Shfaqja/ Një fluturim mbi teatrin e qyqeve - Gazeta Express
string(41) "shfaqja-nje-fluturim-mbi-teatrin-e-qyqeve"

Arte

Donjeta Abazi

13/12/2025 15:26

Shfaqja/ Një fluturim mbi teatrin e qyqeve

Arte

Donjeta Abazi

13/12/2025 15:26

Një satirë mbi politikat dhe artin e Kosovës së dikurshme u vu në skenën e teatrit në vitin 2013, e cila fliste për një ngjarje të vitit 2008. Një periudhë e ngarkuar me pritje, pasiguri dhe patetizëm institucional, ku arti kërkohej të ishte dekor i historisë, jo ndërgjegje e saj. Në atë kohë regjisore ishte Blerta Neziraj dhe një kastë aktorësh të tjerë. Ndërsa mbrëmë në ambientet e improvizuara të Teatrit Kombëtar të Kosovës kjo shfaqje erdhi në skenë me regji të Agon Myftarit, me një tjetër kastë aktoresh; mbështetur në ngjarjen e vitit 2008, por e sjellë sot, në një kohë tjetër, ku distanca kohore supozohet të prodhojë jo vetëm nostalgji, por edhe përgjegjësi.

Donjeta Abazi

Sinopsis: arti si detyrë dhe jo si zgjedhje

Pak para shpalljes së pavarësisë, Teatrit i kërkohet të përgatisë një shfaqje solemne për nder të ditës historike, ndonëse institucionet janë të paqarta dhe presioni politik i lartë. Përplasja mes kërkesave të mëdha dhe realitetit të teatrit, me ego artistësh dhe kaos organizativ, krijon një komedi që kritikon politikën, artin dhe shoqërinë e asaj kohe. Në thelb, kjo është historia e artit që thirret për të mbuluar boshllëqet e shtetit, për të zbukuruar paqartësinë dhe për t’i dhënë formë një solemniteti të imponuar.

Veç për ngjarjen dhe lojën

Të gjithë aktorët e shfaqjes e kanë të qartë idenë, të qartë deri në atë pikë sa lejohet të jetë. Një qartësi e kontrolluar, e cila lë hapësirë për lojë, por jo domosdoshmërisht për rrezik. Idetë, egot dhe gjoja profesionalizmi në skenë brenda lojës arrijnë të realizohen mirë diku kah mesi dhe përfundimi i saj. Pikërisht aty shfaqja e gjen ritmin dhe publiku fillon ta ndiejë komedinë si pasqyrë.

Ajo që publiku në Kosovë e do është komedia dhe humori i zi në skenë, këtë e dëshmojnë sallat plot në rast të shfaqjeve të tilla. Pyetja që lind natyrshëm është: a qesh publiku sepse e kupton realitetin që i serviret, apo sepse e ka mësuar veten të qeshë si formë mbijetese, për të mos u përballur drejtpërdrejt me të?

Kronologjia e ngjarjes që përcjell shfaqjen është e mbushur me tension dhe i lë hapësirë momenteve për reflektim. Roli i gruas që luan Rozin në skenë di të jetë kontestues nganjëherë për shkak të presionit për të nxjerrë në pah egon e individit, në këtë rast të artistes. Kjo ego nuk është vetëm personale; ajo bëhet simbol i një ambienti ku individi detyrohet të bërtasë për të ekzistuar, sepse sistemi nuk e dëgjon ndryshe.

Megjithatë, me seriozitetin e trupës së aktorëve, loja shkon e bëhet më e këndshme, më spontane dhe krijon një harmoni mes tyre e publikut.

Kujtesa si përgjegjësi

Në njërën nga skenat e filmit “Nuremberg”, që flet për gjyqin e famshëm menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Howie Triest, përkthyesi gjerman, në bashkëbisedim me psikiatrin e çështjes, këmbëngul se njerëzit kanë përgjegjësi sepse lanë ide të tilla të rriten dhe të shndërrohen në katastrofë. Faji nuk është vetëm te udhëheqësit, por edhe te ata që nuk i ndaluan kur kishin mundësi. Ky parim është universal dhe i përket çdo kohe ku heshtja shndërrohet në bashkëfajësi.

Mbrëmë në biletorën e Teatrit Kombëtar të Kosovës veç sa nuk ishte vendosur mbishkrimi “hapet fushata zgjedhore”. Ani pse shfaqja kishte përmbajtje, ani pse satira ishte në vend, e aktorët në skenë qenë të zot në atë që ishin thirrur, pyetja mbetet: ku ishte mesazhi kryesor i shfaqjes? A ishte ai një akt kritik, apo vetëm një rikujtim i sigurt i një kohe që tashmë nuk rrezikon askënd?

Mesazhi që vjen gjithmonë me vonesë

Përderisa ne mbrëmë pamë skena të një ngjarjeje të largët, këtu e 17 vite më parë, mesazhi i mbrëmshëm qe i qartë. Publikut iu rikujtua si ishte katandisur “teatri” kosovar në periudhën e shpalljes së pavarësisë, iu rikujtua sistemi politik i asaj kohe dhe iu rikujtua se si artistët qenë vegël pushteti, deshën apo nuk deshën ata. Rikujtimi funksionoi, por rikujtimi nuk mjafton gjithmonë.

Përtej kësaj, ani pse shfaqja erdhi me një prapavijë politike, një tjetër detaj nuk mund të kalohet pa u përmendur: kundërefekti i shfaqjes. Diskutimi që duhet të hapet mes artdashësve dhe krijuesve është pikërisht nënshtrimi, përçmimi dhe neglizhenca, si forma të heshtura të bashkëpunimit, duke mos e përjashtuar revoltën si detyrim etik të artit. Prandaj ne raste të tilla ne duam t’i shtrojmë këto pyetje:

A guxojnë dramaturgët dhe regjisorët kosovarë t’i kundërvihen sistemeve politike në kohë reale, atëherë kur kjo kundërvënie ka kosto?

Cili është efekti i artit, e domosdo i teatrit, nëse ai nuk revoltohet, nëse nuk e shqetëson pushtetin dhe publikun njëkohësisht?

Çka presim në skenën teatrore kur shahen politika të caktuara e mbështeten të tjera që veç formën ndërrojnë, por teatrin e ngulfatin gjithsesi?

Dhe në fund, pse skena e teatrit në Kosovë vazhdon të përdoret si arenë politike, në vend që të jetë hapësirë rezistence?

Arti si paralajmërim

Njerëzit nuk harrojnë ngjarje dhe aq më pak efektet e tyre, nuk harrojnë pasojat afatgjata të këtyre ngjarjeve, por janë të prirur të kërkojnë që dikush të reflektojë në emër të tyre. Ata vëzhgojnë ata që guxojnë të flasin kur diçka po ndodh dhe, më së shpeshti, e kërkojnë artin si vegël revolte. Artisti, kur është i vëmendshëm, arrin të çojë haber në kohë, edhe atëherë kur nuk arrin ta ndalë të keqen.

Tek ne ndodh krejt e kundërta. Arti, teatri në këtë rast, bën satirë, lojë dhe kritikë veç pas 20 viteve. Teatrit në Kosovë i duhen dekada për t’i thënë gjërat që publiku i ka përjetuar tashmë. Dy mundësi ekzistojnë: ose nuk jemi largpamës dhe nuk dimë të nuhatim, ose nuk guxojmë të flasim edhe kur dukuritë na kalojnë para syve çdo ditë.

Materiali që kishin ndër vite njerëzit e teatrit në vendin tonë ishte i bollshëm. Ajo që mungoi dhe mungon ende është guximi për ta vënë këtë material në përpunim në kohë reale. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet, por arsyeja e publikut, arsyeja që e çon atë deri te biletorja, i rrëzon të gjitha justifikimet teorike.

Epilog- shfaqja që do të vijë

Një shfaqje satirike që do të vendoset në skenat e teatrove në Kosovë do të trajtojë futjen në grevë të trupës së Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe daljen nga ajo grevë pa asnjë përfitim, një grevë pa sens. Do të trajtojë mungesën e pesë premierave në vit, zvarritjen e aktorëve qosheve të Pallatit të Rinisë në pritje të një objekti (me WC dinjitoze). Ama kjo shfaqje do të realizohet pas 20 viteve, kur unë të jem 47 vjeç. Atëherë ndoshta do të qeshim sërish, jo sepse gjërat kanë ndryshuar, por sepse jemi mësuar të qeshim edhe me vonesën.

Autor: Jeton Neziraj

Regjisor: Agon Myftari

Luajnë: Blin Mani, Nexhat Xhokli, Dardane Mehmeti, Sherif Bega dhe Elton Tahiri

/Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement