Kryetari republikan i Nënkomitetit për Evropën, Keith Self, vlerësoi se Ballkani Perëndimor, përveç Ukrainës që është nën pushtimin rus, është “rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë”.
Këtë mendim e ndan edhe Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA, i cili thotë se prezenca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Sipas tij janë disa çështje të papërfunduara në Ballkanin Perëndimor që paraqesin rrezik për paqen ne rajon.
“Rajoni ka shënuar përparim të madh që nga gjakderdhja e viteve ’90, por ende situata është e ndjeshme. Qoftë marrëdhënia Kosovë–Serbi, qoftë marrëdhëniet e brishta brenda Bosnjë-Hercegovinës, qoftë një regjim i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm në Beograd, dëshmojnë se ende është një rajon ku gjërat mund të shkojnë keq. Prandaj Kosova duhet të sigurohet se SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin atë” , ka thënë ai për Tëvë1
Duke folur ne lidhje me anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në NATO, Kupchan thotë se nuk është një proces i lehtë.
Ai konsideron se pa përfunduar procesi i dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është i pamundur anëtarësimi në NATO.
“Qëndrimi i NATO-s dhe i BE-së është se gjithë Ballkani Perëndimor duhet në të ardhmen të jetë i integruar plotësisht në institucionet transatlantike dhe evropiane. Por që kjo të ndodhë, vendet duhet të jenë të përgatitura për anëtarësim. Kjo nënkupton reforma të brendshme politike e ekonomike, por gjithashtu zgjidhjen e çështjeve të mëdha gjeopolitike të rajonit — dhe në krye të listës është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Pra nuk është NATO ajo që e pengon, por vendet që ende nuk janë gati dhe nuk kanë treguar vullnet për kompromiset e vështira që kërkohen” , shprehet eksperti amerikan.
Në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.
Megjithatë, forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë qysh në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...