Ditari i javës/ August Strindberg: 6 shtator 1901 - Gazeta Express
string(47) "ditari-i-javes-august-strindberg-6-shtator-1901"

Arte

Gazeta Express

09/01/2026 16:04

Ditari i javës/ August Strindberg: 6 shtator 1901

Arte

Gazeta Express

09/01/2026 16:04

Johan August Strindberg (22 janar 1849 – 14 maj 1912), dramaturg, prozator dhe poet suedez

6 shtator 1901

Sot pikturova!

Për herë të parë viteve të fundit mendimi i vetëvrasjes është rritur në mendjen time. Motivi im: jam krejtësisht i vetëdijshëm se kjo grua është duke bartur pas vetes dhuratën që i kam bërë nga ajo që është më e fismja nga shpirti im dhe po i mbledh rreth vetes  një mori njerëzish të hanë në kurrizin tim. Ndiej se po më prish. Njerëz të panjohur më prishin me shikimin me të cilin e prishin atë. Përmes kësaj gruaje unë jam duke u zhytur në llucë ngase, edhe nëse largohemi, prapë jam i ndjeshëm ndaj saj edhe nga distanca. Shopenhaueri e shpjegon domethënien e “la jalousie légitime” kështu: Mendimet e mia kapërcejnë nga gruaja ime tek aktet seksuale të një njeriu të panjohur. Në njëfarë mënyre, ajo më bën pervers, në mënyrë të tërthortë dhe kundër vullnetit tim. 

Vetëvrasja është mëkat vdekjeprurës, por Dante konsideronte se Katoni kishte shpëtuar nga ferri ngase e kishte lënë botën e mëkatit dhe varësisë kur nuk kishte parë më ndonjë mundësi të mbante shpirtin larg pisllëkut. 

Mendoj se shpirti im ka rënë në sferën më të ulët të aktivitetit ku tash vepron gruaja ime. Kjo histori dashurie, që për mua ishte jashtëzakonisht madhështore dhe e bukur, por që kishte përfunduar në një tallje, më ka bindur plotësisht se jeta është iluzion. Të gjitha takimet tona janë të taksura të plasin si flluska në ujë të ndotur, me qëllim që të na dendin me neveri ndaj jetës. Ne nuk përkasim këtu dhe jemi tepër të mirë për këtë ekzistencë të mjerueshme. Ishte shpirti im ai që e donte këtë grua dhe brutalitetet e martesës më ngjallin krupën. Për këtë arsye kurrë nuk kam qenë aq në gjendje të kuptoj se çka ka të bëjë ai akti jo aq elegant i lindjes me dashurinë për një shpirt të bukur femëror. Organi i dashurisë është i njëjtë me organet jashtëqitëse. Sa karakteristike është kjo! (Para katër vjetësh zbulova se Hegeli e kishte thënë të njëjtën gjë!) Por nuk mund të kem martesë spirituale me një grua që nuk është gruaja ime e besueshme, se nëse ajo është e lirë dhe ka një aferë me ndonjë burrë tjetër, atëherë lirohet nga shpirti im dhe përçon dashurinë time tek ai burrë, kësodore më detyron të jetoj në një marrëdhënie të ndaluar me shpirtin e një burri, ose trupin, ose që të dyja. 

E. V. Hartman thotë se dashuria është forcë e sajuar nga natyra për të mashtruar burrat dhe gratë të propagandojnë specien e tyre. 

Jeta ma shpif dhe gjithmonë ka qenë kështu. Asgjë nuk ia vlen! I kam përmbushur obligimet e mia dhe jam torturuar mjaftueshëm. Mendoj se kam të drejtë të bëj sipas mendjes sime!

Kësaj here mora jetë në një shpirt të seriozitetit të shenjtë dhe pashë se sa në mënyrë cinike isha trajtuar. 

Gjithmonë ka qenë kështu! Kur isha një idealist i ri besimtar, më përqeshnin për këtë! Kur u bëra materialist, më persekutuan për këtë! 

Jeta, për mua, ishte e pamengjaueshme si gruaja; çkado që bëja ishte e gabuar dhe qortohesha për këtë!

Kur isha imoral, abuzimi grumbullohej mbi mua dhe kur u bëra moral më ra hise edhe më keq se aq! 

Njerëzit nuk janë të lindur të këqij, por jeta i bën të tillë. Pra jeta nuk mund të jetë edukim, as nuk mund të jetë ndëshkim (që përmirëson); thjesht është një e keqe! Me qëllim që të jetojë njeriu duhet t’iu bëjë keq të tjerëve që thjesht i dalin në rrugë. 

Jam lindur për jetë familjare dhe për të qenë shok – dhe shiko si jam katandisur! 

(Reflektimet e mia më të fundit mbi gratë dhe dashurinë – të bazuara krejtësisht në përvojën time – mund të gjenden te libri Damascus, pjesa e tretë).

“Dorëzim!”. Po, përnjëmend, kjo ishte ajo që po mundohesha të bëja së mbrami. Por nëse duron gjithçka, atëherë në fund duhet të durosh pisllëkun dhe poshtërimin dhe kjo është ajo që nuk ke të drejtë të bësh!

/Marrë nga August Strindberg, “From An Occult Diary-Marriage With Harriet Bosse”, Hill & Wang, 1965

/Përkthimi: Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement