‘Helmi’ që bie nga qielli por nuk e mat askush - Gazeta Express
string(44) "helmi-qe-bie-nga-qielli-por-nuk-e-mat-askush"

Lajme

Gazeta Express

15/01/2026 12:50

‘Helmi’ që bie nga qielli por nuk e mat askush

Lajme

Gazeta Express

15/01/2026 12:50

Shiu acidik, i cili funksionon si vegëz që lidh ajrin e ndotur, tokën dhe ushqimin mbetet i pamatur, i papublikuar, dhe në shumë aspekte i paadresuar. Fermerët e vërejnë ndryshimin çdo sezon. Institucionet thonë se “mund të ketë” ndikim përderisa publiku nuk ka asnjë mekanizëm paralajmërimi.

Selamir Qerimi

Për 25 vjet me radhë, Njazi Shabani ka parë tokën e tij të ndryshojë vazhdimisht por pa ditur se çka po ndodh me të.

“I kam afër 30 ari. Toka ka ndryshuar krejt. Përpara ka qenë e zezë, e lagësht, e frytshme. Tash është e thatë, e fortë, duhet me e ushqy me plehra veç me mbajt gjallë,” thotë ai.

Bujku nga Obiliqi, ndryshimet i vëren edhe në produktet të cilat i kultivon në arat që ndodhen vetëm pak metra nga tymtarët e KEK-ut.

“Kur bie shi, dalin disa pika të verdha te specat,” shton ai, derisa flet për fenomenin që i referohet si “basra”, e që realisht përkon me atë që shkenca e njeh si shi acidik.

Sipas tij, toka është tharë, është bërë më e butë dhe humb më shpejt cilësitë.

Të njëjtin shqetësim e ka edhe një fermer tjetër nga Millosheva e Obiliqit, Milazim Osmani, i cili në 9 ari tokë ka të mbjella perime si speca, domate dhe tranguj.

Ai thotë se, prej disa vitesh, ka parë një ndryshim drastik në prodhueshmërinë dhe shëndetin e perimeve të tij. Ky ndryshim ka kërkuar një rritje dramatike të përdorimit të plehrave artificialë dhe pesticideve.

“Pa pleh artificial, nuk mund të mbash më asgjë në këto 9 ari. Toka ka nevojë për ushqim të vazhdueshëm sepse i ka humbur pjellorinë. Normal, sa ma shumë pleh të blesh, aq ma shumë ke shpenzime, pastaj kjo ndikon që na me i rrit edhe çmimet për blerësit,” thekson ai.

Dhe krejt kjo nuk është thjesht një shqetësim lokal, bëhet fjalë për një zinxhir të heshtur ndotjeje që fillon në ajër, bie me shi, futet në tokë, kalon në bimë dhe përfundon në ushqim. Kjo dukuri në Kosovë kalon pa u filtruar, pa matje, rrjedhimisht dihet fare pak për të.

Shirat acidikë – rrezik i njohur, por i pamonitoruar

Shiu zakonisht lidhet me freski dhe pastërti por jo gjithmonë është kështu. Ndonjëherë, ai bart me vete grimca ndotjeje që nuk duken me sy. Kur fabrikat dhe makinat lëshojnë gazra në ajër, ato ngrihen lart dhe përzihen me retë, duke krijuar një shi më të pazakontë – i njohur si shiu acidik.

Shpjegimin shkencor për të e jep profesori Faruk Foniqi, sikurse edhe ndikimin direkt që ka në tokën dhe produktet që kultivohen në të.

“Shiu acidik që formohet nga emetimet e KEK-ut (oksidet e squfurit dhe azotit) ndryshon gradualisht, por thellësisht, vetitë gjeokimike të tokës bujqësore. Këta gazra, pasi reagojnë në atmosferë, shndërrohen në acide (kryesisht acid sulfurik dhe nitrat) dhe bien në tokë duke rritur përqendrimin e joneve hidrogjen (H⁺). Si pasojë, pH-ja e tokës ulet dhe toka bëhet më acidike. Në disa lloje tokash, kjo ul edhe aftësinë shkëmbyese të kationeve (CEC), pra kapacitetin e tokës për të mbajtur dhe për t’ua dhënë bimëve elementet ushqyese”, sqaron profesori Foniqi.

Ndikimin që ka KEK-u në ndotjen kimike të këtij shiu e ilustron hap pas hapi edhe profesori Imer Rusinovci.

