Mjegullimi i vazhdueshëm mendor, dhimbjet e kokës dhe ndryshimet në nuhatje apo shije pas infektimit me Covid-19 mund të jenë shenja të një rreziku të shtuar për sëmundjen e Alzheimerit më vonë në jetë, paralajmërojnë shkencëtarët.
Studiues amerikanë, duke analizuar mostra gjaku nga më shumë se 225 persona me Covid të zgjatur, zbuluan nivele dukshëm më të larta të proteinës tau – e lidhur ngushtë me Alzheimerin dhe forma të tjera të demencës.
Grumbullimet jonormale të tau-s mund të formojnë nyje brenda qelizave nervore të trurit, duke prishur komunikimin mes tyre dhe duke nxitur humbjen e kujtesës dhe rënien njohëse që karakterizon Alzheimerin, shkaku kryesor i demencës.
Dr. Benjamin Luft, ekspert i sëmundjeve infektive dhe autori kryesor i studimit, tha se ndikimi afatgjatë i Covid-19 mund të shfaqet vite pas infektimit dhe të çojë në sëmundje kronike, përfshirë probleme neurokognitive të ngjashme me ato të Alzheimerit. Sipas tij, kjo ka pasoja të rëndësishme praktike për zhvillimin e vaksinave dhe terapive efektive që parandalojnë infeksionin akut, përpara se ai të lërë pasoja afatgjata.
Duke publikuar gjetjet në revistën shkencore eBioMedicine, autorët përfunduan se personat që zhvillojnë simptoma të vazhdueshme pas Covid-19 mund të kenë rrezik më të lartë për sëmundje neurodegjenerative në të ardhmen.
Studimi analizoi mostra gjaku nga 227 pjesëmarrës të Programit Shëndetësor të Qendrës Botërore të Tregtisë – një grup afatgjatë i ndihmësve të parë të 11 shtatorit – të marra para infektimit me Covid dhe sërish mesatarisht 2.2 vjet pas infektimit. Simptomat e zakonshme të Covid-it të zgjatur përfshijnë mjegullim mendor, dhimbje koke, marramendje, lodhje ekstreme, probleme ekuilibri dhe ndryshime në nuhatje ose shije.
Fokusi i studiuesve ishte një formë specifike e proteinës tau, e quajtur pTau-181, e cila lidhet fort me sëmundjen e Alzheimerit. Në përgjithësi, pjesëmarrësit që përjetuan simptoma neurologjike pas Covid-it shfaqën rritje gati 60 për qind të nivelit të tau-s në gjak.
Ata, te të cilët simptomat njohëse zgjatën më shumë se 18 muaj, kishin nivele dukshëm më të larta të biomarkerëve të tau-s sesa personat, simptomat e të cilëve u zhdukën më shpejt. Kjo, sipas studiuesve, “mund të paralajmërojë për përkeqësim të funksioneve njohëse me rritjen e moshës”.
Profesori Sean Clouston, ekspert i shëndetit parandalues dhe bashkautor i studimit, tha se rritja e tau-s në gjak është një biomarker i njohur i dëmtimit të qëndrueshëm të trurit. Ai shtoi se gjetjet sugjerojnë se Covid-i i zgjatur mund të përkeqësohet me kalimin e kohës, duke shkaktuar simptoma neurologjike ose vështirësi njohëse që intensifikohen gradualisht. Megjithatë, ende nuk dihet nëse rritja e tau-s ndjek të njëjtën rrugë biologjike si te personat që zhvillojnë Alzheimer ose sëmundje të ngjashme.
Ekipi i krahasoi rezultatet me një grup kontrolli prej 227 ndihmësish të Qendrës Botërore të Tregtisë që ose nuk u infektuan kurrë me Covid, ose e kaluan infeksionin pa simptoma afatgjata. Ndryshe nga personat me Covid të zgjatur – i njohur edhe si pasojë neurologjike post-akute e Covid-it (N-PASC) – ky grup nuk shfaqi rritje domethënëse të nivelit të tau-s në gjak.
Studiuesit po hetojnë tani nëse rritja e tau-s tek personat me Covid të zgjatur lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri. Hapi i ardhshëm, sipas tyre, është verifikimi i këtyre gjetjeve përmes imazherisë së trurit, për të parë nëse rritja e tau-s në plazmë përkon me akumulim më të madh të saj në tru.
Autorët paralajmërojnë se grupi i studiuar mund të mos përfaqësojë plotësisht popullatën e përgjithshme, pasi pjesëmarrësit, si punonjës esencialë, mund të kenë qenë më të ekspozuar ndaj virusit. Ata shtojnë se ky është ndër studimet e para që sugjeron se një virus mund të kontribuojë në prodhimin jonormal të tau-s me kalimin e kohës, me pasoja të rëndësishme për të kuptuar rrugët biologjike që çojnë në sëmundje neurodegjenerative.
Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar britanik (NHS), Covid-i i zgjatur – i njohur edhe si sindroma post-Covid – përkufizohet kur simptomat zgjasin më shumë se 12 javë pas infektimit. Të dhënat e NHS England sugjerojnë se gati një në dhjetë persona beson se mund të ketë Covid të zgjatur.
Statistikat nga Zyra Kombëtare e Statistikave tregojnë se rreth 3.3 për qind e popullsisë në Angli dhe Skoci, afërsisht dy milionë njerëz, po përjetonin simptoma të Covid-it të zgjatur, me 71 për qind që raportojnë simptoma për të paktën një vit. Më shumë se gjysma thanë se simptomat kishin zgjatur dy vjet ose më shumë.
Sëmundja e Alzheimerit prek rreth 982 mijë persona në Mbretërinë e Bashkuar dhe pritet të arrijë në 1.4 milionë deri në vitin 2040. Simptomat e hershme zakonisht përfshijnë probleme me kujtesën, vështirësi në të menduar dhe arsyetim, si dhe çrregullime të gjuhës, të cilat përkeqësohen me kalimin e kohës. /GazetaExpress/