Teatër/ Kosova, ofiçina e mosdëgjueshmërisë  - Gazeta Express
string(41) "teater-kosova-oficina-e-mosdegjueshmerise"

Arte

Gazeta Express

31/12/2025 15:17

Teatër/ Kosova, ofiçina e mosdëgjueshmërisë 

Arte

Gazeta Express

31/12/2025 15:17

Kosovo Tehatre Showcase 2025 (28 tetor – 1 nëntor) i ideuar dhe organizuar nga Qendra Multimedia, nën udhëheqjen e dramaturgut Jeton Neziraj, imponohet si një pararojë poetike, një akt i përditshëm i rezistencës dhe mosdëgjueshmërisë… Kosova nuk duhet të vëzhgohet me kureshtje ekzotike. Është një pikë prej nga duhet të shikohet më mirë ajo që jemi bërë dhe do të parapëlqenim të mos e shohim. 

Gianni Forte

Të arrish në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë me rastin e Kosovo Theatre Showcase 2025 do të thotë të hysh në një Evropë që resht së pasqyruari në xhamat e errët të deklaratave zyrtare dhe më në fund mund të shihet pa filtra. Jo Evropa e samiteve, e komunikatave të bashkëngjitura, e fjalëve te matura mirë. Por ajo reale, e lodhur, kundërthënëse, e kërrusur, e përshkuar nga kufijtë që zhvendosen, nga të drejtat e pezulluara, nga migrimet e detyruara, nga premtimet institucionale të integrimit dhe përfshirjes, që shumë shpesh funksionojnë si mekanizma të rafinuar të përjashtimit.  

Në këtë pasazh të paqëndrueshëm, Kosovo Tehatre Showcase 2025 (28 tetor – 1 nëntor) i ideuar dhe organizuar nga Qendra Multimedia, nën udhëheqjen e dramaturgut Jeton Neziraj, imponohet si një pararojë poetike, një akt i përditshëm i rezistencës dhe mosdëgjueshmërisë. Një gjest që mban së toku kujtesën dhe të ardhmen. Një prag i mundësisë. Një fushë e tensionit, ku skena nuk është territor neutral, por shtytje vitale. Fjala resht së qeni paraqitje, bëhet mish. Teatri nuk rrëfen thjesht botën, e sfidon, e shfaq, e nxjerr cullak. Nuk marrim pjesë në spektakle, i kapërcejmë si vende të verifikimit, të përplasjeve të papritura, të thyerjeve të pangjitura, të pyetjeve që djegin nën lëkurë. Çdo punë na detyron të vëmë në dyshim kategoritë e konsoliduara. Analizon raportin mes individit dhe kolektivit, historisë lokale dhe përgjegjësisë mbinacionale, qendrës dhe periferisë, normalitetit dhe përjashtimit, qëndrueshmërisë dhe brishtësisë, dëshirës së përkatësisë dhe nevojës së dezertimit.

Qendra Multimedia, projekt kulturor si pozicionim, prej vitesh është njëri prej garnizoneve më energjike, të reja dhe radikale të panoramës evropiane, jo vetëm për cilësinë artistike të prodhimeve të saj, por edhe për qartësinë e  pozicionit të saj politik. E lindur si hapësirë e pavarur e krijimit, është shumë më shumë se sa një kompani teatrore: është para së gjithash një shtëpi e mendimit kritik që refuzon mimesisin inkurajues. Një laborator i përhershëm ku teatri, letërsia, performanca, filmi, muzika dhe aktivizmi civil kontaminohen pa i lëshuar pe efektit piroteknik. Në një kontekst të shënuar nga traumat kolektive, nacionalizmat e pareshtur dhe ekuilibrat e zbehta, Qendra ka zgjedhur të mos e ulë shikimin, duke e marrë konfliktin, dhe jo të mësuarit me të, si metodë të njohjes. Jeton Neziraj, autor me nam ndërkombëtar, elaboron një dramaturgji që nuk ngushëllon. Një shkrim që vepron me anë të fërkimit. Trazon. Nuk tutet të shfaqet, të rrezikojë, të jetë jopopullore. Secili element tkurret në thelb, shpesh të varfër, thua se nevoja e të thënit nuk i honeps dot lustrat. Duke refuzuar çdo homologim, duke iu kundërvënë cilitdo uniformitet të gjuhëve dhe ideologjive, skena bëhet një sistem për të çarë narrativat hegjemone, për të çmaskuar hipokrizitë e pushtetit: është ironike, e mprehtë, brutalisht e ndritshme. E informuar në rrafshin historik, e shurdhër ndaj universalizmit abstrakt, rivendikon një saktësi kirurgjike, të vendosur, ngase vetëm duke folur nga një vend specifik është e mundshme të preken çështjet që u përkasin të gjithëve, të provokohen rezonancat e thella edhe tek ata që vijnë nga larg, t’i hapet rrugë një ballafaqimi konkret. Duke zgjedhur disonancën, nuk jep zgjidhje, duke i bërë të dukshme kundërthëniet; duke e përqafuar dallimin, nuk prodhon mite identitare, duke i destabilizuar dhe shkërmoqur në mënyrë sistematike. 