“Shiu acidik i shkaktuar nga emetimet e KEK-ut (SO₂ dhe NOₓ) ndikon drejtpërdrejt në disa veti gjeokimike thelbësore të tokës bujqësore, duke ndryshuar mënyrën se si toka ruan dhe u ofron bimëve lëndët ushqyese. SO₂ dhe NOₓ oksidohen në atmosferë duke formuar acid sulfurik (H₂SO₄) dhe acid nitrik (HNO₃). Këto acide e Ulin pH-në e tokës (e bëjnë më acidike) dhe rrisin përqendrimin e joneve H⁺ në tokë. Për pasojë shumë lëndë ushqyese bëhen më pak të disponueshme dhe disa metale toksike (Al, Mn) bëhen më të tretshme dhe arrijnë përqendrime të dëmshme”, shpjegon ai.

KEK nuk është përgjigjur në pyetjet rreth çështjes.

Kush duhej ta dinte – dhe nuk e di?

Shkencërisht, gjithçka është e qartë edhe kur flitet për procesin se si krijohet ky shi i ndotur kimikisht, por edhe ku në diskutim janë pasojat e rreziqet. Ajo që mungon janë matjet që do ta bënin të qartë edhe për institucionet.

Instituti Hidrometeorologjik thotë se nuk e bën këtë lloj matjeje. Sipas tyre, nuk ka stacione matëse, as paralajmërime e as publikime.

“IHMK nuk bën matjen e reshjeve acidike. IHMK bën mbledhjen e mostrave të ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore. Këto mostra sillen në laborator dhe analizohen parametrat fizikë dhe kimikë. Rezultatet mund të tregojnë që përbërja kimike e këtyre mostrave të japë indikacion që mund të jenë të ndikuara edhe nga reshjet e acidifikuara”, sqarojnë ata shkurtimisht përmes një përgjigje.

Të njëjtit deklarojnë se kanë synim të forcojnë kapacitetet në të ardhmen.

“IHMK bashkëpunon me institucione të ndryshme, por jo në mënyrë direkte për tematikën tuaj. IHMK synon që në të ardhmen të ngritë infrastrukturën përkatëse për monitorimin e reshjeve acidike si dhe me ngritjen e kapaciteteve humane që do të mbulonin këtë fushë. Po, ne kemi stacione për monitorimin e cilësisë së ajrit në komunat më të prekura nga ndotja industriale”, thuhet më tej nga ta.

Në anën tjetër, as Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) nuk ka raporte mbi ndikimin e shiut acidik në tokë dhe i lë këtë përgjegjësi Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nuk posedon raport hulumtimi dhe as ndonjë dokument që i trajton efektet e shirave acidike në tokën bujqësore. Trajtimi i efektit të shirave acidik në mjedis, duke përfshirë edhe tokën bujqësore është kompetencë dhe mandat i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në përgjigjen e MBPZhR-së, derisa në anën tjetër, dikasteri tjetër qeveritar – Ministria e Mjedisit – nuk kanë fare përgjigjje.

Se nuk është kryer asnjë matje, anketë apo hulumtim mbi ndikimin e ndotjes industriale në tokat bujqësore, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e pohojnë edhe vet ata.

“Deri tani, Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka zhvilluar anketa ose matje që shqyrtojnë ndikimin e ndotjes industriale në tokat bujqësore. Megjithatë, mund të ekzistojnë studime të kryera nga organizata të pavarura që trajtojnë këtë çështje, por ato nuk janë pjesë e të dhënave të ASK. Me MBPZHR kemi bashkëpunim. Lidhur me bonitetin dhe ndotjen e tokës bujqësore mund të ketë MBPZHR informacione”, thuhet në përgjigjen e ASK-së.

Përderisa ekziston ky boshllëk në informacion, me të bashkëjetojnë edhe shqetësimet e fermerëve.

Faton Ramadani nga Drenasi është një tjetër fermer që thotë se asnjë institucion nuk ka bërë deri më tani ndonjë vlerësim për ndikimin e ndotjes industriale në tokat bujqësore dhe në mjedisin e përgjithshëm të kësaj zone.

“Ndotësin kryesor e kemi Ferronikelin. Deri tash, askush as prej komunës e as prej qeverisë nuk ka ardhë me na bo matjen e cilësisë së tokës ose me marrë mostra për analiza”, thotë ai.

As Feronikeli, as komuna e Drenasit nuk janë përgjigjur në pyetjet rreth çështjes.

