Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, duke i cilësuar ato si dëshmi të një qasjeje joprofesionale dhe tendencioze, e cila, sipas tij, rrezikon seriozisht parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit dhe karakterin multietnik të shtetit.
Në reagimin e tij publik, Ademi vlerëson se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese po e shndërron jo vetëm veten, por edhe institucionin që drejton, në një organ parapolitik majorizues, në funksion të zhbërjes graduale të Marrëveshjes së Ohrit.
“Deklarata se ‘as nuk japim, as nuk marrim’, ndërkohë që paralajmërohet harmonizim me Kushtetutën pa transparencë dhe në kundërshtim me Amendamentin V të vetë Kushtetutës, përbën shkelje flagrante të të drejtave të shqiptarëve”, thekson Ademi.
Sipas tij, ky proces i mbyllur dhe pa transparencë minimizon shqetësimet legjitime të shqiptarëve, të cilët me të drejtë shohin rrezik në një vendimmarrje të njëanshme, majorizuese dhe pa argumentim profesional.
Veçanërisht problematike, Ademi i konsideron edhe qëndrimet kundër parimit të Badenterit në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
“Badenteri nuk është shpikje politike e BDI-së, por mekanizëm kushtetues për mbrojtjen e komuniteteve dhe ruajtjen e karakterit multietnik të shtetit”, thekson ai.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të BDI-së, përjashtimi i parimit të Badinterit nga vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese në çështje që prekin drejtpërdrejt të drejtat kolektive nuk e forcon shtetin ligjor, por përkundrazi, e cenon atë, duke e zhveshur drejtësinë nga ndjeshmëria kushtetuese dhe shoqërore.
“Koha është tani për Badinter në Gjykatën Kushtetuese”, përfundon Ademi, duke paralajmëruar se çdo tentativë për të anashkaluar mekanizmat kushtetues të barazisë do të prodhojë pasoja të rënda për stabilitetin institucional dhe besimin ndëretnik në vend.
tag_katrorimaqedoni_2