Aleanca për Shqiptarët – Dega Tetovë ka reaguar me tone të ashpra lidhur me, siç e cilëson, trajtimin çnjerëzor, të padrejtë dhe të politizuar ndaj personelit mjekësor të Spitalit Teknik, të cilëve u kanë përfunduar kontratat e punës pa u siguruar vendime të reja, pavarësisht premtimeve të mëparshme publike.
Sipas reagimit, bëhet fjalë për punonjës shëndetësorë që kanë shërbyer nga 2 deri në 10 vite, shpesh edhe pa pagesë, përfshirë edhe periudhën më të rëndë të pandemisë, kur sistemi shëndetësor funksiononte falë sakrificës së tyre. Megjithatë, sot ata janë lënë jashtë sistemit, ndërsa vendimet e punës, sipas ASH-së, u janë dhënë të sapopunësuarve, militantëve partiakë dhe personave të afërt me VLEN-in dhe VMRO-në.
“Ky veprim përbën tradhti morale, mashtrim politik dhe skandal shtetëror”, thuhet në reagim.
ASH – Tetovë akuzon Ministrin e Shëndetësisë Azir Aliu, drejtorinë e Spitalit dhe përfaqësues të VLEN-it se para zgjedhjeve kanë vizituar spitalin disa herë, janë fotografuar me personelin dhe kanë premtuar vendime pune, të cilat sot nuk janë realizuar. Sipas tyre, punonjësit e zhgënjyer tashmë po protestojnë, ndërsa përgjegjësit po heshtin.
Partia i bën thirrje urgjente Kryeministrit që të ndërhyjë menjëherë në këtë çështje dhe të kërkojë llogari publike nga Ministri i Shëndetësisë, duke ngritur disa pyetje kyçe:
– Si është e mundur që personel me vite përvojë të përjashtohet nga puna?
– Kush i ka zëvendësuar dhe mbi çfarë baze?
– A është shëndetësia publike shërbim për qytetarët apo pronë e partive politike?
Në fund, ASH – Tetovë thekson se dinjiteti i mjekëve, infermierëve dhe stafit shëndetësor nuk duhet të shfrytëzohet për fushata politike dhe se shëndetësia nuk mund të ndërtohet mbi gënjeshtra, premtime boshe dhe militantizëm partiak.
tag_katrorimaqedoni_2