Poezia e javës/ Pindari: Olimpiket, XII - Gazeta Express
string(36) "poezia-e-javes-pindari-olimpiket-xii"

Arte

Gazeta Express

19/12/2025 13:40

Poezia e javës/ Pindari: Olimpiket, XII

Arte

Gazeta Express

19/12/2025 13:40

Pindari (518 – 438), poet grek, njëri prej eksponentëve më të mëdhenj të lirikës korale. Vepra e tij – e përmbledhur nga filologët aleksandrinë – ka mbërritur deri te ne vetëm pjesërisht. Tradita mesjetare i ka ruajtur të plota vetëm katër librat e epinikioneve që përfshijnë 14 Olimpiket, 12 Pitiket, 11 Nemetë dhe 8 Istmiket. 

PËR ERGOTELIN DHE TIKËN 

Pindari 

Tika shpëtimtare, 

bija e Zeusit çlirimtar, unë po të lus, 

mbroje Himerën nga forca e paanë. 

Ti i mbarështon anijet në det 

luftërat e stuhishme në tokë  

dhe agorat që na sjellin këshilla.

Shpresat e njerëzve

presin valët fundosëse, ngrihen 

dhe bien, para erërave mashtruese:

askush kurrë s’ka gjetur ndonjë shenjë të sigurt 

nga Zotat për veprat e së ardhmes,

të verbra janë mendimet e së nesërmes. 

Shumë gjëra kanë bërë vaki në kundërshtim me këshillat 

dhe nga gëzimi sërishmi largohemi,

hasim në shtrëngatë e fatkeqësi,

mandej për pak kohë në një të mirë më të thellë. 

O biri i Filanorit, këndezi luftarak 

nuk do kishte lavdi afër oxhakut,

e emri yt, o vrapues, i heshtur, 

pemë që humb gjethet e veta, 

nëse një kryengritje s’do të të kishte 

larguar nga Knosi, toka e etërve të tu. 

Tash ti je kurorëzuar në Olimp, 

dhe je dy herë fitues në Pit, 

pastaj ke fituar në Istm dhe aty ku e ke 

fushën dhe shtëpinë tënde, Ergotel, 

u thur lavde banjave të nxehta të nimfave. 

Shënim:

Nga Enzo Mandruzzato

Ergoteli, i cili ka fituar në Pit në vitin 470, duke konfirmuar triumfin e dy viteve më parë, është nga Himera. Shumë gjëra kanë ndodhur në Himerë në vetëm dhjetë vjet: tirania kriminale e Tersilit, i përzënë nga Teroni, pastaj, nën muret e tij, triumfi i grekëve ndaj kartagjenezëve me çka nisi koha e drejtësisë dhe paqes, e mbrojtur nga dy dinastitë aleate dhe të familjarizuara; sundimi famkeq i Trasidit, birit të Teronit dhe indinjimi i qytetarëve që i kërkonin ndihmë të atit; Trasidi që mori armët kundër tij dhe u bë aleat me Polizalin, vëllain dhe rivalin e Teronit të Sirakuzës dhe urtësia dhe qëndrueshmëria e tij, të domosdoshme që Teroni ta rikthente paqen. Por pas vdekjes së tij Trasidi, pa qenë I provokuar fare, u shpalli luftë Hieronit dhe u mund, u shfronësua dhe u mbyt. 

Dinastia e dashur, antike dhe e përgjakshme e emenidëve është lënë në harresë; në Agrigjento, ashtu si edhe në Himerë, bujaria e Hieronit ka sjellë damokracinë e pasigurt. Ngjarje të dhimshme dhe misterioze që dëshmonin fuqinë e të të paparashikueshmes, Tikës. 

Por Tike nuk është për Pindarin ajo që do të jetë për racionalizmin “sokratik”, e keqja, ngase e mira nuk gjendej te Logosi, por te plotfuqishmëria e Zotave dhe “rastësia” ishte mjaft e ngjashme me atë që një i krishter i kohës sonë e ka quajtur “Zoti në incognito”. E mira pra mund të kthehet dhe do të kthehet. Shorti i Ergotelit, guximtari që nuk do të kishte njohur lavdinë po të mos ishte përzënë nga Knosi, është simbol dhe urim. 

Agora – Sheshi, siç e dimë, ishte qendra e jetës publike qytetare.

Shpresat… – edhe ato të ngjashme anijet; e gjithë periiudha poetike këmbëngul në motivin – që do të ketë fat të posaçëm në periudhat e mëvonshme – e “detit” të Tikës.

Këndezi luftarak – i përleshjeve, garave (gjeli ishte po ashtu simbol i qytetit, i gdhendur në monedha).

Knosi – në Kretë. Duket se pjesëmarrja e kretezëve në garat panhelenike ishte e zbehtë. Me shumë gjasë Ergoteli ishte në mesin e atyre “dorëve dhe qytetarëve të rinj të një trungu tjetër” që Teroni i kishte tërhequr në Himerë për rindërtimin e qytetit (sipas Diodorit më 476, XI, 49: datë e diskutueshme). Shtëpia e kampionit duhej të ishte në Terme (sot Termini Imerese, 55 km në perëndim, ku ksihin buruar ujërat e nxehta të famshme për ta këndellur Herakliun nga njëra prej bëmave të tij siciliane.

/Marrë nga Pindaro, ‘Tutte le opere’, Bompiani, 2010

/Përkthimi: Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement