Shkencëtarët paralajmërojnë se pylli i Amazonës po shkon drejt një “gjendjeje hipertropikale”, një klimë më të nxehtë dhe ekstreme që nuk është parë për dhjetëra miliona vjet.
Ky ndryshim i ri klimatik mund të bëhet i zakonshëm deri në vitin 2100, duke sjellë thatësira më të shpeshta dhe më të ashpra.
Ekspertët nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley, paralajmërojnë se kjo mund të çojë në vdekje masive të pemëve, duke dëmtuar aftësinë e Tokës për të thithur dioksid karboni nga atmosfera, pasi pyjet tropikale thithin më shumë karbon sesa çdo bioma tjetër.
Sipas Jeff Chambers, autorit kryesor të studimit, e vetmja mënyrë për të parandaluar këtë gjendje hipertropikale është ulja e emetimeve të gazrave serrë.
“Gjithçka varet nga veprimet tona. Është në dorën tonë sa shpejt do të krijojmë këtë klimë hipertropikale. Nëse vazhdojmë të lëshojmë gazrat serrë pa asnjë kufizim, atëherë kjo klimë do të ndodhë më shpejt,” tha ai.
Normalisht, sezoni i thatësirës në Amazon zgjat nga korriku deri në shtator dhe sjell temperatura më të larta se zakonisht. Por nën kushtet hipertropikale, sezoni i thatësirës shtrihet më gjatë, duke i vendosur pemët nën presion më të madh.
“Kur ndodhin këto thatësira të nxehta, kjo është klima që ne e lidhim me një pyll hipertropikal, sepse tejkalon kufijtë e pyjeve tropikale siç i njohim sot,” shpjegoi profesori Chambers.
Studimi parashikon se deri në vitin 2100, kushtet e thatësirës së nxehtë mund të ndodhin deri në 150 ditë në vit, duke rritur mortalitetin e pemëve me 0.55 për qind.
“Pamë që pemët me rritje të shpejtë dhe dendësi të ulët druri janë më të ndjeshme, duke vdekur në numër më të madh se pemët me dendësi të lartë druri. Kjo nënkupton që pyjet sekondare mund të jenë më të prekshme nga vdekshmëria e shkaktuar nga thatësira, pasi përbëhen më shumë nga ky lloj pemësh,” tha ai.
Edhe pse 0.55 për qind mund të duket pak, profesori Chambers shpjegon se efekti është kumulativ, dhe gjatë kohës mund të ketë pasoja katastrofike për pyllin.
Më tej, studiuesit paralajmërojnë se kushtet hipertropikale mund të shfaqen edhe në pyjet tropikale të Afrikës Perëndimore dhe Azisë Juglindore.
Ndërsa temperaturat globale vazhdojnë të rriten, thatësirat ekstreme do të bëhen më të zakonshme gjatë gjithë vitit.
“Thatësirat e nxehta të sotme janë paralajmërues të kësaj klime të re, duke ofruar mundësi për të kuptuar më mirë reagimet e pyjeve tropikale ndaj kushteve gjithnjë e më ekstreme në të ardhmen,” shkruajnë autorët e studimit. /GazetaExpress/