Të dielën, më 11 janar, do të mbahen zgjedhje të përsëritura për kryetar komune në katër komuna në vend – Gostivar, Mavrovë Rostushë, Vrapçishte dhe Qendër Zhupë. Fushata zgjedhore njëzetditore përfundon sonte në mesnatë, pas së cilës fillon heshtja zgjedhore, e cila do të zgjasë deri në fund të votimit, të dielën në orën 19:00, transmeton Portalb.mk.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) thotë se fletët e votimit tashmë janë duke u shtypur dhe sot, së bashku me pajisjet e identifikimit biometrik, ato do të shpërndahen në Komisionet Komunale Zgjedhore, dhe prej andej do të mblidhen nga Këshillat Zgjedhore. Të shtunën votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit dhe personat në burgje.
KSHZ thekson se gjithçka është gati për zgjedhjet e përsëritura nga pikëpamja organizative dhe teknike.
Në tre komuna, ka dy kandidatë për kryetar komune, dhe në një komunë ka një kandidat.
Kandidatët për kryetar komune të Gostivarit janë Nevzat Bejta nga koalicioni VLEN dhe Valbon Limani nga “Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKI).
Në Vrapçishtë, kandidatët për kryetar komune janë Isen Shabani nga AKI dhe Zulhajrat Demiri i mbështetur nga grup votuesish dhe VLEN.
Në Qendër Zhupa, ka vetëm një kandidat për kryetar komune – Arijan Ibrahim nga Partia Demokratike e Turqve.
Në Mavrovë Rustushe, ka dy kandidatë, Oner Jakuposki i mbështetur nga koalicioni “Maqedonia Juaj”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, dhe Anes Ahmeti nga Lidhja Social Demokrate (LSDM).
Në numrin 1 në fletën e votimit do të jenë kandidatët nga koalicioni VLEN, pasuar nga “Maqedonia Juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Të tretët në fletën e votimit do të jenë kandidatët nga “Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKI), e udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), dhe të katërtit do të jetë koalicioni LSDM. Grupi i votuesve – parashtruesi Zulhajrat Demiri është numri pesë, ndërsa Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni është numri gjashtë.
Lista e votuesve për votimin e përsëritur është mbyllur tashmë. Në Gostivar, në Listën zgjedhore janë regjistruar 82.870 qytetarë me të drejtë vote, në Mavrovë Rostushë janë regjistruar 10.575, në Vrapçishtë janë 27.279, ndërsa numri i votuesve në Qendër Zhupë të regjistruar në Listën zgjedhore është 7.562.
Sipas informacioneve nga KSHZ-ja, nuk ka interes për të vëzhguar zgjedhjet e përsëritura dhe deri më sot nuk janë regjistruar vëzhgues.
Regjistri i medias ka regjistruar 32 portale interneti, 13 stacione televizive rajonale dhe kombëtare dhe pesë stacione radio për reklama politike të paguara.
Sipas kodit zgjedhor, që zgjedhjet të jenë të suksesshme, duhet të dalin të paktën një e treta e votuesve ose 33.33 përqind.
Zgjedhjet për kryetar komune në këto katër komuna po përsëriten për shkak të regjistrimit të pamjaftueshëm, pra për shkak të pjesëmarrjes së pamjaftueshme të votuesve në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025.
Në Gostivar, pjesëmarrja ishte 33.31 përqind, në Vrapçisht – 25.18 përqind, në Mavrovë dhe Rostushë – 30.31 përqind dhe në Qendër Zhupë – 21.49 përqind.
tag_katrorimaqedoni_2