Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës (PLA) ka testuar së fundmi një konfigurim të ri të këmbësorisë me më shumë armë gjatë stërvitjeve, ndërsa një fotografi virale nga fillimi i janarit ka tërhequr vëmendje të madhe në internet. Në imazh shihet një ushtar i PLA-së i pajisur me pushkën Type 191, saçmaricën 09, një hedhës raketash dore si dhe një dron kuadkopter, çka i ka sjellë nofkën “superushtari kinez”, shkruan Defence Blog.
Sipas mediave kineze, përfshirë Observer Network, fotografia vjen nga një artikull i publikuar në llogarinë zyrtare “Junwu Ciweimian”. Kombinimi i pazakontë i armëve ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku përdoruesit kanë komentuar me humor se ushtari duket si “lojtar që ka paguar për burime shtesë” dhe se “i mbulon vetë misionet e distancës së largët, luftës së afërt, kundërajrore, kundërtanke dhe zbulimit”.
Observer Network thekson se një konfigurim i tillë mbetet ende i rrallë brenda PLA-së. Historikisht, këmbësoria kineze ka qenë e pajisur kryesisht me një armë standarde, ndërsa në disa raste edhe me hedhës raketash. Madje, sipas artikullit, më shumë se një dekadë më parë kishte debat se pse këmbësorët nuk pajiseshin as me pistoleta. Sasia e armëve të shfaqura në këtë rast cilësohet si e rrallë edhe për lojërat online.
Artikulli “Junwu Ciweimian” shpjegon se kompleti standard luftarak për këmbësorinë moderne zakonisht përfshin 150 deri në 210 fishekë, sasi e mjaftueshme për zjarr të kontrolluar. Megjithatë, përvojat nga konfliktet e fundit në Afganistan, Irak dhe lufta në Ukrainë tregojnë se ushtarët shpesh mbajnë mbi 300 fishekë për t’u përballur me kushtet komplekse të fushëbetejës.
Mbajtja e dy armëve zjarri përbën tashmë një barrë të konsiderueshme për këmbësorinë, sidomos për shkak të pajisjeve shtesë moderne si optika, shtypësit e zërit dhe dorezat e përparme. Shtimi i municionit e rrit edhe më tej peshën dhe vështirësinë e lëvizjes gjatë luftimeve.
Në fokus të veçantë është edhe lufta kundër dronëve. Sipas raportit, ndryshimet e fundit në brigadat e përbashkëta të PLA-së kanë zgjeruar përdorimin e kombinimeve të ndryshme të armëve. Saçmaricat, që më herët përdoreshin kryesisht për luftim në distancë të afërt, tani po shihen si mjet efektiv për misione kundër dronëve. Saçmarica 09 vlerësohet veçanërisht për mundësinë e mbushjes pa karikatorë të veçantë dhe për kundakun e palosshëm, duke e bërë atë armë praktike dytësore.
Teksti përmend gjithashtu përpjekjet e mëparshme të PLA-së për të testuar armë dhe hedhës rrjetash kundër dronëve, por përvoja nga lufta Rusi–Ukrainë ka treguar se këto sisteme kanë pasur efikasitet të kufizuar krahasuar me taktikat fleksibile që bazohen te saçmaricat. /Index