Në një moment historik kur shumë rreshtime rrezikojnë të shndërrohen dhe tkurren në tregje, Kosovo Theatre Showcase mbron me kryeneçësi dimensionin e takimit. Një trajektore e lëvizshme ofron – në komunitetin e ushqyer ndërkombëtar të operatorëve, kritikëve dhe artistëve – mundësinë e krijimit të lidhjeve autentike, duke hedhur ura për të ndërtuar aleanca jo oportunistike, për të vendosur lidhje të komplicitetit dhe shkëmbimit kreativ. Në qendër të kësaj hapjeje gjeografike zë vend një laborator intensiv i dramaturgjisë i drejtuar nga Mark Ravenhill, figurë bazike e skenës teatrale britanike bashkëkohore, që ka plazmuar gjenerata të tëra teatrale dhe zëri i të cilit – me ironinë e tij therëse, intensitetin e tij dramatiko-vizionar, në gjendje që të shoshitin të Sotmen – vazhdon të kumbojë fuqishëm dhe origjinal. Zemra emotive e përvojës thellohet në një vend në dukje të palëvizshëm, në Prizren, në një shtëpi të mbetur pezull në kohë, të shndërruar në hapësirë muzeore dhe përkujtimore: shtëpia e Ferdonije Qerkezit. Asgjë nuk është zhvendosur, asgjë nuk është hequr. Çdo send zë ende vendin që kishte kur, më 27 mars 1999, burra të armatosur të milicive paramilitare serbe u futën brenda dhe ia morën burrin dhe katër bijtë e saj, për të cilët kurrë më nuk ka marrë asnjë lajm. Mbetjet e disa prej tyre nuk janë gjetur ende. Rindërtimi i pastër i Ferdonijës, tashmë të privuar nga lotët që e kishin ushqyer, nuk kalon ekskluzivisht nga fjalët. Del, merr jetë, i heshtur dhe i menjëhershëm, edhe nga vetë lënda e ambienteve, duke qëlluar me forcë ndjesore atë që kalon andej, duke bërë të lulëzojë një heshtje kolektive të ngarkuar me imazhe, aroma, dashuri të ndërprera: vegla të përdorimit të përditshëm, orendi shtëpiake, lodra të braktisura, fotografi private, tesha joformale dhe rroba festive, këpucë masash të ndryshme në pritje, të gjitha të mbështjella me një shtresë të hollë celofani, si të ishin konservuar në vakum, të ruajtura, imune ndaj kalimit të viteve. Një shtëpi e mishëruar me humbjen, kujtimet e leskëruara, që risjell pa ndërmjetësim historinë e brutalitetit, masakrave dhe keqtrajtimeve që kanë shënjuar Kosovën. 

Programimi i Kosovo Teahtre Showcase 2025 artikulon një diskurs koherent që nuk bazohet te kriteret e larushisë stilistike si vlerë në vete, as nuk tkurret që të sjellë modele publike apo prodhime të gatshme, të destinuara vetëm për qarkun ndërkombëtar. Nuk ofron një vitrinë në kuptimin qetësues të fjalës, ose hartëzim rikognitiv të skenës teatrale kosovare. Nuk përulet para modës, nuk kërkon t’iu përshtatet shijeve mbizotëruese, të pëlqehet me çdo kusht për të qenë i “programueshëm” dhe “eksportueshëm”. Nuk ka pedagogji, as moral përfundimtar. Asnjë përgjigje e njëkuptimtë. Nuk jepet pas viktimizimit, apo retorikës së pasluftës. Përkundrazi, paraqet procese, urgjenca, plagë të hapura, duke e bërë spektatorin të marrë pozicion, të dalë nga ambiguiteti, të deklarohet. Kosova që nxjerr kokën nga Showcase nuk kërkon dhembshuri as legjitimim. Kërkon vëmendje, dëgjim. Spektatorët dialogojnë mes tyre, duke kompozuar mes tyre një dramaturgji të mprehtë, të fuqishme. Kështu teatri bëhet instrument i leximit të së Tashmes evropiane, duke shndërruar ‘margjinën’ në pikë vëzhgimi të privilegjuar, ku Kosova nuk duket si rast i izoluar, por lente përmes së cilës mund të lexohen dinamikat strukturore të Perëndimit me periferitë, fantazmat, zonat e tij të hijes. 

