A e gjeni shpesh qenin duke futur ushqimet nën divan apo duke groposur lodrat në kopsht?
Mund të mendoni se po sillet si një “paranojak i ditës së fundit të botës” – por në fakt po ndjek instinktet e mbijetesës, shpjegon një eksperte.
Dr. Mia Cobb, studiuese në Qendrën për Shkencën e Mirëqenies së Kafshëve në Universitetin e Melburnit, thotë se historia evolucionare e qenve vazhdon të ndikojë sjelljen e tyre sot.
Ajo shpjegon se kjo sjellje quhet “caching” – pra, fshehja e ushqimit në vende të sigurta për t’u përdorur më vonë.
Ky fenomen është i përhapur në gjithë botën shtazore – nga ketrit e deri te korbat dhe ujqërit.
Dy mënyrat e fshehjes së ushqimit
Larder hoarding: kur kafshët e egra, si ketrit, grumbullojnë ushqim në një ose dy vende për të kaluar dimrin.
Scatter hoarding: kur krijojnë shumë “fshehje” të vogla në vende të ndryshme për të minimizuar rrezikun e humbjes së gjithçkaje – një sjellje e zakonshme e dhelpërave dhe ujqërve.
“Kjo sjellje tek qentë modernë është një mbetje instinktive,” shkruan Dr. Cobb.
Ajo reflekton konkurrencën për ushqim të paraardhësve të tyre, të cilët jetonin duke gjuajtur – një jetë ku sigurimi i ushqimit ishte i paparashikueshëm dhe kritik për mbijetesë.
Ajo thekson se kjo nuk do të thotë se qeni juaj po parashikon uri në të ardhmen.
Megjithatë, qentë që kanë përjetuar mungesë ushqimi apo stres në të kaluarën – veçanërisht ish-endacakët – mund të fshehin ushqim më shpesh si mekanizëm mbrojtës.
Kjo sjellje është gjithashtu më e përhapur tek racat gjuetare, si terrierët dhe hound-ët.
Kur bëhet problem dhe si ta menaxhoni
“Nëse kjo sjellje po shkakton probleme në shtëpi, duhet parë arsyeja e fshehur,” thotë Dr. Cobb.
Sjellja është mënyra e komunikimit të qenit – dhe shumë sjellje që ne i shohim si problematike, si lehja, gërmimi apo kërcimi, shpesh janë thjesht sjellje normale të qenit që nuk na pëlqejnë në atë moment.

Një zgjidhje e mirë është të përdoren lodra ushqyese, enigma interaktive ose ‘snuffle mats’, të cilat i japin qenit mundësi të kërkojë, të nuhasë dhe të “punojë” për ushqimin e vet.
Kjo redukton mërzinë dhe ankthin, ndërsa e plotëson instinktin që e shtyn të fshehë ushqim.
Kur duhet të shqetësoheni?
Disa raste kërkojnë vëmendje të veçantë:
Nëse qeni gërhmaton, mbron ushqimin apo lodrat nga njerëzit ose qentë e tjerë (sjellje e njohur si resource guarding).
Nëse ka shenja agresiviteti gjatë kohës së ushqyerjes.
Dr. Cobb sugjeron:
Të ketë më shumë lodra ose kocka se sa ka qen në ambient, për të shmangur konkurrencën.
Qentë që hanë bashkë të ndahen me barriera fizike, si një derë ose portë e vogël.
Nëse jeni të shqetësuar, flisni me veterinerin tuaj dhe kërkoni ndihmë nga një ekspert i sjelljes së kafshëve.
“Mos u shqetësoni – qeni juaj nuk po parashikon apokalipsin”
“Herën tjetër që e shihni duke fshehur me kujdes një send të çmuar, mund të qetësoheni,” shkruan Dr. Cobb.
Qeni juaj nuk po proteston kundër ushqimeve, as nuk po pret fundin e botës.
Ai thjesht po shfaq një sjellje krejt natyrale që të kujton të kaluarën e tij të egër.
Studiuesit: Qentë dhe njerëzit janë më të ngjashëm se sa mendonim
Një studim i fundit ka zbuluar se qentë dhe pronarët e tyre ndajnë më shumë se thjesht përngjasime në sjellje.
Shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit kanë treguar se golden retriever-ët dhe njerëzit ndajnë gjene që lidhen me ankthin.
Dr. Eleanor Raffan thotë:
“Rezultatet janë befasuese. Ato tregojnë prova të forta se njerëzit dhe golden retriever-ët kanë rrënjë të përbashkëta gjenetike për sjelljen.”
Gjenet e identifikuara ndikojnë shpesh në gjendjet emocionale dhe sjelljen tek të dyja speciet.
Shembuj nga studimi:
Qentë që shfaqin frikë ndaj objekteve ose tingujve (si autobusët ose fshesat me korrent) kanë një gjen që tek njerëzit lidhet me ndjeshmëri të lartë dhe prirje për ankth.
Një gjen i lidhur me trainueshmërinë tek golden retriever-ët lidhet edhe me inteligjencën dhe ndjeshmërinë emocionale tek njerëzit. /GazetaExpress/