Përdorimi i tepruar i sprejëve nazalë kundër bllokimit mund të shkaktojë dëmtime të rrugëve të frymëmarrjes - Gazeta Express
string(107) "perdorimi-i-tepruar-i-sprejeve-nazale-kunder-bllokimit-mund-te-shkaktoje-demtime-te-rrugeve-te-frymemarrjes"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

08/01/2026 19:39

Përdorimi i tepruar i sprejëve nazalë kundër bllokimit mund të shkaktojë dëmtime të rrugëve të frymëmarrjes

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

08/01/2026 19:39

Autoritetet shëndetësore kanë ngritur alarmin për rritjen e numrit të personave që po bëhen të varur nga sprejët nazalë dekongjestantë, përdorimi i zgjatur i të cilëve mund të shkaktojë dëmtime të pakthyeshme të rrugëve të frymëmarrjes.

Këta sprejë, që shiten lirshëm në farmaci për më pak se 4 paund, janë një nga mjetet më të përdorura për lehtësimin e hundës së bllokuar, veçanërisht gjatë sezonit të gripit dhe ftohjeve.

Megjithatë, kërkime të reja shqetësuese tregojnë se gati 60 për qind e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se këto produkte nuk duhet të përdoren afatgjatë, duke u ekspozuar kështu ndaj rrezikut serioz të të ashtuquajturit “bllokim rikthyes”.

Ekspertët e Shoqatës Mbretërore Farmaceutike (Royal Pharmaceutical Society – RPS) shpjegojnë se përdorimi përtej kufirit të rekomanduar irriton enët e ndjeshme të gjakut në hundë, duke shkaktuar ënjtje. Si pasojë, bllokimi përkeqësohet, duke krijuar një rreth vicioz ku pacienti bëhet gjithnjë e më i varur nga spreji për të marrë frymë.

Kjo gjendje njihet në mjekësi si riniti medikamentoz dhe mund të prekë këdo që abuzon me sprejët nazalë, duke shkaktuar irritim, rrjedhje të hundës, teshtitje dhe kongjestion të vazhdueshëm.

Në raste më të rënda, disa pacientë me histori të gjatë të këtij problemi detyrohen t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale për të korrigjuar dëmet e shkaktuara nga ënjtja kronike, e cila mund të çojë në vështirësi serioze në frymëmarrje dhe madje deformime të fytyrës.

Një studim i kryer nga ITV dhe Ipsos zbuloi se më shumë se një e pesta e të rriturve që kanë përdorur këta sprejë, i kanë përdorur për më shumë se një javë. Kjo do të thotë se rreth 5.5 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë rrezikuar të zhvillojnë varësi.

Për këtë arsye, RPS po kërkon që rreziqet e përdorimit të tepruar të këtyre barnave – si Sudafed dhe Vicks – të shënohen qartë dhe dukshëm në paketim.

Profesorja Amira Guirguis, kryeshkencëtare në RPS, deklaroi:

“Studimi ynë tregon se shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm për këtë rrezik, çka do të thotë se ata mund të vazhdojnë t’i përdorin këta sprejë pa e kuptuar se po i zgjasin simptomat e tyre.”

Ajo shtoi se nevojiten paralajmërime më të qarta në paketim, të cilat nuk mund të anashkalohen, si dhe rritje e ndërgjegjësimit për kufirin maksimal prej shtatë ditësh përdorim.

“Sot për sot, hapi më i menjëhershëm dhe i domosdoshëm është qartësimi i mesazhit shëndetësor, me një paralajmërim të dukshëm në pjesën e përparme të paketimit se ky produkt nuk duhet përdorur për më shumë se shtatë ditë,” tha ajo.

Disa persona të prekur nga ky problem kanë kërkuar më herët që këto medikamente të jepen vetëm me recetë, në mënyrë që mjekët e familjes të mund të monitorojnë dhe kufizojnë përdorimin e tyre.

Një prej rasteve të tilla është Charlotte Johnstone, 30 vjeçe, e cila e përshkruan përvojën e saj si një “varësi”. Ajo nisi të përdorte sprej nazal që në moshën shtatëvjeçare.

Së fundmi, ajo i ka treguar ITV-së se në kulmin e betejës së saj 23-vjeçare me këtë problem, e përdorte sprejin deri në tetë herë në ditë.

“Nuk mund të fle pa të. Zgjohem dhe gjëja e parë që bëj është të përdor sprejin,” tha ajo.

Sot, ankthi i lidhur me këtë varësi është aq i fortë, saqë ajo sheh ëndrra se nuk mund të marrë frymë dhe shmang çdo situatë ku mund t’i kufizohet qasja në sprej.

Pas dekadash përdorimi – një zakon që i kushton rreth 30 paund në muaj – znj. Johnstone shqetësohet se ky zakon mund të ketë pasoja të përhershme për shëndetin e saj.

“Ka periudha kur humbas ndjesinë e nuhatjes. E di që po më bën diçka, por nuk e di saktësisht çfarë,” shprehet ajo.

“Por për të pasur hundën e lirë dhe për të shmangur ndjesinë e mbytjes, vazhdoj ta përdor.”

Sipas saj, edhe disa mjekë të përgjithshëm nuk janë plotësisht të informuar për përmasat e këtij problemi, madje disa prej tyre dyshohet se kanë kërkuar simptomat e saj në internet gjatë konsultës.

Ekspertët theksojnë se shumica e pacientëve të varur nga sprejët nazalë mund të heqin dorë gradualisht dhe të mos pësojnë dëmtime afatgjata. Megjithatë, në disa raste nevojitet përdorimi i sprejëve më të fortë me bazë steroidesh përpara se simptomat të përmirësohen.

Për shumë njerëz, nisja e këtij procesi rehabilitimi është e frikshme.

“Ta lësh menjëherë është shumë e frikshme. Duhet të jesh vërtet i fortë dhe unë do të duhej të merrja shumë ditë pushim nga puna,” tha Johnstone.

Ajo shprehet e tronditur nga numri i madh i njerëzve që gjenden në situata të ngjashme dhe tani dëshiron të rrisë ndërgjegjësimin publik për rreziqet e përdorimit të tepruar.

Duhet theksuar se bllokimi rikthyes shkaktohet vetëm nga përdorimi i tepërt i sprejëve dekongjestantë që përmbajnë oksimetazolinë dhe ksilometazolinë, dhe jo nga sprejët me solucion fiziologjik apo ata me bazë steroidesh.

Shoqata e Produkteve të Kujdesit Shëndetësor për Konsumatorët (PAGB), që përfaqëson prodhuesit e barnave pa recetë në Mbretërinë e Bashkuar, deklaroi:

“Si barna që shiten pa recetë, sprejët nazalë dekongjestantë janë të destinuar për lehtësim afatshkurtër të simptomave. Në paketim dhe në fletëudhëzimin për pacientin theksohet qartë se nuk duhet të përdoren vazhdimisht për më shumë se shtatë ditë.”

Sipas PAGB, fletëudhëzimi që shoqëron çdo sprej nazal përshkruan qartë rreziqet e përdorimit përtej kohës së rekomanduar. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement