Prej kohësh dihet se aktiviteti fizik ndihmon shëndetin e zemrës, sidomos me kalimin e moshës. Tani, ekspertët thonë se edhe një ndryshim minimal – vetëm pesë minuta ecje shtesë në ditë – mund të zgjasë jetën.
Një studim i ri, që analizoi të dhënat e mbi 135 mijë të rriturve, ka zbuluar se shtimi i vetëm pesë minutave aktivitet fizik në rutinën e përditshme mund të ulë rrezikun e vdekjes në popullatën e përgjithshme me rreth 10 për qind.
Edhe personat me stil jetese shumë sedentare përfitojnë: ata që kryenin vetëm dy minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar në ditë panë një ulje të rrezikut të vdekjes me 6 për qind.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore The Lancet, zbuloi gjithashtu se ulja e kohës së qëndrimit ulur me vetëm 30 minuta në ditë mund të parandalojë rreth 7 për qind të vdekjeve në mbarë botën. Sipas autorëve, një ndryshim i tillë është realist dhe i zbatueshëm në jetën e përditshme, duke treguar se objektivat e arritshme të sjelljes mund të kenë ndikim të madh në shëndetin publik.
Aktualisht, pasiviteti fizik vlerësohet se shkakton të paktën 9 për qind të vdekjeve në nivel global, por ekspertët besojnë se shifra reale mund të jetë edhe më e lartë.
Në studim u ndoqën për tetë vjet 135,046 të rritur, me moshë mesatare 63 vjeç, nga Norvegjia, Suedia, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar. Pjesëmarrësit mbanin pajisje matëse (akselerometra) për të regjistruar nivelin e aktivitetit fizik. Në fillim të studimit, asnjë prej tyre nuk kishte sëmundje kronike apo probleme serioze me lëvizjen.
Rezultatet treguan se ulja e kohës sedentare te personat që kalonin mbi tetë orë në ditë pa lëvizur – më shumë se 70 për qind e pjesëmarrësve – lidhej me një ulje graduale të rrezikut të vdekjes. Për shembull, personat që qëndronin mbi 11 orë ulur në ditë dhe që shtonin vetëm 30 minuta lëvizje, ulën rrezikun me rreth 10 për qind. Kur aktiviteti rritej në një orë në ditë, rreziku binte deri në 25 për qind.
Studiuesit theksojnë se kërkimi i tyre merr parasysh realitetin e jetës së përditshme, ku shumë njerëz nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë të arrijnë rekomandimin standard prej 150 minutash aktivitet fizik në javë. Gjithashtu, përfitimet e kalimit nga pasiviteti në aktivitet nuk janë të njëjta për të gjithë, pasi faktorë si obeziteti, problemet e lëvizshmërisë dhe sëmundjet e zemrës ndikojnë në aftësinë për të ushtruar.

Megjithatë, autorët theksojnë disa kufizime: studimi përfshin vetëm persona mbi 40 vjeç dhe është vëzhgues, çka do të thotë se dallimet në normat e vdekshmërisë mund të ndikohen edhe nga faktorë të tjerë, jo vetëm nga aktiviteti fizik.
Profesori Aiden Doherty nga Universiteti i Oksfordit, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, e cilësoi analizën si një hap të rëndësishëm përpara. Sipas tij, sistemi shëndetësor është nën presion të madh dhe ky studim tregon se deri në 10 për qind e vdekjeve të parakohshme mund të parandalohen nëse njerëzit bëjnë rritje të vogla dhe reale të aktivitetit fizik, si pesë minuta në ditë.
Një studim tjetër i ngjashëm nga Universiteti i Sidneit zbuloi se rreziku i vdekjes së parakohshme mund të ulet me të paktën 10 për qind nëse njerëzit flenë 15 minuta më shumë në ditë, shtojnë rreth 1.6 minuta aktivitet fizik dhe konsumojnë gjysmë porcioni më shumë perime.
Ekspertët vazhdojnë të rekomandojnë udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë: të paktën 150 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar në javë, ose 75 minuta aktivitet intensiv. Megjithatë, mesazhi kryesor është i qartë: edhe ndryshimet e vogla ditore – një ecje e shpejtë, disa shkallë më shumë, apo lojë aktive me fëmijët ose nipërit – mund të bëjnë një diferencë të madhe për shëndetin dhe jetëgjatësinë. /GazetaExpress/