Epistula e javës/ Mihail Bulgakov, shtator-tetor 1929 - Gazeta Express
string(51) "epistula-e-javes-mihail-bulgakov-shtator-tetor-1929"

Arte

Gazeta Express

09/01/2026 16:03

Epistula e javës/ Mihail Bulgakov, shtator-tetor 1929

Arte

Gazeta Express

09/01/2026 16:03

Mihail Afanasjevič Bulgakov (1891 – 1940), shkrimtar rus, një nga romancierët më të mëdhenj të shekullit XX, autor i kryeveprës ‘Mjeshtri dhe Margarita’

3 SHTATOR 1929 

MOSKË

PËR AVEL YENUKIDZE (SEKRETAR I KOMITETIT QENDROR EKZEKUTIV TË BRSS-SË) 

– duke marrë parasysh faktin se mospranimi absolut i veprave të mia për publikun sovjetik është krejt i qartë, 

– duke marrë parasysh faktin se ndalimi komplet i veprave të mia që ka hyrë në fuqi në BRSS po më çon drejt rrënimit, 

– duke marrë parasysh faktin se asgjësimi im si shkrimtar tashmë më ka sjellë buzë katastrofës në kuptimin material (mund të ofroj dëshmi me dokumente të mungesës së kursimeve, të faktit se është e pamundshme të paguaj taksat dhe kësodore të jetoj, duke u nisur që nga muaji i ardhshëm), 

– për shkak të rraskapitjes sime të pafundme 

– dhe mossuksesit të të gjitha orvatjeve të mia, 

i lutem trupës më të lartë të Bashkimit Sovjetik – Komitetit Qendror Ekzekutiv të BRSS-së dhe kërkoj të më lejohet, së bashku me gruan time LjubovJevgenjevna Bulgakova, të dalim jashtë vendit për një periudhë të caktuar, aq sa e ndien të nevojshme Qeveria e Bashkimit Sovjetik. 

Mihail Afanasjeviç Bulgakov, 

(Autor i dramave Ditët e turbinëve dhe Beg)

3 SHTATOR 1929

MOSKË 

SHKRIMTARIT ALEKSEJ (MAKSIM) GORKI 

Shumë i nderuari Aleksej Maksimoviç! 

I kam bërë Qeverisë së BRSS-së një kërkesë që të më lejohet të largohem nga BRSS me gruan time për një periudhë që e përcaktojnë ata vetë. 

Do të doja të të lusja ty, Aleksej Maksimoviç, që ta mbështetësh peticionin tim. Doja të hidhja hollësisht në letër gjithë atë që më ka bërë vaki, por lodhja dhe ndjesia se është e kotë janë tepër të fuqishme. Nuk mund të shkruaj asgjë. 

Gjithçka është ndaluar dhe unë jam i shkatërruar, persekutuar dhe krejtësisht i vetmuar.

Pse të mbash një shkrimtar në një vend ku vepra e tij nuk mund të ekzistojë? Po kërkoj një zgjidhje njerëzore – që të më lënë të largohem. 

Juaji me plor respekt 

M. Bulgakov

28 SHTATOR 1929

MOSKË 

SHKRIMTARIT ALEKSEJ (MAKSIM) GORKI 

Shumë i nderuari Aleksej Maksimoviç! 

Jevgenij Ivanoviç Zamjatin më ka vënë në dijeni se ti e ke marrë letrën time, por se do të doje të kishe një kopje të saj. 

Nuk e posedoj ndonjë kopje të saj, por përmbajtja e asaj letre ishte përafërsish si vijon: 

‘Përmes A. I. Sviderskit kam bërë një aplikim pranë Qeverisë së BRSS-së, ku kërkoja nga ta që të kenë parasysh gjendjen time të padurueshme dhe të më lejojnë së bashku me shoqen time Ljobov Jevgenjeva Bulgakova të dalim jashtë vendit me pushime, ose për çfarëdo periudhe që e përcakton Qeveria. 

‘Doja të të shkruaja në hollësi rreth asaj që më kishte bërë vaki, por për shkak të  rraskapitjes së tepërt nuk mund të punoj më. 

‘Një gjë mund të them: pse të mbash në shkrimtar në BRSS vepra e të cilit nuk mund të ekzistojë në BRSS? Me qëllim që të shkatërrohet?  

‘Po kërkoj një zgjidhje njerëzore – që të më lejojnë të largohem. Të lus seriozisht të ndërhysh për mua.

‘Do të të lusja të mos ma mohosh mirësinë që të ma bësh me dije se e ke marrë letrën. 

‘Tash do të doja të shtoja në këtë letër sa vijon: 

– të gjitha dramat e mia janë ndaluar, 

– asnjë rresht i imi nuk po shtypet më, 

– nuk kam asnjë vepër të gatshme dhe nuk jam duke përfituar asnjë kopek nga të drejtat, 

– asnjë institucion i vetëm, asnjë individ i vetëm nuk do t’iu përgjigjet aplikimeve të mia, 

– dhe, shkurtimisht, gjithçka që kam shkruar gjatë dhjetë vjetëve në BRSS është shkatërruar. Gjithë ajo që ka mbetur, do të më shkatërrojë – mua. Kërkoj të gjendet një zgjidhje njerëzore – që të më lejojnë të largohem!

Juaji me respekt, 

M. Bulgakov

14 TETOR 1929 

MOSKË

NGA TEATRI I ARTEVE I MOSKËS 

Qytetar M. A. Bulgakov, 

Duke qenë se Komiteti kryesor i repertorit ka ndaluar prodhimin e dramës ‘Beg’, Bordi i drejtorëve i Teatrit të Arteve të Moskës kërkon nga ti, në pajtim me pikën gjashtë të kontratës së nënshkruar nga ti, të kthesh avancën që ke marrë për këtë pjesë, një shumë prej 1.000 rublash. 

/Marrë nga ‘Mikhail Bulgakov: Diaries and Selected Letters’, Alma Classics, 2013

/Përkthimi Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement