Në Galerinë Kombëtare të Kosovës (Qafa) është hapur ekspozita “Shtëpi”, e cila prezanton punë të reja nga tre laureatët e edicionit të parë të programit të rezidencës në partneritet me Cité internationale des arts: Kreshnik Arifi, Renea Begolli dhe Lumturie Krasniqi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 19 shkurt 2026 dhe përfaqëson jo vetëm një moment prezantimi, por edhe një testim të mënyrës se si praktika të ndryshme artistike mund të bashkëjetojnë brenda një kornize të përbashkët tematike dhe institucionale.

“Shtëpia” tri dimensionale
Titulli “Shtëpi” nuk lexohet këtu si koncept i ngushtë apo sentimental, por si një strukturë e hapur që lejon interpretime të shumëfishta, përfshirë, shtëpinë si hapësirë fizike, si kujtesë, si gjendje e përkohshme ose si konstrukt politik dhe social. Ekspozita nuk përpiqet t’i unifikojë këto kuptime, por i vendos ato në paralelizëm, duke e trajtuar galerinë si një terren ku nocioni i përkatësisë mbetet gjithmonë i paqëndrueshëm. Edhe më të vërejtëshem paralelizmin e bën puna e tre artistëve të cilët shfaqin tri përkufizime të ndryshme, në tri dimensione të ndryshme në lidhje me konceptin e njëjtë.
Hapësira e Galerisë Kombëtare (Qafa) shfrytëzohet në mënyrë aktive dhe çdo cep i saj futet në funksion duke mos lejuar që vendi të jetë thjeshtë hapësirë ‘mbajtëse’ e veprave. Një ndërhyrje murale me përmasa të mëdha krijon një sfond vizual dominues, që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si perceptohen punët e tjera. Kjo zgjedhje e fortë kuratoriale e zhvendos fokusin nga objekti individual drejt përvojës së përgjithshme hapësinore. Megjithatë, ky dominim nuk është gjithmonë në favor të balancës sepse në disa momente, intensiteti vizual i ndërhyrjes murale rrezikon të mbulojë nuancat më delikate të veprave të tjera.
Procesi i formimit dhe shpërbërjes
Punimet skulpturore të vendosura në dysheme krijojnë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me trupin e vizitorit, dhe bien në sy sapo hyn brenda Galerisë. Ato nuk tërheqin veç si pamje shumëngjyrëshe dhe si forma kaotike por funksionojnë si prani që ndryshojnë ritmin e lëvizjes dhe mënyrën e përjetimit të hapësirës. Materiali i tyre (stiropor) dhe karakteri fragmentar sugjerojnë ide të ndërtimit, mbetjes dhe transformimit, elemente që lidhen në mënyrë indirekte me temën e shtëpisë, jo si strehë e qëndrueshme, por si proces i vazhdueshëm formimi dhe shpërbërjeje.

Videoja e ekspozuar ofron një ndjesi pak më ndryshe se pjesa tjetër e ekspozitës, qoftë për shkak të pamjes, qoftë për shkak të zërit në sfond. Peizazhi i mjegulluar dhe ritmi i ngadaltë i imazhit krijojnë një ndjenjë pezullimi, duke e zhvendosur “shtëpinë” nga një vend konkret në një gjendje kalimtare. Kjo punë nuk synon të informojë e as të rrëfejë, por të krijojë distancë dhe reflektim. Përderisa vizitori ka mundësinë të ulet para reflektorit ku shfaqet videoja dhe ta përcjell në qetësi, në këtë aspekt kuptojmë që në fakt kjo vepër funksionon si një hapësirë mendore brenda ekspozitës, ku koha shtrihet dhe përvoja individuale fiton peshë, e reflektimi pastaj tjetërsohet dhe dallon nga njëri-tjetri.
Punimet dy-dimensionale, të vendosura më tërhequr në mure, ofrojnë një lexim më intim dhe analitik. Ato duken si fragmente studimi ose si gjurmë procesesh, duke i shtuar ekspozitës një shtresë tjetër e cila na shtyn të mendojmë për vizualitetin. Edhe pse nuk janë në qendër të vëmendjes, këto punë luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një narrative të shpërndarë, ku “shtëpia” nuk artikulohet si imazh i vetëm, por si seri fragmentesh që bëjnë më shumë sens afër njëra-tjetrës.
Koherenca që mungon
Në aspektin kritik, “Shtëpia” funksionon më së miri kur lexohet si një dialog mes praktikave të ndryshme artistik, që të tre artistët i përdorin në mënyrat e veta e jo si një ekspozitë veçmas e mbyllur dhe me një tematik të caktuar. Ideja e saj qëndron në refuzimin për të ofruar një interpretim të qartë ose një qëndrim të vetëm. Ani pse, kjo hapje e madhe konceptuale vjen edhe me paqartësinë e koherencës për vizitorin për shkak së jo të gjitha elementet (praktikat) arrijnë të komunikojnë me të njëjtin intensitet, herë pas here ekspozita duket më shumë si një bashkëvendosje sesa si një strukturë e ndërtuar në mënyrë të natyrshme.

Megjithatë, në kontekstin e Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe programit të rezidencës që qëndron pas saj, “Shtëpi” është një ekspozitë e rëndësishme. Ajo ofron një pasqyrë të praktikave bashkëkohore që nuk kërkojnë përfundim, por proces të vazhdueshëm e që synojnë hapësirë për mendim kritik. Është një ekspozitë që kërkon kohë dhe vëmendje, dhe që e fton publikun ta mendojë “shtëpinë” jo si vend ku mbërrin, jo si objekt e jo si ndërtim por si gjendje ku qëndron përkohësisht dhe si një hapësirë që vazhdimisht transformohet.
Ekspozita nuk ofron rehati dhe as nuk e ‘rregullon’ idenë e përkatësisë, bile ajo e trajton shtëpinë si një ndërtim të lëvizshëm, të paqëndrueshëm dhe shpesh që kontestohet. Pikërisht në këtë paqartësi qëndron edhe vlera e saj kritike, ekspozita “Shtëpi” nuk kërkon të mbyllë diskutimin por ta hapë atë, duke e lënë vizitorin të largohet me më shumë pyetje sesa përgjigje, në një moment ku kjo formë e reflektimit mbetet më e nevojshme se kurrë.
/Gazeta Express