Shëndetësia po varfëron qytetarët - Gazeta Express
string(33) "shendetesia-po-varferon-qytetaret"

Maqedoni

Gazeta Express

09/01/2026 10:50

Shëndetësia po varfëron qytetarët

Maqedoni

Gazeta Express

09/01/2026 10:50

Raporti i fundit i Komisionit Evropian (KE), tregon se më shumë se 40 për qind e kostove totale të kujdesit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut bien drejtpërdrejt mbi pacientët, duke e renditur vendin ndër shtetet me barrën më të lartë financiare për qytetarët në raport me shërbimet shëndetësore publike. Kjo situatë po e shndërron gjithnjë e më shumë kujdesin shëndetësor në një shpenzim të rëndë familjar, veçanërisht për kategoritë me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe të sëmurët kronikë.

Të dhënat tregojnë se listat e gjata të pritjes dhe mungesa e specialistëve në sektorin publik po i detyrojnë qytetarët të kërkojnë shërbime në klinikat private, duke rritur shpenzimet nga xhepi. Ky presion financiar reflektohet drejtpërdrejt në buxhetet familjare dhe në shtyrjen e kontrolleve apo trajtimeve mjekësore.

Analiza e organizatës “Meta” paralajmëron se mungesa e stafit mjekësor do të vazhdojë të jetë një nga problemet kryesore edhe në vitin 2025. Shëndetësia publike përballet me numër të pamjaftueshëm specialistësh, ndërsa mjekët dhe rezidentët e rinj, pas përfundimit të arsimimit, po orientohen gjithnjë e më shumë drejt sektorit privat ose po largohen jashtë vendit.

Këto gjetje konfirmohen edhe në raportet e Komisionit Evropian, ku theksohet se raporti i infermierëve për 100 mijë banorë në Maqedoninë e Veriut është nën mesataren e Bashkimit Evropian dhe se rrjedhja e kuadrove nga sektori publik drejt atij privat vazhdon. “Qytetarët vazhdojnë të paguajnë një çmim të lartë për shërbimet e kujdesit shëndetësor, pra 41.7 për qind e kostove totale bien direkt mbi pacientët, gjë që është një pengesë serioze për qasjen e barabartë në kujdesin shëndetësor. Edhe pse sistemi i shëndetit elektronik dhe aplikacioni celular janë përmirësuar, sistemi i caktimit të takimeve nuk funksionon siç duhet dhe nuk është i lidhur me bazën e të dhënave të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, thuhet në raportin e KE-së.

Raporti evidenton gjithashtu se, ndonëse fushatat për zbulimin e hershëm të kancerit vazhdojnë, mbulimi mbetet i kufizuar dhe Regjistri i Kancerit po regjistron rritje të rasteve dhe vdekjeve. Ilaçet për sëmundjet e rralla mbulojnë vetëm rreth një të tretën e pacientëve, ndërsa kuadri ligjor për transplantet dhe shëndetësinë elektronike ende nuk është plotësisht i harmonizuar me standardet evropiane. “Edhe pse sistemi i shëndetësisë elektronike dhe aplikacioni celular janë përmirësuar, sistemi i caktimit të takimeve nuk funksionon siç duhet dhe nuk është i lidhur me bazën e të dhënave të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, thekson Komisioni Evropian në raportin e progresit.

Ndryshe, në vitin 2025, sektori i shëndetësisë mbetet ndër më të ndjeshmit ndaj korrupsionit, pavarësisht procedurave të përmirësuara për çmimin e shërbimeve dhe trajtimin jashtë vendit, duke e lënë sistemin publik të përballet njëkohësisht me mungesë stafi, kosto të larta për pacientët dhe besim të ulët të qytetarëve. (koha.mk)

Advertisement
Advertisement
Advertisement