Hëna më e madhe e Saturnit, Titani, mund të fshehë forma jete jashtëtokësore nën sipërfaqen e saj, sipas një studimi të ri shkencor.
Studiuesit kanë zbuluar se nën akullin e Titanit ekzistojnë struktura të ngjashme me tunele akulli të përziera me ujë të shkrirë, të cilat mund të jenë potencialisht të banueshme.
Shkencëtarë nga NASA dhe Universiteti i Uashingtonit kanë analizuar të dhëna të mbledhura nga sonda hapësinore Cassini, e cila realizoi mbi 100 kalime të afërta mbi Titanin gjatë misionit të saj.
Rezultatet tregojnë se Titani ka një shtresë akulli me presion të lartë, të përzier me ujë të shkrirë, e ngjashme me akullin që shkrihet në Arktik. Kjo sugjeron se, ndryshe nga sa mendohej më parë, Titani nuk ka një oqean të hapur të lëngshëm nën sipërfaqe.
“Në vend të një oqeani të hapur si në Tokë, kemi më shumë gjasa të kemi struktura të ngjashme me akullin detar arktik ose akuifere nën tokë,” shpjegon profesori Baptiste Journaux, autor i studimit nga Universiteti i Uashingtonit.

“Kjo ka pasoja të rëndësishme për llojin e jetës që mund të ekzistojë, për furnizimin me lëndë ushqyese dhe energji.”
Një botë e akullt me cikël të ngjashëm me Tokën
Me një diametër prej rreth 5.150 kilometrash, Titani përshkruhet nga NASA si një botë e akullt, sipërfaqja e së cilës është e mbuluar nga një atmosferë e dendur, me ngjyrë të artë.
Ai është i vetmi vend tjetër në sistemin diellor, përveç Tokës, që ka një cikël të plotë të lëngjeve: reshje nga retë, rrjedhje në sipërfaqe, liqene dhe dete, dhe avullim përsëri në atmosferë – megjithëse në Titan ky cikël përfshin metan dhe etan, jo ujë.


Çfarë zbuluan të dhënat e Cassini-t?
Sonda Cassini, e nisur nga Kepi Kanaveral në vitin 1997, kaloi gati 20 vjet duke studiuar Saturnin dhe hënat e tij. Gjatë orbitës eliptike të Titanit rreth Saturnit, shkencëtarët vunë re se hëna ndryshonte formë, duke u shtrirë dhe tkurrur për shkak të forcës gravitacionale.
Në vitin 2008, kjo u interpretua si provë e ekzistencës së një oqeani të madh nën sipërfaqe. Por analizat e reja tregojnë një histori më komplekse.
Duke përdorur metoda moderne për rianalizimin e të dhënave të rrezatimit, studiuesit zbuluan se deformimi i Titanit ndodh rreth 15 orë pas kulmit të tërheqjes gravitacionale të Saturnit.
Kjo vonesë u lejoi atyre të llogarisnin energjinë e nevojshme për ndryshimin e formës së hënës.
“Sasia e energjisë së humbur brenda Titanit ishte shumë më e madhe se ajo që do të pritej nëse do të kishte një oqean global të lëngshëm,” thotë Flavio Petricca nga NASA.
“Kjo ishte prova kyçe që tregoi se brendësia e Titanit është ndryshe nga ajo që mendohej më parë.”
Ujë i ngrohtë dhe shanse për jetë
Sipas modelit të ri, nën akullin e Titanit ndodhen xhepa uji të shkrirë pranë bërthamës shkëmbore, të rrethuar nga akull i dendur. Studimi, i botuar në revistën Nature, sugjeron më shumë “llum akulli” dhe shumë më pak ujë të lirë se sa besohej.


Këto xhepa uji mund të arrijnë temperatura deri në 20°C, një temperaturë ideale për jetën në Tokë. Për më tepër, lëndët ushqyese do të ishin më të përqendruara në një vëllim të vogël uji, gjë që mund të favorizojë zhvillimin e organizmave të thjeshtë.
Dragonfly – misioni që mund të zbulojë gjithçka
Më shumë informacion rreth potencialit të jetës në Titan pritet nga misioni i ardhshëm i NASA-s, Dragonfly, i cili do të niset në korrik 2028 dhe do të mbërrijë në Titan rreth vitit 2034.
Ndërkohë, shkencëtarët vazhdojnë të nxjerrin zbulime të reja nga arkiva e pasur e të dhënave të Cassini-t, misioni i të cilit përfundoi në shtator 2017, kur sonda u drejtua qëllimisht drejt atmosferës së Saturnit.
Cassini ndryshoi mënyrën se si e shohim jetën në univers
“Ky mision ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si mendojmë për vendet ku mund të jetë zhvilluar jeta jashtë Tokës,” tha Andrew Coates, drejtues i Grupit të Shkencave Planetare në University College London.
“Përveç Marsit, hëna si Enceladus, Europa dhe madje edhe Titani janë tashmë kandidatë seriozë për jetë jashtëtokësore. Ne kemi rishkruar plotësisht librat e shkencës për Saturnin.” /GazetaExpress/