Ambasada britanike në Kosovë e ka përshëndetur kalimin e rregullt të pushtetit sot te kryetarët e komunave në veri të vendit. Atje Lista Srpska rimori pushtetin dhe kryetarët e rinj u betuan para simboleve shtetërore të Kosovës.
Në një përgjigje për Gazetën Express, ambasada britanike ka thënë se tash e tutje inkurajon për bashkëpunim të autoriteteve lokale me ato qendrore.
“Ambasada Britanike në Kosovë e përshëndet dorëzimin e rregullt të detyrës tek kryetarët e sapozgjedhur sot. Ne inkurajojmë vazhdimin e komunikimit dhe bashkëpunimit të mirë ndërmjet autoriteteve komunale dhe qendrore dhe komuniteteve që ata i shërbejnë javëve në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Milan Radojeviq mori postin në krye në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në atë të Leposaviq, Dragisha Milloviq në atë Zveçan dhe Millosh Peroviq në atë Zubin Potokit.
Betimin sot e bënë edhe asamblistët e kuvendeve komunale në këto komuna.
Në disa prej tyre u panë edhe flamuj serbë.
Përveçse në komunat veriore, kryetarë të Listës Srpska u betuan edhe nëpër komuna tjera të vendit ku fituan në zgjedhjet e fundit lokale.
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se në seancat e sotme inauguruese “gjithçka u zhvillua në rregull dhe në përputhje me dispozitat që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.
Komunat veriore deri më tani u udhëhoqën me kryetarë shqiptarë që nga maji i 2023-ës pasi kryetarët e Listës Srpska kishin dhënë dorëheqjen e tyre në nëntor të 2022-ës në shenjë revolte për vendimet e atëhershme të Qeverisë së Kosovës.
Lista Srpska më parë kishte njoftuar se do t’i anulonte vendimet “jolegjitime” që kanë marrë kryetarët shqiptarë të komunave në veri.