Botime të reja / Drakulic, Emants, Kuperus - Gazeta Express
string(35) "botime-te-reja-pika-pa-siperfaqe-21"

Arte

Gazeta Express

18/12/2025 16:53

Botime të reja / Drakulic, Emants, Kuperus

Arte

Gazeta Express

18/12/2025 16:53

Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja” ka nxjerr nga shtypi tre tituj të rinj, “Mileva Ajnshtajn: Teoria e trishtimit” – Sllavenka Drakuliq, dy romane të dy autorëve holandezë Fati – Luis Kuperus dhe Një rrëfim pas vdekjes – Marcellus Emants.

“Mileva Ajnshtajn: Teoria e trishtimit” – Sllavenka Drakuliq

“Mileva Ajnshtajn: Teoria e trishtimit” është një roman i ndjeshëm, i shkruar me finesë psikologjike, ku autorja ndërton një portret intim dhe të thellë të Mileva Ajnshtajnit, gruas së parë të fizikanit Albert Ajnshtajn. Libri nuk është thjesht biografi, por një interpretim letrar që përpiqet të zbulojë jetën e brendshme të një gruaje të jashtëzakonshme, e cila shpesh ka mbetur në hijen e gjeniut të madh të shekullit XX.

Drakuliq e rrëfen historinë përmes një zëri të matur, melankolik dhe introspektiv, duke trajtuar temat e dashurisë, sakrificës, humbjes, ambicies së shtypur dhe padrejtësisë gjinore. Libri sugjeron se Mileva ka pasur rol më të madh në formimin intelektual të Ajnshtajnit sesa është pranuar zakonisht. Ajo shfaqet si një shkencëtare me potencial të madh, e kufizuar nga normat e kohës dhe nga një martesë që gradualisht e përpin.

Romani e shpalos dramën e saj njerëzore: ëndrrat e pambaruara, humbjet familjare, thyerjet shpirtërore dhe ndjesinë e vazhdueshme të mënjanimit. Stili i Drakuliqit është i qetë, i pastër dhe emocionalisht i ngjeshur, duke e bërë librin jo vetëm rrëfim biografik, por edhe reflektim të thellë mbi fatin e grave në histori.

Romani, i cili në shqip vjen i përkthyer nga përkthyesi Xhelal Fejza dhe i financuar nga rrjeti Traduki, është një homazh për një grua të heshtur, të anashkaluar, dhe një kritikë e butë ndaj mënyrës se si historia shpesh i përmend burrat si gjeni, ndërsa gratë i lë jashtë kornizës së famës.

Fati – Luis Kuperus

Romani Fati i Luis Kuperusit, një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë holandeze të fundshekullit XIX dhe fillimshekullit XX, është një vepër e ndërtuar mbi tensionin midis pasionit, ndjenjës dhe paracaktimit shpirtëror. Me një stil të ngarkuar emocionalisht dhe një gjuhë të ngrohtë, Kuperus arrin të krijojë një atmosferë poetike, ku dashuria dhe humbja ndërthuren në mënyrë të pashmangshme.

Në qendër të romanit qëndron dashuria, ajo që lind, digjet dhe shuhet në një çast, e shndërruar nga Kuperus në një metaforë të pashmangshmërisë së jetës. Personazhet e tij, të ndërtuar me ndjeshmëri të thellë psikologjike, lëvizin midis ëndrrës dhe zhgënjimit, mes dëshirës për të ndryshuar dhe dorëzimit përpara asaj që nuk mund të shmanget.

Vepra përçon ndikimet e romantizmit të vonë dhe simbolizmit evropian, duke e vendosur Kuperusin në një traditë letrare që e afron me emra si D’Anunzio, Loti dhe Meterlink. Ai i flet lexuesit jo me zë të lartë, por me një butësi të thellë, që depërton ngadalë dhe lë gjurmë të pashlyeshme.

Fati është një roman për të gjithë ata që kanë dashur, kanë humbur dhe kanë mësuar të pranojnë.

Një rrëfim pas vdekjes – Marcellus Emants

Marcellus Emants ishte avokati më i madh i natyralizmit në Holandë në stilin e Emil Zolës. Ishte pesimist i vendosur, i cili në veprat e tij ekspozonte mangësitë e krijimit, duke portretizuar personazhe imagjinare emocionalisht të paqëndrueshëm. Stili i tij i përmbajtur, por elegant, ka siguruar që Emants, i cili vdiq në vitin 1923, të mbetet një nga autorët holandezë më të lexuar të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Në këtë vepër emocionuese, botuar për herë të parë në vitin 1894, ai e përshkruan personazhin e tij qendror si një lodër të origjinës dhe rrethanave të tij, duke demonstruar se vullneti i lirë është një iluzion.

“Që nga koha e Rusosë kemi parë rritjen e zhanrit të romanit rrëfyes, nga i cili ‘Një rrëfim pas vdekjes’ është një shembull veçanërisht i pastër.” – J.M. Coetzee

“Vepra e një romancieri të shquar, i cili ishte gjithashtu psikolog i klasit të parë. Emants është një zot letrar. Askush nuk duhet ta lërë pa lexuar.” – Simon Vestdijk

Advertisement
Advertisement
Advertisement