Një sinjal 10-sekondësh nga një prej pikave më të largëta të universit është zbuluar nga shkencëtarët, të cilët ende po përpiqen të kuptojnë origjinën e tij.
Dy satelitë tokësorë kanë konfirmuar se sinjali vjen nga rreth 13 miliardë vite dritë larg Tokës dhe ka shumë gjasa të jetë prodhuar nga shpërthimi i një supernove, në një kohë kur universi ishte vetëm 730 milionë vjeç.
Sa më larg të jetë një objekt në hapësirë, aq më shumë kohë i duhet dritës ose sinjalit të tij për të arritur tek ne. Kjo do të thotë se, kur vëzhgojmë një shpërthim apo yll shumë të largët, në të vërtetë po shohim një ngjarje që ka ndodhur miliarda vite më parë – si një “makinë kohe” kozmike. Në këtë rast, studiuesit besojnë se kemi të bëjmë me shpërthimin me rreze gama me energji të lartë, të quajtur GRB 250314A, që mund të jetë supernova më e hershme e regjistruar ndonjëherë.


Rrezet gama janë forma të padukshme dhe jashtëzakonisht të fuqishme drite – burimi më energjik i rrezatimit i njohur në univers. Ato prodhohen nga shpërthime masive yjore dhe shfaqen si blicë shumë të ndritshëm kur kapen nga satelitët.
Shkencëtarët janë ende të pasigurt pse kjo supernovë e lashtë, nga universi i hershëm, duket pothuajse identike me shpërthimet yjore që vërehen në universin modern, shumë më afër nesh. Nëse ky shpërthim është vërtet burimi i sinjalit, studiuesit e NASA-s dhe Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) prisnin që yjet e parë të ishin më të mëdhenj, më të nxehtë dhe të prodhonin shpërthime shumë më të dhunshme sesa sugjeron ky sinjal.
Andrew Levan, autor kryesor i studimit të ri dhe studiues në Universitetin Radboud në Holandë, shpjegon:
“Janë vetëm disa shpërthime me rreze gama që janë zbuluar brenda miliardës së parë të viteve të universit gjatë 50 viteve të fundit. Ky rast është jashtëzakonisht i rrallë dhe shumë emocionues.”
Sinjali u zbulua për herë të parë më 14 mars 2025, kur sateliti SVOM (Space Variable Objects Monitor) regjistroi një blic të papritur drite me energji të lartë nga hapësira e thellë. Ky mision është një bashkëpunim franko-kinez, i krijuar për të identifikuar shpërthime të tilla në të gjithë kozmosin.
Ajo që u regjistrua ishte një shpërthim i shkurtër, por shumë i fuqishëm rrezesh gama – valë energjie më të forta se rrezet X, të afta të depërtojnë në trupin e njeriut dhe të dëmtojnë qelizat, ADN-në dhe indet. Megjithatë, për shkak të distancës enorme prej 13 miliardë vitesh dritë, rrezet që arritën në Tokë ishin tepër të dobëta për të përbërë ndonjë rrezik për njerëzit.
Shpërthimi zgjati vetëm rreth 10 sekonda, pasi këto ngjarje kozmike janë si fishekzjarrë gjigantë: çlirojnë sasi të jashtëzakonshme energjie në një kohë shumë të shkurtër dhe më pas zbehen.
Ndryshe nga zhurma e rastësishme apo “statika” e zakonshme e hapësirës, shpërthimet me rreze gama dallohen qartë si rreze jashtëzakonisht të ndritshme dhe të fokusuara, me një model specifik që satelitët janë ndërtuar për ta njohur.
Rreth tre muaj e gjysmë më vonë, gjatë verës së vitit 2025, Teleskopi Hapësinor James Webb (JWST) i NASA-s konfirmoi zbulimin, duke realizuar imazhe dhe matje të detajuara të dritës së zbehtë që kishte mbetur pas shpërthimit.
“Vetëm Webb ishte në gjendje të tregonte drejtpërdrejt se kjo dritë vjen nga një supernovë – një yll masiv që po shembet,” shtoi profesori Levan në një deklaratë për NASA-n.
Burime të tjera të zhurmave misterioze kozmike mund të jenë flakërimet diellore ose rrezet kozmike, por shpërthimet me rreze gama janë shumë më të rralla dhe lidhen me ngjarje madhore, si shpërthimet e yjeve, të cilat shkencëtarët mund t’i gjurmojnë edhe miliarda vite pasi kanë ndodhur.

Levan thekson se aftësitë e jashtëzakonshme të teleskopit Webb u japin studiuesve shpresë se në të ardhmen do të zbulohen sinjale edhe nga periudha kur universi ishte vetëm 5 për qind e moshës së tij aktuale – që sot vlerësohet rreth 14 miliardë vjet.
Deri më tani, dihet shumë pak për miliardën e parë të viteve të universit: çfarë ndodhte atëherë, si formoheshin yjet dhe si përfundonin jetën e tyre. Tradicionalisht mendohej se pas Big Bang-ut, yjet e parë kishin jetë shumë më të shkurtër dhe përmbanin më pak elemente kimike sesa yje si Dielli ynë sot.
Por studime të reja, të publikuara në dhjetor 2025 në revistën Astronomy & Astrophysics, tregojnë se kjo supernovë – e ndodhur vetëm 730 milionë vjet pas Big Bang-ut – ka të njëjtën ndriçim dhe “nënshkrim” rrezatimi si supernovat e vëzhguara miliarda vite më vonë.
Profesori Nial Tanvir nga Universiteti i Leicester-it në Mbretërinë e Bashkuar përmbledh rëndësinë e zbulimit:
“Webb tregoi se kjo supernovë duket saktësisht si supernovat moderne.” /GazetaExpress/