Ajo që godet te shfaqjet e para është qendërsia e trupit. Kurrë dekorative. Kurrë anonime. Një trup i përshkuar nga Historia, nga gjinia, nga gjuha, nga dhuna. Trupi i aktorit/perfomerit është arkiv i gjallë, bart të gdhendura në vete gjurmët e luftës, ekzilit, margjinalizimit. Në InHuman (teksti Shpëtim Selmani dhe Jeton Neziraj, regjia Zoltán Balázs, prodhim i Teatrit të Qytetit të Prishtinës Bekim Fehmiu, Maladype Theatre të Budapestit dhe Mettrin Arts Center të Bánk-ut), çështja nuk është aq se çka është jonjerëzore sa se si normalizohet ajo. Skena është thelbësore, pothuajse e zhveshur. Çdo fjalë peshon. Jonjerëzorja nuk vjen si ndodhi e jashtëzakonshme. Depozitohet si pirg aktesh të vockla, gjuhësh administrative, procedurash në dukje neutrale. Referimi në kontekstin kosovar është i qartë. Jo ekskluziv. Spektatori flet për Ecropën, politikat e saj të mbarështimit të trupave, kufijve, jetëve të konsideruara të sakrifikueshme. Është teatër që nuk denoncon nga jashtë, por nga brenda sistemit të vlerave që thotë se dëshiron të mbrojë. Me #The border(teksti Ana Ristoska Trpenoska, regjia Sovran Nrecaj, prodhim i Teatrit ODA të Prishtinës), kufiri resht së qeni një vijë abstrakte, bëhet përvojë konkrete. Titulli, me hashtagun e tij, i referohet gjuhës së mediave dhe rrjeteve sociale. Spektakli vepron kundër thjeshtëzimit. Kufiri tregohet si koreografi e pushtetit të përbërë nga kontrollet, zvarritjet që rëndojnë drejtpërdrejt mbi trupat. Spektatori nuk mund të mbetet i paprekshëm. Thirret të ballafaqohet me pozicionimin e tij, pasaportën e tij, të drejtën e tij të lëvizjes. Kosova konfigurohet si një pasqyrë e pamëshirshme e politikave evropiane të përjashtimit selektiv. Nën hijen e një peme u ula dhe qava (teksti Jeton Neziraj, regjia Blerta Neziraj, prodhim i The Market Theatre i Johannesburgut, Théâtre de la Ville i Parisit, São Luiz Teatro Municipal i Lisbonës, Teatro della Pergola i Firences, Mittelfest i Cividale, Theater i Dortmundit, Black Box Teater i Oslos) e zgjeron dimensionin individual deri sa ta kthejë në alegori urbane. Mekanizmi skenik vepron përmes shortit. Koha ngadalëson, fjala përmbahet. Është një teatër që lëviz mbi plasën mes intimitetit dhe politikës, ku dhimbja individuale nuk izolohet kurrë nga korniza e saj historike. Të ulesh dhe të qash, në këtë kontekst, nuk është gjest privat, por një formë e rezistencës së heshtur kundër obligimit për të tejkaluar, arkivuar, harruar. Biri (teksti Florian Zeller, regjia Erson Zymberi, prodhim i Anamour Independent Cultural Organisation) ndërfut një perspektivë psikologjike, duke sjellë në skenë konfliktin familjar dhe barrën e brishtësisë emotive, duke zbuluar atë se si privatja gërshetohet me tensionet sociale dhe kulturore në Kosovë, duke kontribuuar në një lexim më të zgjeruar të traumave individuale dhe kolektive.Prishtina. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre (teksti Jeton Neziraj, regjia Blerta Neziraj, prodhim i Qendra Multimedia) vë në qendër qytetin si organizëm politik. Jo një kryeqytet të ri dhe dinamik, siç shpesh rrëfehet, por një vend të përshkuar nga ëndrrat e ndërprera qëllimshëm. “Ëndrra” e titullit nuk është metaforë e përgjithshme. Është projekti i një shtetësie të plotë, i një sovraniteti të panënshtruar, i një përkatësie evropiane të pakushtëzuar. Teksti alternon sarkazmin dhe çyshtjen, duke shmangur çfarëdo nostalgjie. Teatri nuk kufizohet të tregojë një zhgënjim historik, por mekanizmat që e shkaktojnë: pritjet e pafundme, proceset e integrimit gjithmonë të shtyra për më vonë, hierarkitë e padukshme, frustrimet që strukturojnë vendin. 

Mbase kjo është ajo që Kosovo Theatre Showcase na e përkujton me një forcë nga e cila nuk ka shpëtim: se teatri nuk ekziston për të paqezuar botën, as për të anestetizuar realen brenda formave të pajtueshme. Ekziston për të mos gënjyer rreth dhimbjes. Rreth asimetrive të pushtetit. Rreth dhunës së normalizuar. Rreth asaj që vazhdojmë ta quajmë “tjetërkund” për të mos marrë përsipër barrën. Nuk propozon melheme, nuk përvijon rrugë të ikjes. Parashtron pyetje të cilave Evropa vazhdon t’iu bëjë bisht kryeneçësisht, duke pezulluar, duke varrakatur përgjegjësinë. 

Kosova nuk duhet të vëzhgohet me kureshtje ekzotike. Është një pikë prej nga duhet të shikohet më mirë ajo që jemi bërë dhe do të parapëlqenim të mos e shohim. 

Këtu teatri nuk të shpëton.

Nuk shëlbon.

Nuk çliron.

Por mbetet. 

E duke mbetur – kryeneçësisht, politikisht, poetikisht – reziston. 

/doppiozoeri.it

/Përkthimi Gezeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement