Këtë të premte, prej orës 19:00 vazhdon seria e shfaqjeve Armata Klasike, me filmin klasik i zhanrit screwball comedy – ‘His Girl Friday’ i regjisorit Howard Hawks.
Filmi ndjek historinë e Hildy Johnson, një gazetare shumë e zonja, e cila dëshiron të largohet nga gazetaria dhe nga ish-burri i saj, Walter Burns, redaktor i një gazete sensacionaliste. Walter, manipulues dhe karizmatik, përpiqet me çdo mënyrë ta mbajë Hildyn pranë vetes dhe në gazetë, duke e përfshirë në mbulimin e një çështjeje kriminale shumë të bujshme. Dialogët janë jashtëzakonisht të shpejtë dhe plot humor, gjersa filmi trajton etikën e medias, ambicien profesionale dhe marrëdhëniet gjinore.
Regjisori: Howard Hawks
Howard Hawks është një nga regjisorët më të rëndësishëm të kinemasë klasike amerikane. Ai ishte i njohur për shkathtësinë e tij në shumë zhanre, nga komedia dhe film noir deri te western dhe aventura. Hawks ishte mjeshtër i dialogjeve të shpejta dhe personazheve të forta.