hobson.
“Burgeri i mbështjellë me sallatë shpesh paraqitet si një zgjedhje ‘më e shëndetshme’ dhe, nga ana ushqyese, ka disa avantazhe – është i pasur me proteina dhe më i ulët në kalori dhe karbohidrate të rafinuara sesa një burger standard,” shpjegon ai. “Kjo mund t’u përshtatet atyre që mbajnë dietë në janar dhe disa përdoruesve të barnave GLP-1.”
Aktualisht mendohet se rreth 2.5 milionë persona përdorin injeksione për humbje peshe të tipit GLP-1, si Wegovy dhe Mounjaro. Këto barna imitojnë hormonet që çlirohen pas ngrënies dhe rrisin ndjesinë e ngopjes, duke ulur oreksin. Si pasojë, shumë përdorues kërkojnë ushqime me pak kalori, por të pasura me lëndë ushqyese, që ndihmojnë edhe tretjen.
Për të humbur peshë gjatë përdorimit të këtyre barnave, është e nevojshme të ruhet një deficit kalorik – pra të digjen më shumë kalori sesa konsumohen – çka shpjegon pse Five Guys ka zgjedhur sallatën në vend të bukës dhe një pije pa kalori.
Megjithatë, Hobson paralajmëron se vetë qoftja e mishit mund të krijojë probleme me tretjen. “Proteina është thelbësore, sidomos kur oreksi është i ulur, por një burger nuk është mënyra e vetme, as domosdoshmërisht më e mira, për ta marrë atë,” thotë ai. “Ka shumë burime më të shëndetshme dhe më lehtë të tretshme të proteinave, me më pak yndyrë dhe më shumë larmi ushqyesish.”

Sipas udhëzuesit ushqyes të Five Guys në Mbretërinë e Bashkuar, një qofte klasike viçi përmban rreth 14 gram yndyrë, nga të cilat 5.6 gram janë yndyra të ngopura. Ndërsa një sasi e vogël yndyre është e nevojshme për një dietë të shëndetshme, konsumimi i tepërt i yndyrave të ngopura rrit kolesterolin “e keq”, duke shtuar rrezikun për infarkt dhe goditje në tru.
Udhëzimet e NHS rekomandojnë që burrat të mos konsumojnë më shumë se 30 gram yndyra të ngopura në ditë, ndërsa gratë jo më shumë se 20 gram.
Hobson shton se, ndonëse Five Guys ofron disa shtesa që rrisin pak vlerën ushqyese, opsionet e perimeve janë “mjaft të kufizuara dhe përgjithësisht të varfra në fibra dhe mikronutrientë”. “Sallata, domatja dhe turshitë shtojnë freski, por nuk e rrisin ndjeshëm vlerën ushqyese siç do ta bënin perime më të plota, bishtajore apo drithëra integrale,” shpjegon ai.
Për përdoruesit e GLP-1, tretja është veçanërisht e rëndësishme, pasi këto barna ngadalësojnë zbrazjen e stomakut. “Edhe pa bukë, një qofte burgeri mund të ndihet e rëndë ose të shkaktojë të përziera për disa persona, sidomos nëse ka shumë yndyrë,” thotë Hobson. “Për disa mund të funksionojë herë pas here, nëse hahet ngadalë dhe thjesht, por nuk është automatikisht ‘miqësore me GLP-1’ vetëm sepse është me pak karbohidrate.”
Në përfundim, ai thekson: “Është padyshim një zgjedhje më e mirë sesa një burger i plotë me patate të skuqura, por nuk duhet ngatërruar me një vakt ushqyesisht të plotë.”
Nutricionisti shton gjithashtu se fakti që Coca-Cola Zero Sugar nuk përmban sheqer të shtuar nuk do të thotë se është e shëndetshme. Studime të fundit kanë lidhur konsumimin e rregullt të pijeve me ëmbëlsues artificialë, si aspartami, me rreziqe për zemrën dhe trurin, ndërsa kërkime të reja sugjerojnë se doza të larta mund të ndikojnë edhe në plakjen e trurit dhe ngurtësimin e zemrës.
Five Guys është vetëm një nga shumë prodhuesit ushqimorë që po zgjerojnë ofertat për përdoruesit e barnave për dobësim. Së fundmi, Marks & Spencer prezantoi një linjë produktesh “të pasura me lëndë ushqyese”, të porcionuara posaçërisht për këtë grup konsumatorësh.
Megjithatë, vazhdojnë të ngrihen pikëpyetje për efektet anësore të barnave GLP-1, si të përziera, të vjella, dëmtime të kockave apo organeve, të cilat mund ta vështirësojnë marrjen e mjaftueshme të vitaminave dhe mineraleve. Madje, ekspertët paralajmërojnë se shumë përdorues mund të detyrohen t’i përdorin këto barna për një kohë shumë të gjatë, pasi studimet tregojnë se pesha e humbur rikthehet shpejt pas ndërprerjes së tyre. /GazetaExpress/