Qendra Kombëtare e Kinematografisë dha një lajm të bukur për kineastët e rinj shqiptarë.
Për herë të parë QKK financon një bursë shkollore e cila u përfitua nga kineasti Renato Balla. Vendimi u miratua dje nga Komisioni Miratues i Projekteve, duke shënuar një hap të rëndësishëm në mbështetjen e talenteve të reja shqiptare.
Renato Balla është kineast, fotograf dhe artist vizual, fitues i çmimit të dytë në kategorinë speciale “Danube So Blue” dhe tashmë është përfituesi i parë i bursës shkollore nga QKK, për të ndjekur vitin e fundit të masterit pranë École Nationale Supérieure de la Photographie (ENSP) në Arles, Francë.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë uroi kineastin e ri për suksese dhe kontribut të vlefshëm në fushën e kinematografisë dhe industrisë së audiovizualit, duke ftuar të tjerë të rinj shqiptarë të vijojnë rrugën e zhvillimit professional. “Së bashku, gjejmë mënyra për ta bërë rrugën drejt dijes më të aksesueshme dhe të qenësishme”, tha QKK.
Më herët, filmi i shkurtër i Ballës, “Sommerkaiser”, u seleksionua në Vienna Shorts, ku fitoi çmimin e dytë në kategorinë speciale “Danube So Blue”. Filmi gjithashtu u vlerësua si “Best in Albanian Short” në Tirana International Film Festival (TIFF).
Renato Balla ka kryer studimet për Regji dhe Televizion pranë Universitetit të Arteve në Tiranë. /TemA