Një variant i ri i gripit, i përshkruar nga studiuesit si veçanërisht agresiv, po përhapet me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara, ku rastet kanë arritur nivele rekord në disa qytete të mëdha. Në disa raste, fëmijët janë sëmurë aq rëndë sa kanë pasur nevojë për aparate që i ndihmojnë të marrin frymë.
Bëhet fjalë për një nënvariant të ri, të njohur si subklada K, pjesë e virusit të gripit A, nëntipi H3N2, i cili nuk ka qarkulluar më parë te njerëzit në këtë formë.
Sipas të dhënave më të fundit të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), për javën që përfundoi më 27 dhjetor, 32 shtete amerikane po raportojnë nivele “shumë të larta” të gripit, nga 22 që ishin një javë më parë. Një në tre teste për grip rezulton pozitiv — një rritje prej 21 për qind krahasuar me javën pararendëse dhe 76 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vetëm në Nju Jork u raportuan mbi 72 mijë raste gripi gjatë javës që përfundoi më 20 dhjetor, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në këtë shtet.
Tradicionalisht, SHBA-ja dhe Evropa vëzhgojnë hemisferën jugore për të parashikuar se sa i rëndë do të jetë sezoni i gripit dhe cilat variante mund të dominojnë. Australia dhe Zelanda e Re e përjetojnë sezonin dimëror të viruseve më herët dhe shpesh shërbejnë si tregues paraprakë.
Megjithatë, Instituti Doherty për Infeksionin dhe Imunitetin në Australi raportoi se sezoni i gripit atje “ndryshoi nga ajo që zakonisht vërehet”. Aktiviteti i gripit zgjati më shumë se zakonisht dhe u shtri përtej dimrit, ndërsa dominimi i varianteve ndryshoi disa herë.
Sipas institutit, në fund të sezonit u shfaq një variant H3N2 me përhapje të shpejtë, i cili në muajin gusht u bë një nga shkaqet kryesore të vdekjeve nga sëmundjet e frymëmarrjes në Australi.
Një studim i publikuar muajin e kaluar në revistën shkencore Eurosurveillance tregoi se fillimisht varianti H1N1 ishte dominues në Australi, por në gusht dhe shtator H3N2 filloi të rritej dhe u bë varianti kryesor deri në tetor dhe nëntor. Nga janari deri në nëntor 2025, Australia regjistroi 457,906 raste gripi, numri më i lartë që nga viti 2001, kur gripi u bë sëmundje e raportueshme.
Zelanda e Re pati një sezon më të moderuar, por gjithsesi të zgjatur, i nxitur kryesisht nga viruset H3N2 të subkladës K, të cilat, sipas studimit, u futën nga Australia. Në total, viruset e subkladës K përbënin rreth gjysmën e rasteve në Australi dhe mbi dy të tretat në Zelandën e Re.
Në SHBA, 97 për qind e mostrave të gripit që nga shtatori janë grip A; prej tyre, 86 për qind janë H3N2 dhe 91 për qind i përkasin subkladës K.
Gjatë hetimit për origjinën e këtij varianti, studiuesit zbuluan se virusi i parë i subkladës K i sekuencuar në qershor 2025 ishte në fakt nga SHBA-ja, konkretisht nga Nju Jorku. Më pas u identifikua në Wisconsin dhe Michigan në korrik, në të njëjtën periudhë kur u shfaq për herë të parë edhe në Australi.
Kjo sugjeron se, ndonëse sezoni i gripit në Australi ndodh më herët se në SHBA, varianti që tani po dominon globalisht mund të ketë origjinën në Shtetet e Bashkuara, të jetë përhapur në hemisferën jugore dhe më pas të jetë rikthyer, duke shkaktuar një sezon më të rëndë.
Subklada K është identifikuar tashmë në të paktën 34 vende. Studiuesit paralajmërojnë se, duke parë shpejtësinë e përhapjes dhe shkallën e shpërthimeve, ky variant ka gjasa të dominojë gjatë dimrit në hemisferën veriore dhe të vazhdojë edhe në vitin 2026, duke rritur presionin mbi sistemet shëndetësore.
Studimi vë në dukje gjithashtu se, për shkak se ky variant është i ri, vaksina aktuale e gripit mund të jetë më pak efektive, çka mund të çojë në më shumë raste dhe shtrime në spital krahasuar me vitet e fundit.
Mjekët raportojnë se infeksionet me këtë variant shpesh fillojnë me temperaturë shumë të lartë, e ndjekur nga kollë e rëndë me sekrecione dhe lodhje ekstreme. Në raste të rënda, pacientët mund të kenë vështirësi serioze në frymëmarrje dhe të kenë nevojë për ventilatorë.
Sipas autoriteteve shëndetësore amerikane, deri tani këtë sezon janë regjistruar rreth 11 milionë raste gripi, 120 mijë shtrime në spital dhe 5 mijë vdekje, shifra dukshëm më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /GazetaExpress/