Diabeti: Pyetjet dhe përgjigjet më të shpeshta - Gazeta Express
string(45) "diabeti-pyetjet-dhe-pergjigjet-me-te-shpeshta"

Shneta

Gazeta Express

09/01/2026 17:17

Diabeti: Pyetjet dhe përgjigjet më të shpeshta

Shneta

Gazeta Express

09/01/2026 17:17

Çfarë është diabeti?

Diabeti mellitus është një sëmundje kronike që shfaqet kur organizmi nuk prodhon mjaftueshëm hormonin insulin (i cili prodhohet nga pankreasi) ose kur trupi nuk reagon si duhet ndaj veprimit të insulinës (rezistenca insulinike). Si pasojë, niveli i glukozës (sheqerit) në gjak rritet mbi vlerat normale, duke shkaktuar probleme serioze shëndetësore nëse nuk trajtohet në mënyrë të rregullt.

Cilat janë tipet e diabetit?

Ekzistojnë disa lloje të diabetit, por më të shpeshtat janë:

Diabeti tip 1, i cili paraqitet kryesisht në moshë të re;

Diabeti tip 2, që shfaqet më shpesh pas moshës 35-vjeçare;

Diabeti i shtatzënisë, që shfaqet gjatë shtatzënisë.

Forma më e përhapur është diabeti tip 2. Sot, në nivel global, afërsisht çdo i dhjeti i rritur vuan nga diabeti tip 2.

Në cilën moshë shfaqet diabeti dhe a preken më shumë femrat apo meshkujt?

Diabeti nuk njeh moshë dhe as gjini. Diabeti tip 1 prek kryesisht moshat nën 35 vjeç dhe mund të shfaqet edhe te të porsalindurit. Diabeti tip 2 prek më shpesh moshat mbi 35 vjeç, por për shkak të rritjes së obezitetit, sot po haset gjithnjë e më shumë edhe te moshat e reja. Femrat dhe meshkujt preken pothuajse në mënyrë të barabartë.

Cilat janë shenjat e para të diabetit?

Shenjat e para më të shpeshta janë:

– plogështia dhe lodhja e vazhdueshme,

– etja e shtuar,

– uria e shpeshtë,

– urinimi i shpeshtë, veçanërisht gjatë natës.

Cilat janë pasojat e diabetit?

Diabeti i patrajtuar ose i pakontrolluar mund të shkaktojë pasoja të rënda, si:

– dëmtim të veshkave, deri në nevojën për hemodializë,

– dëmtim të shikimit, deri në verbërim,

– dëmtim të enëve të gjakut, që mund të çojë në infarkt të zemrës, goditje në tru, amputime të gishtërinjve ose shputave të këmbëve.

Pikërisht këto komplikime janë arsyet pse diabeti mund të çojë në vdekje ose në vdekje të parakohshme.

A rrezikojnë ëmbëlsuesit artificialë të shkaktojnë diabet?

Personat që nuk kanë diabet dhe përdorin ëmbëlsues artificialë nuk rrezikojnë të zhvillojnë diabet. Megjithatë, këshillohet të mos përdoren më shumë se 3-4 tableta në ditë.

Si trajtohet diabeti?

Trajtimi më i mirë i diabetit është ndryshimi i stilit të jetesës, i cili përfshin:

– aktivitet fizik të rregullt (15–30 minuta në ditë),

– ushqim të shëndetshëm dhe të balancuar,

– marrjen e rregullt të barnave ose insulinës, sipas rekomandimit të mjekut,

– kontrolle të rregullta te mjeku endokrinolog.

A mund të shërohet diabeti?

Aktualisht, diabeti nuk shërohet plotësisht, veçanërisht diabeti tip 1. Personat me diabet tip 2 nuk shërohen, por në disa raste, përmes dietës së shëndetshme dhe aktivitetit fizik, mund të arrijnë të kontrollojnë sëmundjen pa pasur nevojë për barna ose insulinë.

Ushqimet që duhen shmangur dhe ato që preferohen

Personat me diabet duhet të shmangin ose të kufizojnë:

– ëmbëlsirat,

– pijet e gazuara dhe lëngjet industriale,

– mjaltën.

Në sasi më të vogla dhe më rrallë duhen konsumuar:

– patatet,

– orizi,

– buka e bardhë,

– bananet, ananasi, rrushi, etj.

Preferohen më shumë:

– gjellët me bishtajore (fasule, bizele, thjerrëza, bishtaja),

-ushqimet e lëngshme,

– fruta si molla, dredhëzat, kivi, etj.

Këshillë përfundimtare

Këshilla kryesore është parandalimi i diabetit, sepse parandalimi është trajtimi më i mirë dhe më i lirë. Kjo arrihet përmes një stili jetese të shëndetshëm: aktivitet fizik, ushqim i rregullt, gjumë i mjaftueshëm dhe sa më pak stres. Për personat që tashmë vuajnë nga diabeti, është thelbësore marrja e rregullt e terapisë dhe kryerja e kontrolleve periodike te endokrinologu.

Përgatiti:

Dr. Genc G. Shala (PhDc)

Internist – ENDOKRINOLOG

Pranë: Spitalit Amerikan Kosovë

Advertisement
Advertisement
Advertisement