Një zbulim i ri parahistorik në një liqen në shtetin amerikan të Wisconsin-it ka nxjerrë në dritë gjurmë të një kulture të avancuar në Amerikë, që ka ekzistuar në të njëjtën periudhë me qytetërimin e Egjiptit të Lashtë.
Studiuesit kanë zbuluar gjashtë kanoe të panjohura më parë në Liqenin Mendota, mes të cilave një mjet lundrues që, sipas arkeologëve, është rreth 5.200 vjeçar – pra më i vjetër se Piramida e Madhe e Gizës, e cila daton rreth 4.500 vjet më parë.
Në total, që nga viti 2021 janë identifikuar 16 kanoe të lashta të tipit “dugout” (të gdhendura nga një trung i vetëm), të gjitha të punuara nga trungje pemësh me anë të zjarrit dhe mjeteve të thjeshta si gurë dhe guaska. Analizat e drurit, bazuar në shpërbërjen e elementeve natyrisht radioaktive, tregojnë se këto kanoe janë ndërtuar në periudhën mes vitit 3000 para Krishtit dhe 1300 pas Krishtit.

Ky zbulim sugjeron ekzistencën e një qytetërimi deri më tani të panjohur, që ka lulëzuar në këtë zonë për mijëra vjet, duke u marrë me tregti, peshkim dhe ndoshta udhëtime shpirtërore, përmes një rrjeti të sofistikuar lëvizjeje në territorin e sotëm të Mesperëndimit amerikan.
Sipas studiuesve të Shoqatës Historike të Wisconsin-it (WHS), gjetjet e reja po rishkruajnë historinë e Amerikës së Veriut, duke treguar se njerëzit në këtë kontinent kanë jetuar dhe janë organizuar në komunitete shumë më herët nga sa mendohej deri tani.
Kanoet u gjetën rreth 9 metra nën sipërfaqen e ujit, të grumbulluara pranë shtigjeve natyrore, çka tregon se liqeni ka qenë një pikë e rëndësishme lëvizjeje për breza të tërë. Mjeti më i vjetër i zbuluar lidh paraardhësit e hershëm të fisit Ho-Chunk me të njëjtën periudhë historike si disa nga qytetërimet egjiptiane, duke dëshmuar se aftësitë njerëzore për ndërtimin e mjeteve lundruese janë zhvilluar shumë herët në mbarë botën.
Deri tani, vetëm dy nga 16 kanoet janë nxjerrë nga uji dhe ndodhen në fazat përfundimtare të një procesi shumëvjeçar konservimi, përfshirë një kanoe rreth 14 metra të gjatë, e vjetër afërsisht 3.000 vjet.
Shumica e këtyre mjeteve janë ndërtuar nga dru i fortë, si lisi i kuq dhe i bardhë. Përdorimi i lisit të kuq është i pazakontë, pasi ky dru thith lehtë ujin përmes poreve të hapura, gjë që mund ta bëjë mjetin më të rëndë dhe më pak lundrues. Megjithatë, arkeologët besojnë se ndërtuesit e lashtë kanë ditur të përgatisnin pemët në mënyrë që në dru të formoheshin bllokime natyrore (tylose), të cilat e mbronin nga uji dhe kalbëzimi, duke përmirësuar gjithashtu flotacionin.
Ekspertët dyshojnë se banorët vendas zgjidhnin pemë të dëmtuara ose i plagosnin qëllimisht gjatë rritjes, për të krijuar trungje më rezistente.
Arkeologia detare Tamara Thomsen shpjegon se “arkeologjia është si të bashkosh copëza të një mozaiku: sa më shumë pjesë të gjesh, aq më e qartë bëhet tabloja e asaj që ka ndodhur dhe pse”.
Kanoet u gjetën me gurë të vendosur me kujdes mbi to, çka mendohet se shërbente për të parandaluar deformimin e tyre gjatë dimrave të ashpër.
Ndërsa fisi Ho-Chunk ka jetuar historikisht në zonën përreth Liqenit Mendota, banorët më të hershëm të saj ishin popullsitë paleo-indiane, të cilat mbërritën aty rreth 12.000

Zbulimi i kanoeve të lashta ka një rëndësi të veçantë për komunitetin Ho-Chunk, pasi forcon bindjen se paraardhësit e tyre kanë jetuar në këtë zonë për mijëra vjet, duke thelluar lidhjen kulturore dhe shpirtërore me ujërat dhe tokat përreth.
Liqeni Wingra, pranë Mendotës, shihet nga Ho-Chunk si një vend me rëndësi të madhe shpirtërore. Një nga burimet e tij, me fund argjile të bardhë, konsiderohet si një portë drejt botës së shpirtrave.
“Një nga burimet e liqenit, me fundin e bardhë prej argjile, shihet si një portal drejt botës shpirtërore. Për breza të tërë, Ho-Chunk e kanë nderuar këtë vend përmes ceremonive të kujtesës,” shprehet Dr. Amy Rosebrough, arkeologe shtetërore pranë WHS. /GazetaExpress/