Autoritetet kanë paralajmëruar konsumatorët që të mos konsumojnë disa seri keksash, një ëmbëlsirë shumë e përhapur gjatë Krishtlindjeve, pasi ekziston rrezik për shëndetin e personave me alergji ose intoleranca ushqimore.
Agjencia për Standardet Ushqimore (FSA) ka njoftuar tërheqjen nga tregu të disa produkteve të caktuara.
FSA sqaroi se produktet ushqimore mund të tërhiqen për arsye të ndryshme dhe, në raste të tilla, si autoriteti ashtu edhe shitësi publikojnë një njoftim zyrtar tërheqjeje, ku përfshihen rreziqet dhe udhëzimet për konsumatorët.
Mbrëmjen e së martës (23 dhjetor), FSA njoftoi se The Bakewell Bakery ka tërhequr nga tregu produktin Shallow Brandy Mince Pies, sepse përmban qumësht që nuk është deklaruar në etiketë.
Sipas FSA-së:
“Kjo e bën produktin rrezik shëndetësor për çdo person që ka alergji ose intolerancë ndaj qumështit ose përbërësve të tij.”
Seritë e prekura janë paketimet me gjashtë copë, me afat përdorimi “më e mira para” 2, 3 ose 4 shkurt 2026.
Në një njoftim të veçantë, The Bakewell Bakery pranoi gabimin në etiketim:
“Kemi identifikuar se etiketimi ka qenë i pasaktë. Alergjeni mungon. Produkti përmban qumësht që nuk është deklaruar si përbërës. Kjo mund të paraqesë rrezik për konsumatorët.”
Furra ka kërkuar ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ka falënderuar klientët për bashkëpunimin.
Këshilla zyrtare e FSA-së:
Nëse keni blerë këto produkte dhe keni alergji ose intolerancë ndaj qumështit, mos i konsumoni.
Produktet duhet të kthehen në dyqanin ku janë blerë, ku do të ofrohet rimbursim i plotë, edhe pa paraqitur faturë.
Autoritetet u bëjnë thirrje konsumatorëve të kontrollojnë me kujdes etiketat dhe datat përkatëse, veçanërisht gjatë festave, kur rreziku nga gabimet e etiketimit është më i lartë. /GazetaExpress/