Edhe pse nuk ndjejnë menjëherë ndikimin e ndotjes, Ramadani thekson se analizat e tokës do të tregonin qartë dëmet te prodhimi

“Na vazhdojmë punën njëjtë, nuk vërejmë menjëherë që kemi shumë ndikim nga ndotja, ama nëse do të kishim pasur matje dhe analiza të tokës, do të shihnim qartë çfarë po ndodh dhe si po e dëmton prodhimin tonë,” thotë ai.

Shqetësimin për mungesën e matjeve dhe analizave e përforcon edhe Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës.

Tahir Tahiri, kryetar i saj, thotë se pasojat e ndotjes industriale ndikojnë drejtpërdrejt në aktivitetin e fermerëve.

“Termocentralet ndikojnë në ndotjen e ajrit dhe për pasojë të kësaj për rreth këtyre ndotësve kemi më shumë paraqitje të sëmundjeve të ndryshme të kulturave bujqësore. Pluhuri i këtyre ndotësve që lëshojnë nëpërmjet tymtarëve të reshurat e bëjnë tokat të ndotura dhe kështu ndikojnë në rritjen e aciditetit të tokave”, shprehet ai.

Megjithë ankesat, as Feronikeli dhe as Komuna e Obiliqit nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me pyetjet nëse kanë ndonjë plan apo iniciativë për rehabilitimin e tokave të prekura, apo për ngritjen e vetëdijes publike mbi këto çështje.

Tokat e sotme, harta e vitit 2012

Të dhëna zyrtare megjithatë ka për tokën bujqësore që Kosova po e humb vit pas viti.

Vetëm nga 2023-ta në 2024-ën, sipërfaqja e shfrytëzuar ka renë me rreth 456 hektarë. Kurse të dhënat për vitin 2025, ende nuk janë publikuar.

Megjithatë, këto shifra nuk tregojnë asgjë për atë që është vërtet thelbësore: cilësinë dhe shëndetin aktual të kësaj toke.

Cilësia e tokës bujqësore në Kosovë zyrtarisht matet sipas bonitetit. Klasifikimi i bonitetit të tokës, i kryer në periudhën 2010–2012 dhe i përfshirë në Udhëzimin Administrativ 02/2012, është dokumenti i fundit në fuqi. Pas më shumë se një dekade ndotjeje industriale të pandërprerë, asnjë përditësim nuk është kryer.

Një hartë e tillë pas më shumë se një dekade është praktikisht jofunksionale sipas profesorit të Gjeografisë, Faruk Foniqi, i cili shton se Kosova ka nevojë urgjente për një data-bazë të përditësuar të bonitetit të tokës.

“Mungesa e të dhënave të përditësuara e bën të vështirë të kuptohet shtrirja reale e problemeve si acidifikimi, ndotja me metale të rënda apo humbja graduale e pjellorisë. Pa një data-bazë funksionale të bonitetit, institucionet nuk janë në gjendje të ndjekin ndryshimet në kohë, të vlerësojnë ndikimin e politikave ekzistuese dhe as të planifikojnë masa efektive për mbrojtjen e tokës në të ardhmen”, sqaron Foniqi.

Se kjo databazë ka rëndësi substanciale, për menaxhimin e qëndrueshëm të tokës dhe bujqësisë në Kosovë, e konfirmon edhe profesori Imer Rusinovci.

“Një data-bazë e përditësuar, e standardizuar dhe e besueshme e bonitetit të tokës është një nga mjetet më strategjike që një vend si Kosova mund të ketë për menaxhimin e tokës, bujqësisë dhe planifikimit hapësinor. Kjo sepse toka është burim jo i rinovueshëm, ndërsa presionet nga urbanizimi, ndotja dhe ndryshimet klimatike po rriten”, shpjegon ai.

Obiliqi, përballja lokale me ndotjen

Ndërsa niveli qendror mbetet i ndarë dhe pa iniciativa konkrete, në nivel lokal fillojnë të shfaqen lëvizje.

Komuna e Obiliqit, epiqendra e ndotjes nga KEK-u, tregon se po përpiqet të reagojë ndaj ditëve me ndotje të lartë, duke përdorur rrjetet sociale dhe shkresat zyrtare.

“Po, ekziston Raporti i Monitorimit Mjedisor i Komunës. Informacioni mbi matjet e shirave acidikë nuk është përfshirë në raportin aktual. Deri me tani nuk ka pasur ankesa nga fermerët. Komuna ka reaguar në ditët kur janë regjistruar shkarkime të mëdha të pluhurit dhe gazrave, duke përdorur rrjetet sociale dhe shkresat zyrtare për të informuar dhe koordinuar veprimet. Komuna po zhvillon bashkëpunim për të adresuar ndikimet mjedisore”, thuhet në përgjigjen e datës 30.09.2025 të Komunës së Obiliqit.

Sipas komunës, hapi më i rëndësishëm është bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile për të parë ndikimin e ndotjes në tokë dhe për të planifikuar rehabilitimin.

“Komuna mbështet fermerët përmes subvencioneve. Aktualisht, brenda këtij muaji kemi nisur bashkëpunim me organizatat CEO dhe IRN LL.C për të vlerësuar ndikimin mbi tokat bujqësore dhe jemi në proces të zhvillimit të masave për rehabilitimin e tyre. Pas përfundimit të vlerësimit nga raporti mbi tokat e ndotura, do të nxirren zonat më të rrezikuara brenda territorit të Komunës”, informojnë nga ky institucion lokal.

Ndotja që vjen nga lumenjtë – kërcënim paralel

Shiu acidik nuk është i vetmi kërcënim për tokat bujqësore. Përveç tij, lumenjtë po përballen me ndotje të madhe nga derdhja e ujërave të zeza nga shtëpitë dhe bizneset, ndërsa fshatrat përreth vazhdojnë të përballen me mungesën e rrjetit të kanalizimit.

Kosovës i mungojnë kapacitetet e mjaftueshme njerëzore, administrative dhe kapitale për të zbatuar standardet e BE-së për ujin, mjedisin dhe klimën.

Këto janë gjetjet e hulumtimit rreth mbrojtjes së monumenteve natyrore, lumenjve dhe menaxhimit të mbeturinave, i realizuar nga Democracy Plus.

Raporti thekson se lumenjtë në Kosovë vazhdojnë të përballen me ndotje dhe degradim të konsiderueshëm, pasi autoritetet shtetërore nuk kanë arritur të mbrojnë dhe dënojnë ata që shkaktojnë dëmin.

Rreth 1,100 hektarë të lumenjve në Kosovë janë zona të degraduara. Lumi më i dëmtuar është Drini i Bardhë, më i gjati në vend që rrjedh nëpër të gjithë regjionin e Dukagjinit; më pas vjen Lumbardhi, që rrjedh në komunën e Pejës dhe Erenikut të Gjakovës.

Lidhur me këtë problematikë, profesori Rusinovci konstaton: Hedhja e mbetjeve industriale në lumenj krijon disa rreziqe kryesore: ndotja përzihet me sedimente dhe përhapet në gjithë pellgun ujëmbledhës. Metale të rënda dhe toksina depërtojnë në tokat bujqësore, ulin pjellorinë dhe rrisin rrezikun për zinxhirin ushqimor.

Kurse, profesori Faruk Foniqi elaboron efektin që shtrihet përtej zonës së ndotjes.

“Ndotja fillon si problem lokal pranë burimit industrial, por lumenjtë e shpërndajnë shpejt në gjithë zonën. Tokat bujqësore dhe vendbanimet poshtë rrjedhës preken nga kjo ndotje, duke e bërë sfidën më të madhe se sa duket në pamje të parë.”, shpjegon ai

Në mungesë të veprimeve të koordinuara dhe në mungesë të matjeve të sakta, ekspertët paralajmërojnë se kërcënimi i dyfishtë i shiut acidik dhe ndotjes së lumenjve ndalon së qeni rrezik vetëm për token dhe prodhimet bujqësore. Kjo dukuri kapërcen kërcënimin e të qenit shqetësim ambiental dhe shndërrohet në problem shëndetësor që prek direkt jetën e qytetarëve.

Përballë këtij rreziku, fermerët kërkojnë veprime urgjente.

“Zakonisht në kohën e zgjedhjeve kur duhet me kërku vota, na takojnë, vijnë edhe premtojnë që kanë me pas fokus bujqësinë. Si t’i marrin votat ma kurrkush sytë nuk ua sheh”, thotë fermeri Milazim Osmani.

“Unë i bëj thirrje komunës, qeverisë, krejtve qe me na pasë ne fokus ma shumë, sidomos në këto probleme qe na vetë nuk mundemi me i zgjidh”, përfundon ai.

Advertisement
Advertisement
Advertisement