Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, e ka udhëzuar qeverinë e tij ta shqyrtojë zgjerimin e sigurimit shëndetësor publik që t’i mbulojë trajtimet për rënien e flokëve, duke argumentuar se tullacia është bërë një “çështje mbijetese” dhe jo shqetësim kozmetik për të rinjtë, ka raportuar gazeta londineze, “The Guardian”.
Propozimi, i cili që atëherë është pritur me reagime negative nga profesionistët mjekësorë dhe figurat konservatore u kumtua të martën dhe do të zgjerojë mbulimin përtej trajtimeve të kufizuara mjekësore, që aktualisht janë në dispozicion për lloje të caktuara të rënies së flokëve.
Koreja e Jugut operon një skemë universale sigurimi të financuar nga premiumet që llogariten në bazë të të ardhurave. Aktualisht, skema mbulon vetëm rënien e flokëve të shkaktuara nga arsyet mjekësore, siç është alopecia areata. Shumica e trajtimeve për tullacinë e zakonshme mashkullore mbeten të përjashtuara nga mbulimi.
“Mund të ketë të rinj që mendojnë se është e padrejtë që ata paguajnë vetëm premiumet e sigurimit dhe nuk mund të kenë përfitime”, ka thënë Lee, duke spikatur se “ndjenja e tëhuajësimit” në mesin e tyre është kthyer në barrë të rëndë.
Presidenti e ka propozuar për herë të parë politikën si kandidat gjatë fushatës së pasuksesshme zgjedhore presidenciale të vitit 2022, kur u kritikua si çështje populiste, por e tërhoqi nga platforma e fundit zgjedhore.
Propozimi ka nxjerrë në pah fokusin intensiv kulturor të Koresë së Jugut për pamjen fizike. Një anketë e vitit 2024 me të rinj ka vënë në pah se 98 % e të anketuarve besojnë se njerëzit tërheqës marrin përfitime sociale.
Presioni kulturor është veçanërisht i madh dhe akut për gratë, të cilat përballen me pritje të rrepta në lidhje me grimin, kujdesin për lëkurën dhe formën e trupit.
Për burrat, çështja diskutohet më pak haptas, por disa syresh me pak flokë zgjedhin të rrisin balluket e tyre për të maskuar rënien e flokëve ose kërkojnë trajtime të shtrenjta.
Tregu i trajtimit të rënies së flokëve në Korenë Jugore mendohej të kapë vlerën prej 108 milionë eurosh më 2024, dhe grupet e industrisë pretendojnë se nga popullsia prej më shumë se 51 milionë banorësh, rreth 10 milionë prej tyre përjetojnë rënie flokësh, megjithëse kjo shifër nuk është verifikuar kurrë zyrtarisht.
Shamponët kundër rënies së flokëve janë veçanërisht të popullarizuar, megjithëse vitet e fundit disa produkte janë përballur me kritika për pretendimet e tyre për efektivitet. /Kallxo