Edhe pse shumëkush do ta mendonte ndryshe, pjata më e preferuar në Britani nuk janë fish and chips apo mishi i pjekur me Yorkshire pudding, por ushqimi i stilit indian me salca të pasura dhe erëza aromatike.
Pothuajse nëntë nga dhjetë britanikë konsumojnë këto pjata rregullisht dhe, mesatarisht, i porosisin të paktën pesë herë në muaj.
Ndër më të preferuarat janë pjatat me shije më të butë, si chicken tikka masala, butter chicken dhe korma. Me rreth 8 mijë restorante indiane dhe afërsisht 2 mijë fast food-e tajlandeze në Mbretërinë e Bashkuar, zgjedhjet janë të shumta dhe të larmishme.

Edhe pse disa prej këtyre pjatave janë të pasura me kalori, yndyrë dhe kripë, nutricionistët theksojnë se, me përzgjedhje të kujdesshme, ato mund të jenë një alternativë ushqyese dhe e shëndetshme.
Ushqimi indian – një zgjedhje më e shëndetshme sesa mendohet
Vince Kelly, ligjërues i kulinarisë në Capital City College dhe anëtar i Culinary Medicine UK, i tha Daily Mail se ushqimin indian e konsideron ndër opsionet më të mira të fast food-it.
Sipas tij, këto pjata janë të pasura me erëza me veti anti-inflamatore, perime, bishtajore dhe proteina të lehta si mishi i pulës.

Ai thekson se një nga avantazhet kryesore të kuzhinës indiane është larmia e erëzave dhe ngjyrave, të cilat kontribuojnë në një dietë më të balancuar. Edhe erëzat konsiderohen pjesë e diversitetit ushqimor, jo vetëm frutat dhe perimet.
Përfitimet shëndetësore të erëzave
Emily Lenoir, nutricioniste e certifikuar, shton se kuzhina indiane mbështetet natyrshëm në erëza të fuqishme si shafrani i Indisë, qimnoni, xhenxhefili dhe fenugreku, të cilat kanë përfitime të provuara shkencërisht.
Ajo shpjegon se:
shafrani i Indisë ndihmon në uljen e inflamacionit,
xhenxhefili përmirëson tretjen,
kardamomi ndihmon në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak.

Përveç kësaj, këto pjata përfshijnë shpesh perime të freskëta, thjerrëza, fasule dhe drithëra integrale, burime të rëndësishme të fibrave, proteinave bimore, hekurit dhe zinkut.
Po ushqimi tajlandez?
Disa ekspertë e konsiderojnë kuzhinën tajlandeze edhe më të lehtë për organizmin. Sipas Kerry Beeson, terapiste ushqimore, ushqimi tajlandez karakterizohet nga përdorimi i barishteve të freskëta, hudhrës, koriandrës, xhenxhefilit dhe specit djegës, duke qenë zakonisht më i ulët në yndyra të ngopura sesa fast food-i perëndimor.
Specat djegës përmbajnë kapsaicinë, e cila ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe ka efekt anti-inflamator.

Kujdes nga yndyra e tepërt
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ushqimi i porositur shpesh përgatitet me vaj kokosi, krem dhe gjalpë të pastruar, çka rrit ndjeshëm përmbajtjen kalorike.
Autoritetet shëndetësore rekomandojnë që yndyrat të mos përbëjnë më shumë se 35 për qind të kalorive ditore, pasi konsumimi i tepërt lidhet me obezitetin, sëmundjet e zemrës dhe probleme të tjera serioze shëndetësore.
Zgjedhjet më të mira kur porosisni
Pjatat me perime
Zëvendësimi i mishit me perime ose bishtajore është një nga këshillat kryesore të nutricionistëve. Kuzhina indiane ka traditë të gjatë vegjetariane dhe ofron pjata të pasura me fibra dhe lëndë ushqyese.
Pjatat me bazë domateje, si vegetable jalfrezi, janë më të lehta dhe të pasura me antioksidantë.
Gatimet me thjerrëza (daal)
Supat dhe gjellët me thjerrëza janë të pasura me proteina bimore dhe fibra, ndërsa përmbajtja e yndyrës është relativisht e ulët. Një porcion i tillë ka mesatarisht rreth 280 kalori.

Pjatat e gatuara pa krem të rëndë
Duhet shmangur pjatat me shumë krem dhe gjalpë, si korma, butter chicken dhe gatimet me mish qengji të yndyrshëm.
Një alternativë më e mirë janë pjatat e përgatitura me qepë dhe domate të reduktuara, ku salca lidhet me mishin ose perimet pa qenë e mbushur me vaj.
Patate me spinaq (Saag Aloo)
Një pjatë klasike me patate dhe spinaq, e aromatizuar me erëza natyrale, hudhër dhe xhenxhefil. E pasur me hekur, fibra dhe antioksidantë, zakonisht nuk i kalon 350 kaloritë për porcion.
Pjatat tajlandeze me qumësht kokosi – me masë
Qumështi i kokosit ka disa përfitime ushqyese, por pjatat që e përdorin në sasi të mëdha, si massaman me pulë, janë ndër më kaloriket.
Një porcion i tillë mund të ketë rreth 540 kalori dhe 20 gramë yndyrë, veçanërisht kur shërbehet me oriz të bardhë, i cili rrit ndjeshëm vlerën kalorike. /GazetaExpress/