Nuk do të ketë përfundim të parakohshëm të gjysmëvjetorit të parë të këtij viti shkollor, thotë ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska. Nxënësit, sipas Janevskës, do të ndjekin mësimet deri në fund të këtij muaji, dhe më pas do të shkojnë në pushimet dimërore, transmeton Portalb.mk.
Deklarata e Janevskës vjen në përgjigje të pyetjes nëse Ministria e Arsimit po shqyrton mundësinë që nxënësit të përfundojnë gjysmëvjetorin para kohe për shkak të ndotjes.
Janevska thotë se kanë mbetur edhe disa ditë deri në pushime. Ajo shton se në këtë pikë nuk kanë informacion se shëndeti i nxënësve është në rrezik për shkak të ndotjes dhe se nuk është problem nëse për arsye shëndetësore humbasin një ose dy ditë mësimi.
“Nëse shëndeti i nxënësve është në rrezik, sigurisht që mjekët dhe prindërit do të vendosin për këtë, por nëse nuk është asgjë serioze, besoj se edhe humbja e një ose dy ditëve nuk është problem”, tha Janevska.
Sipas saj, fenomeni negativ nga e kaluara kur ditët e shkollës shkurtoheshin për arsye të ndryshme duhet të braktiset.
“Më vjen keq që duhet të bëj një krahasim të ashpër, por në disa vende evropiane, edhe kur fëmijët kanë grip, si në kopshte ashtu edhe në shkollë, ata shkojnë në mësime për sa kohë që shëndeti i tyre nuk është i rrezikuar. E them këtë për shkak të komenteve se fëmijët tanë studiojnë shumë dhe janë të ngarkuar. Jo, nuk janë”, thotë Janevska.
Ministrja thotë se praktika e kaluar e shkurtimit të ditëve të shkollës, e mungesave të nxënësve sepse prindërit i çojnë në pushime më të lira, për t’u përgatitur për provimet me shkrim, duhet të braktiset.
“Do të duhet të fillojmë ngadalë të eliminojmë këto fenomene negative. Por gjithmonë do të vendosim në favor të shëndetit të tyre. Në këtë moment, nuk kemi informacion se shëndeti i tyre është i rrezikuar”, tha Janevska.
Ditëve të fundit në shumë qytete të vendit, sidomos në Shkup ka pasur ndotje të lartë të ajrit. Madje Shkupi në disa prej ditëve ka qenë qyteti i dytë më i ndotur në Evropë. Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) madje rekomandoi që qytetarët para se të dalin jashtë, të kontrollojnë cilësinë e ajrit në faqen e internetit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
tag_katrorimaqedoni_2