Kandidati për kryetar të komunës ë Gostivarit nga koalicioni VLEN, Nevzat Bejta përmes një konference për shtyp, ka akuzuar ish kreun e komunës Arben Taravari dhe ushtruesin e detyrës kryetar Valbon Limani, se kanë bërë keqpërdorim financiar të buxhetit të komunës duke dëmtuar buxhetin për rreth 700 mijë euro si dhe keqpërdorime në shërbimet për përgatitjen e projekteve për nevojat e komunës, përcjell Gazeta Express nga Alsat.
“Salla e këshillit e cila kushton për ta bërë efektive mund të kushtoj më së shumti 50.000 euro, e ata e kanë ndërtuar sallën dhe iu ka kushtuar afërsisht 750.000 euro. E kemi dokumentin me çmimin dhe i nënshkruar nga Arben Taravari. Ky është keqpërdorimi më i madh në historinë e vendit dhe më gjerë. Karrigeje ku ulet kryesuesi i këshillit, kushton 30 euro, ndërsa ata e kanë vënë çmimin e karriges mbi 10.000 euro dhe çdo karrige e vendosur në sallën e këshillit kushton mbi 10 000 euro. Kontrata e dytë është shërbimet për përgatitje të projekteve për nevojat e komunës”, deklaroi Nevzat Bejta, Kandidat për kryetar i koalicionit VLEN për Gostivarin.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Aleancës Kombëtare për Integrim. Akuzat e Bejtës i quajnë fabrikime dhe shpifje të ulëta. Ndërsa dolën me kundër akuza për keqpërdorime nga ana e tij.
“Qytetarët e njohin shumë mirë të kaluarën e tij politike, si dhe vjedhjet dhe plaçkitjet që lidhen me emrin e tij. Në vend që të shpërndajë akuza të pavërteta, ai duhet të japë përgjigje të qarta para qytetarëve:
– si i ka realizuar aksionet në hidrocentrale,
– prej nga i buron investimi prej mbi 30 milionë eurosh në Mavrovë,
– si është bërë shitja e tokave atraktive shtetërore ne Gostivar gjatë qeverisjes së tij me klanin e tij kriminal, dhe sa dosje e ndjekin nga afër për keqpërdorime të dyshuara.
Po ashtu, duhet të sqarojë se si janë krijuar pasuritë dhe jeta luksoze e tij, kur dihet se prej vitesh është pa punë dhe tashmë pensionist”, thuhet në reagimin e AKI-së.
Përkundër akuzave, dy kandidatët për Gostivarin, Nevzat Bejta i VLEN-it dhe Valbon Limani i AKI-së fushatën për zgjedhjet e 11 janarit e vazhdojnë edhe me takime me qytetarë. /Alsat.mk
tag_katrorimaqedoni_2