Nestlé ka njoftuar një tërheqje globale të disa serive të formulave për foshnja, pasi ekziston dyshimi se ato mund të përmbajnë një toksinë të rrezikshme që shkakton të përziera, të vjella dhe dhimbje barku – dhe në raste ekstreme mund të çojë edhe në vdekje.
Gjiganti i ushqimit dhe pijeve po tërheq seri të caktuara të formulave SMA Infant dhe SMA Follow-on, pasi u konstatua se këto produkte nuk janë të sigurta për t’u konsumuar nga foshnjat.
Sipas Nestlé, produktet mund të përmbajnë cereulide, një toksinë potencialisht vdekjeprurëse që shkakton shfaqje të shpejtë të të përzierave, të vjellave dhe ngërçeve të forta abdominale. Autoriteti i Standardeve Ushqimore në Mbretërinë e Bashkuar (Food Standards Agency – FSA) theksoi se kjo toksinë është jashtëzakonisht rezistente ndaj nxehtësisë, që do të thotë se nuk shkatërrohet nga zierja e ujit apo gjatë përgatitjes së formulës për foshnja.
Nestlé deklaron se deri më tani nuk ka raporte të konfirmuara për sëmundje të lidhura me këto produkte, por ka vendosur t’i tërheqë ato “nga një kujdes maksimal”, duke theksuar se “siguria dhe mirëqenia e foshnjave janë prioritet absolut”.
Në njoftimin zyrtar thuhet:
“Konsumatorët që mund t’i kenë këto seri produktesh nuk duhet t’ua japin ato foshnjave të tyre.
Kërkojmë ndjesë sinqerisht për çdo shqetësim apo bezdi të shkaktuar te prindërit, kujdestarët dhe klientët.”
Jane Rawling, drejtuese e incidenteve në FSA, u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve të tregohen vigjilentë.
“Dua t’i siguroj prindërit dhe kujdestarët se po ndërmarrim masa urgjente për të siguruar që të gjitha produktet e prekura të hiqen nga shitja si masë paraprake,” tha ajo.
Ajo shtoi:
“Nëse ia keni dhënë këtë produkt foshnjës suaj dhe keni shqetësime për ndikimin e mundshëm në shëndet, duhet të kërkoni këshillë mjekësore duke kontaktuar mjekun e familjes ose duke telefonuar shërbimin NHS 111.”
Aktualisht besohet se asnjë produkt tjetër i Nestlé nuk është i prekur, dhe se ndotja ka ardhur nga një përbërës i furnizuar nga një prej partnerëve të saj.
Nestlé ka konfirmuar se do të ofrojë rimbursim për të gjithë klientët e prekur.
Prindërit që dyshojnë se formula e foshnjës së tyre mund të jetë e kontaminuar këshillohen të kontrollojnë kodin e serisë, i cili ndodhet në pjesën e poshtme të kutisë ose kanaçes për formulat pluhur. Për formulat e gatshme për përdorim, kodi gjendet në fund të kutisë së jashtme ose në anën/sipërfaqen e enës.
Cereulide është një toksinë e prodhuar nga disa lloje të bakterit Bacillus cereus dhe shkakton simptoma të ngjashme me helmimin ushqimor, të cilat zakonisht shfaqen shumë shpejt.
FSA thekson se edhe nëse foshnja nuk shfaq shenja sëmundjeje, përdorimi i produkteve të prekura duhet të ndërpritet menjëherë.
Në vitin 2019, një student humbi jetën pasi konsumoi makarona të kontaminuara me Bacillus cereus, duke nënvizuar rrezikshmërinë reale të kësaj bakterie dhe toksinës që ajo prodhon. /GazetaExpress/