Epistula e javës/ Updike për Alfred Knopf: 26 maj 1960 - Gazeta Express
string(52) "epistula-e-javes-updike-per-alfred-knopf-26-maj-1960"

Arte

Gazeta Express

12/12/2025 14:39

Epistula e javës/ Updike për Alfred Knopf: 26 maj 1960

Arte

Gazeta Express

12/12/2025 14:39

John Hoyer Updike (1932 – 2009), romancier, poet, tregimtar, kritik arti dhe kritik letrar. Njëri ndër katër shkrimtarët e vetëm amerikanë (të tjerët, Booth Tarkington, William Faulkner dhe Colson Whitehead) që kanë fituar Pulitzerin për fiksion më shumë se njëherë. 

Për ALFRED A. KNOPF, botues amerikan

Caldwell Building, Ipswich, MA

26 maj 1960

I dashur Alfred:

Dua t’ju falënderoj ju dhe znj. Knopf për atë drekë të shijshme dhe elegante që na e shtruat gruas sime dhe mua, të cilët mund të kenë qenë tepër nervozë dhe me nxitim që të mund të shprehnin këto gjëra në mënyrën e duhur në atë kohë. Dhe dua t’ju falënderoj prapë për bujarinë tuaj ndaj meje në aferën shqetësuese të botimit të Esquire1. Si, ma ha mendja, shumica amerikanëve, dua ta kënaq secilin (madje edhe shoqatën e Detroitit të mirësjelljes) dhe unë kam punuar mjaftueshëm nëpër revista që të ndiej keqardhje për ata tipat e shkretë që kanë ngjitur shirita letre për Esquire. Por në këtë rast bashkëvepruan një mori arsyesh, kryesori në mesin e të cilëve fakti se duhej t’ia kërkoja nxitimthi një favor të madh The NYer që të më lejonin të ndiqja kursin më pak të favorshëm. Disa prej këtyre arsyeve bindëse për të mos e bërë këtë i kisha dhënë unë vetë, përsëri bujarisht.

The New Yorker kurrë nuk më ka mohuar asgjë që ua kam kërkuar në këtë vijë; për këtë arsye isha në mëdyshje t’ua kërkoja. Duket sikur po e nderoj revistën më shumë se sa që e meriton, më shumë se sa që e meriton çdo institucion korporatë. Në atë çast ndjeva një ndriçim në sytë tuaj të më thoshte se po bëhesha donkishotesk (ashtu si edhe bezdisës). Por revista më ka trajtuar mua shumë mirë – po të mos ekzistonte ajo, nuk e di si do të kisha mundur të ekzistoja unë – sa edhe loja e dyfishtë më e zbehtë e tyre do të më binte në qafë si një tradhti e konsiderueshme. Nga ana tjetër, ju më keni trajtuar mua po aq bujarisht sa edhe ata dhe çfarëdo zhgënjimi që t’ju shkaktoj më sjell dhimbje mua vetë.

Ky roman dhe The Poorhouse Fair, janë shkruar që të dy kur jetoja kryesisht në personazhin e një autori tregimesh të shkurtra dhe një poeti të vargjeve të lehta. Ndieja se romanet ende ishin diçka tjetër dhe duke u munduar të mësoj si t’i shkruaj, nuk doja që askush të shikonte pas supeve të mia. Prej këtu refuzimi im që t’ia jap revistës cilëndo prej tyre për të botuar pjesë të caktuara. Një druajtje e tillë nuk më duket më e nevojshme; tash e tutje do t’ua jap romanet e mia atyre, pastaj pjesa çfarëdo pjese që nuk botojnë ata do të jetë e gatshme për revista që duan t’i kenë. Kësodore, po u përsërit kjo situatë prapë, do ta lejoj qëllimshëm Esquire ose cilëndo revistë tjetër të botojë çfarëdo pjese që me duket e arsyeshme mua. Me e arsyeshme e kam fjalën vetëm përfaqësim të mjaftueshëm të romanit dhe timin. Kështu që ju premtoj se, duke më bërë një nder aq të madh dje duke mos këmbëngulur shumë në arsyet tuaja rreth botimit të Esquire, unë nuk do t’ju kërkoj ju të ma bëni të njëjtin nder prapë. 

Sa i përket obscenitetit, thojini avokatit tuaj ta lexojë versionin e rishikuar dhe unë do ta marrë parasysh me gjithë qejf çfarëdo që të thotë ai. Unë vetë mendoj se, pas më shumë se tri javësh që po jetoj me këtë roman, nuk ka në të asgjë në mospërputhje me standardet bashkëkohore të realizmit seksual. Duke qenë se jam zotuar të paraqes një imazh të një amerikani të ri mesatar, nuk dua t’i bëj bisht punës sime. Nga ana tjetër, nuk pres ndonjë potere bezdisëse. Në dy momente vendimtare – fjetja me Ruthin dhe të foluri te saj vetë me vete te pishina – unë kam, siç mund ta shihni nga dëshmitë, bërë disa seksione më subjektive, prandaj më impresionistike, kështu që disa detaje, duke shpresuar se janë ende aty, në njëfarë mënyre janë nën sipërfaqe dhe ndikimi i tyre pornografik, nëse kanë një të tillë, është gjithashtu i maskuar.

Gruaja ime zuri marrëzisht dashuri ndaj jush dhe znj. Knopf; dhe pjesa e mbetur e ditës sonë u vërtit në një mënyrë marramendëse sa më la me një kokëdhimbje të lehtë sot.

Edhe nja dy gjëra: tashmë kam filluar të marr shënime për një roman të ri, roman në zanafillë i menduar si një novelë shoqëruese e ‘Rabbit’, por që, si ‘Rabbit’, me gjasë do të rritet përtej formës së novelës. Vërtet, po ia dola mbanë ta shkruaj, do të jetë bukur i gjatë dhe kompleks dhe do të duhen disa vite për ta realizuar. Para se të kryhet ai, unë pres t’jua ofroj juve një tjetër libër me tregime të shkurtra dhe madje, po qe kjo e pranueshme për ju, edhe një libër me poezi. Këto pra janë planet e mia. 

Nesër do të shkojmë te prindërit e mi në Pensilvani për një javë…

Juaji,

John

1) Rust Hills, redaktor i fiksionit në revistën Esquire, po shpresonte të botonte një pjesë nga romani ‘Rabbit, Run’. Updike në fund nuk deshi që një fikson kaq substancial të botohej në ndonjë revistë tjetër përveç asaj The New Yorker

/Marrë nga John Updike, ‘A Life in Letters’, Penguin, 2025

/Përkthimi: Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement