Duket si skenë e marrë nga një film distopik fantastiko-shkencor, por “Porta e Ferrit” ekziston realisht këtu në Tokë dhe ka qenë në flakë që nga viti 1971.
Ajo vazhdon të digjet prej më shumë se gjysmë shekulli dhe, sipas të dhënave të njohura, vetëm një njeri ka zbritur ndonjëherë brenda saj.
E njohur zyrtarisht si Krateri i Gazit Darvaza, ose lokalisht si Shkëlqimi i Karakumit, kjo gropë gjigante në flakë ndodhet në Turkmenistan, në zemër të shkretëtirës Karakum. Krateri lëshon gaz natyror pandërprerë prej më shumë se 50 vitesh.
Sipas legjendës më të përhapur, gjithçka nisi kur gjeologë sovjetikë, gjatë kërkimeve për gaz natyror, shembën aksidentalisht një xhep gazi nën tokë. Për të parandaluar përhapjen e gazrave toksikë, ata vendosën ta ndiznin, duke menduar se flakët do të shuheshin pas pak ditësh.

Por ajo që mendohej si një zjarr i përkohshëm, vazhdon të digjet edhe sot – gjë që nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh se Turkmenistani renditet i katërti në botë për rezervat e gazit natyror. Megjithatë, për shkak të politikës së rreptë të sekretit shtetëror, nuk ekzistojnë dokumente zyrtare të aksesueshme mbi këtë incident; shumë prej tyre janë të klasifikuara ose mungojnë në arkiva.
Krateri ndodhet pranë fshatit Darvaza dhe ka përmasa mbresëlënëse: rreth 60–70 metra i gjerë dhe afërsisht 30 metra i thellë. Flakët janë të dukshme nga kilometra larg dhe, siç raporton Daily Star, vendi është shndërruar në një atraksion të madh turistik.
Pavarësisht kushteve ekstreme, rrëfimet e vizitorëve sugjerojnë se brenda kraterit mund të ekzistojë jetë mikroskopike. Dhe pikërisht për këtë arsye, në histori është shënuar një ngjarje unike.
I vetmi person që ka zbritur ndonjëherë në fund të kraterit është eksploruesi kanadez George Kourounis. Në nëntor të vitit 2013, ai zbriti në “Portën e Ferrit” në bashkëpunim me National Geographic, për të mbledhur mostra dheu për projektin shkencor Extreme Microbiome Project, i cili synon zbulimin e jetës në ambiente ekstreme.
I veshur me një kostum special rezistent ndaj nxehtësisë, Kourounis arriti të qëndronte rreth 17 minuta brenda kraterit në flakë. Ai e përshkroi misionin si:
“Një kërkim për jetë aliene, këtu në Tokë”,
duke qenë se ambienti i pasur me metan dhe jashtëzakonisht armiqësor ngjan me kushtet në disa ekzoplanete.
Ekspedita e tij zbuloi disa lloje bakteresh në mostrat e dheut nga fundi i kraterit, duke konfirmuar se jeta mund të mbijetojë edhe në kushte ekstreme.

Duke folur për përvojën e tij, Kourounis tha:
“Digjet me një intensitet të jashtëzakonshëm, sikur të ketë një sasi të pafund zjarri poshtë.”
Ai shtoi:
“Ditë apo natë, flakët duken qartë. Nëse qëndron në buzë të kraterit, dëgjon zhurmën e zjarrit. Nxehtësia është e padurueshme nëse era fryn drejt teje. Ka mijëra flakë të vogla rreth e rrotull dhe drejt qendrës. Është një vend jashtëzakonisht i paqëndrueshëm.”
Së fundmi, pas më shumë se 50 vitesh flakë të pandërprera, duket se “Porta e Ferrit” po fillon të shuhet gradualisht.
Në një konferencë për shtyp në qershor, Irina Luryeva, drejtoreshë në kompaninë shtetërore të energjisë Turkmengaz, deklaroi se intensiteti i zjarrit është ulur ndjeshëm:
“Reduktimi i flakëve është pothuajse trefish. Ndërsa më parë ndriçimi i zjarrit shihej nga disa kilometra larg – prej nga vjen edhe emri ‘Porta e Ferrit’ – sot ka mbetur vetëm një burim i zbehtë djegieje.”
Një kapitull i jashtëzakonshëm i historisë natyrore dhe njerëzore duket se po shkon drejt fundit, pas më shumë se gjysmë shekulli në flakë. /GazetaExpress/