Vaksinë novatore që mund të lehtësojë dhimbjet e gjurit për miliona njerëz me sëmundje degjenerative - Gazeta Express
string(100) "vaksine-novatore-qe-mund-te-lehtesoje-dhimbjet-e-gjurit-per-miliona-njerez-me-semundje-degjenerative"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

15/12/2025 20:20

Vaksinë novatore që mund të lehtësojë dhimbjet e gjurit për miliona njerëz me sëmundje degjenerative

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

15/12/2025 20:20

Një vaksinë novatore po ofron shpresë të re për miliona britanikë që vuajnë nga osteoartriti i gjurit, një sëmundje degjenerative që prek nyjet.

Kjo gjendje shkakton konsumimin gradual të kërcit mbrojtës në nyje, duke sjellë dhimbje, ngurtësi dhe ënjtje. Osteoartriti prek rreth 10 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar dhe, aktualisht, nuk ka një kurë përfundimtare. Pacientët janë të detyruar ta menaxhojnë sëmundjen përmes fizioterapisë dhe ndryshimeve në stilin e jetesës, si ushtrimet fizike dhe humbja në peshë.

Tani, studiues francezë kanë zbuluar se një ilaç imunoterapie – trajtim që forcon sistemin imunitar dhe përdoret zakonisht në luftën kundër kancerit – ka treguar rezultate premtuese te një grup i vogël pacientësh me këtë gjendje të rëndë.

Vaksina vepron duke synuar një proteinë inflamatore të quajtur interleukina-6, e cila luan rol kyç në shkatërrimin e kërcit dhe inflamacionin e nyjës. Nivelet e kësaj proteine rriten gjatë fazave përkeqësuese të sëmundjes, të cilat zakonisht zgjasin disa javë ose muaj. Pas administrimit, ilaçi ndihmon në neutralizimin e proteinave të tepërta, duke lehtësuar simptomat dhe duke minimizuar dëmtimin e mëtejshëm të nyjës.

Për ta testuar vaksinën, studiuesit në Universitetin Paris Descartes përfshinë 24 pjesëmarrës, të gjithë të diagnostikuar me osteoartrit të gjurit. Ata u ndanë në dy grupe: 18 persona morën tre doza të vaksinës përgjatë 16 javëve, ndërsa gjashtë të tjerë morën injeksione placebo.

Pas 42 javësh, u matën nivelet e interleukinës-6 dhe u konstatua se pacientët që kishin marrë vaksinën kishin sasi dukshëm më të ulëta të kësaj proteine. Në një pyetësor vlerësues të realizuar gati një vit më vonë, i njëjti grup raportoi më pak dhimbje dhe përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së jetës.

“Duke pasur parasysh mungesën e një zgjidhjeje kuruese dhe afatgjatë për pacientët me osteoartrit, ky është një hap i parë inkurajues drejt zhvillimeve të mëtejshme klinike,” u shpreh autori kryesor i studimit, Dr. François Rannou nga Universiteti Paris Descartes.

Edhe pse studimi ndodhet ende në fazat e hershme, studiuesit shpresojnë se kërkimet e ardhshme do të ofrojnë prova më të forta për efektivitetin e vaksinës. Një provë klinike e fazës së dytë, me mbi 200 pjesëmarrës, pritet të nisë vitin e ardhshëm në disa vende të Evropës. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement