Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm të dielën në zgjedhjet parlamentare, duke marrë rreth 50% të votave. Menjëherë të hënën, Vjosa Osmani tha se dëshiron edhe një mandat si presidente. Synimin e saj e përmblodhi me frazën “vazhdimësi e punëve të mira” dhe “të përbashkëta” me Albin Kurtin, aleatin e saj me të cilin jo rrallë ka pasur mospajtime, të cilat tani i relativizoi.
Gazeta Express
Vjosa Osmani po i kalonte muajt e fundit si presidente, pa i deklaruar qartë synimet e saj të ardhshme. Kishte thënë se të ardhmen e saj politike do ta shqyrtonte “në fillim të vitit të ardhshëm”.
Por nuk e priti vitin e ri. Nuk priti hiç më shumë se një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare për të treguar se dëshiron të mbetet ende në karrigen e shefes së shtetit.
Osmani, e cila erdhi në pozitën e presidentes në vitin 2021 në saje të një bashkëpunimi me Albin Kurtin, i cili e mori drejtimin e qeverisë, tani kërkon qe t’i vazhdojnë “punët e mira bashkërisht” me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë e cila mori rreth 50% të votave të dielën.
“Synoj që t’i vazhdoj punët e mira për qytetarët e Republikës së Kosovës, për vendin tonë. Mendoj që të arriturat e shumta dhe punët e mira që po na presin dhe janë te dera duhet të vazhdohen, sepse është interesi më i mirë i Republikës sonë”, tha ajo të hënën në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Deputetët, sipas saj, do të zgjedhnin ta mbronin interesin e vendit dhe ta dëgjonin vullnetin qytetar, vetëm nëse e votojnë sërish atë për presidente.
“Megjithatë, unë, po ashtu, jam plotësisht e vetëdijshme që kjo nuk varet vetëm nga ky vlerësim, por varet nga dy të drejtat e deputetëve të Republikës së Kosovës, të cilët duhet të vendosin, do të thosha, në dy pika themelore. E para është nëse duan ta mbrojnë interesin më të mirë të Republikës, dhe e dyta është nëse duan ta dëgjojnë vullnetin qytetar”.
Megjithatë, tha se do të bisedojë me të gjitha partitë shqiptare për ta parë këtë mundësi, e cila, siç tha, për të është “thjesht për t’i shërbyer vendit”.
Fillimisht, Osmani do të diskutojë për këtë me Kurtin.
Nëse shumica nuk e do Osmanin presidente sërish, ajo tha se angazhimin e saj politik nuk do ta ndalë “assesi”.
Viti i fundit i mandatit të qeverisë së Albin Kurtit kishte shpërfaqur disa mospajtime ndërmjet tij dhe Vjosa Osmanit. Madje në një rast, presidentja ishte ankuar për mungesë komunikimi nga ana e qeverisë me institucionin që përfaqëson ajo.
Fitorja bindëse e LVV-së prej 50.28% të votave në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, Osmani theksonte se ishte “rezultat i përbashkët”.
“Kur patëm kandidu ndaras, unë i pata marrë diku 200 mijë vota, 225 mijë, por kur u bashkuam pastaj i bëmë 440 mijë vota. Pra, ajo çka po them unë është që ajo ka qenë forcë e përbashkët, rezultat i përbashkët. Rrjedhimisht edhe ne të dy kemi qenë në krye të fushatës, kandidatë për president dhe kryeministër. Pra, e kemi përkrahë njëri-tjetrin. Sepse kur po përkthehet ‘jo ty të ka përkrahë Vetëvendosja’.. po kadale se reciproke ka qenë kjo gjë. Reciproke ka qenë kjo gjë”, thoshte Osmani në një intervistë në “Kallxo Përnime” vitin e kaluar.
Tani, pasi edhe pa të LVV fitoi po aq bindshëm, ajo përmend më shumë “punët e përbashkëta” me Kurtin dhe synimet në të cilat thotë se “nuk kemi dalluar asnjë milimetër”.
Për dallimet me Kurtin, të cilat Osmani i kishte përmendu publikisht, tani ka një arsyetim më të bukur.
“Unë mendoj që bashkëpunimi më i sinqertë është pikërisht ai që nuk i fsheh dallimet. Çka është më e rëndësishmja, siç e kam përmendur në çdo deklarim publik deri më sot, është që ne asnjëherë nuk kemi dalluar sa i përket qëllimit të përbashkët që dëshirojmë ta arrijmë, qoftë ajo sa i përket vendosjes së sovranitetit në çdo cep të vendit tonë, deri te fuqizimi i shtetit tonë në familjen e madhe euroatlantike. Synimet i kemi pasur të përbashkëta. Në synime nuk kemi dalluar asnjë milimetër. Nganjëherë kemi pasur dallime se si të arrijmë tek ato qëllime”, tha ajo të hënën.