Presidenti Donald Trump thuhet se është informuar plotësisht për atë që qeveria amerikane ka mbajtur të fshehtë lidhur me UFO-t dhe jetën jashtëtokësore që, supozohet, mund të jetojë mes njerëzve.
Në një intervistë të fundit, sinjalizuesi dhe ish-majori i Forcave Ajrore të SHBA-së, David Grusch, deklaroi se Trump ka marrë raporte të detajuara mbi anije të rrëzuara, mbetje jo–njerëzore të rikuperuara nga SHBA-ja, origjinën e këtyre qenieve dhe qëllimet e tyre.
Grusch, i cili aktualisht këshillon Kongresin në Task-Forcën për Fenomenet Ajrore të Paidentifikuara (UAP), tha se presidenti mund të bëhet “udhëheqësi më i rëndësishëm në historinë e botës” nëse vendos të zbulojë publikisht atë që Amerika ka mbajtur të fshehtë për jashtëtokësorët.
“Anëtarë të administratës aktuale janë shumë mirë në dijeni për këtë realitet. Presidenti aktual është padyshim shumë i informuar për këtë temë,” tha Grusch për Fox News.
Derimë tani, Shtëpia e Bardhë, ushtria amerikane dhe NASA kanë mohuar vazhdimisht se njerëzit kanë pasur kontakt me jetë jashtëtokësore apo se kanë rikuperuar ndonjë teknologji të tillë nga UFO të rrëzuara. Asnjë provë fizike nuk është bërë ndonjëherë publike për të mbështetur pretendimet e civilëve, shkencëtarëve apo ushtarakëve që gjatë dekadave kanë raportuar takime me qenie të panjohura.
Megjithatë, Grusch pretendon se ushtria amerikane jo vetëm ka rikuperuar anije të panjohura dhe trupa alienësh, por ai vetë ka parë raporte inteligjence, të dhëna dhe madje fotografi të trupave jo–njerëzorë.
Sinjalizuesi thuhet se ka informuar anëtarë të Kongresit se Trump, gjatë mandatit të tij të parë, është brifuar madje edhe për ekzistencën e disa racave alienësh, përfshirë një specie që, sipas tij, ka kryer kryqëzime me njerëzit.

Kush është David Grusch?
Grusch ka shërbyer 14 vjet në Forcën Ajrore të SHBA-së dhe më pas si oficer inteligjence në National Reconnaissance Office (NRO), agjenci që ndërton dhe lëshon satelitë spiunë për Pentagonin.
Nga viti 2019 deri në 2021 ai përfaqësoi NRO-në në Task-Forcën UAP, por u kthye në sinjalizues pasi mësoi – sipas pretendimeve të tij – se elementë të qeverisë amerikane kishin penguar mbikëqyrjen e Kongresit në çështjet që lidhen me jashtëtokësorët.
Në vitin 2023 ai dëshmoi para Kongresit, duke pretenduar se departamente të fshehta qeveritare kanë zhvilluar prej dekadash programe të rikuperimit dhe inxhinierimit të kundërt të UFO-ve.
Trump u pyet edhe publikisht
Ish-presidenti ishte pyetur edhe në podkastin e Lex Fridman në shtator 2024 nëse do t’i deklasifikonte të gjitha dokumentet rreth alienëve.
“Sigurisht që do ta bëja. Me kënaqësi. Duhet ta bëj,” kishte thënë atëherë Trump.
Kongresmeni i Mizurit, Eric Burlison, ka mbështetur pretendimet e Grusch-it, duke thënë se ekzistojnë të paktën katër specie alienësh për të cilat qeveria dyshohet se ka dijeni.
Sipas tij, Grusch e ka informuar presidentin për një racë të njohur si “Nordikët”, të cilët ngjajnë me njerëzit – lëkurë të bardhë, flokë të verdha – dhe që thuhet se kanë krijuar hibride njeri–alien.
“Nordikët janë disa qindra vite më të zhvilluar se ne, por jo jashtëzakonisht më të avancuar,” tha Burlison në një intervistë në X Space.

Ai shtoi se Grusch pretendon se hibride alienësh jetojnë aktualisht në botë, por nuk kishte shpjegime se si mund të identifikohen.
Grusch gjithashtu përshkruan një specie tjetër, të njohur si “Griët”, që supozohet të jenë mijëra vite më të zhvilluar se njerëzit, më të shkurtër, me lëkurë gri dhe sy të mëdhenj të zinj, të aftë të kontrollojnë teknologjinë me mendje.
Janë paqësorë apo armiqësorë?
I pyetur për qëllimet e këtyre qenieve, Grusch tha se SHBA ka parë një “përzierje sjelljesh”.
“Ne nuk mund ta kuptojmë plotësisht qëllimin e disa prej tyre. Mund të jetë sepse kemi material gjenetik interesant. Ndoshta jemi si një lloj ‘Jurassic Park-u’ për ta. Mund të jetë një mori arsyesh,” tha ai në Fox News më 21 nëntor.
Ai shtoi se SHBA është në një garë të fshehtë armatimesh me Rusinë dhe Kinën, të cilat gjithashtu pretendohet se kanë rikuperuar anije alienësh dhe po përpiqen të kthejnë teknologjinë e tyre në përdorim njerëzor.
Rreziku, kërcënimet dhe heshtja e detyruar
Edhe pse Grusch beson se Trump mund të vendosë së shpejti të publikojë dokumentet e klasifikuara, ish-presidenti ka deklaruar më herët se mbetet skeptik ndaj teorive të UFO-ve.

“Shumë njerëz shumë të zgjuar thonë se besojnë se ka diçka atje jashtë. Dhe ka sens që mund të ketë. Por unë kurrë nuk jam bindur plotësisht; thjesht nuk është diçka që më tërheq,” kishte deklaruar Trump në podkastin Impaulsive në qershor 2024.
Pavarësisht kësaj, Grusch pretendon se Shtëpia e Bardhë është e motivuar “të bëjë gjënë e duhur” duke zbuluar informacionet e mbledhura nga Kongresi.
Ai ka pohuar se ai vetë dhe të tjerë kanë marrë kërcënime fizike për të heshtur rreth ekzistencës së alienëve, megjithëse nuk ka bërë publik se nga kush.
“U kanosja fizikisht edhe para se të dorëzoja raportin tim te inspektori i Komunitetit të Inteligjencës, nën administratën e kaluar. Duhej të kërkoja mbrojtje ligjore, sepse isha i frikësuar si profesionalisht ashtu edhe personalisht,” tha ai. /GazetaExpress/
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...